Sistemet digjitale që “gllabëruan” 500 mln euro në krizë: SelfCare jashtë loje dhe Blackout për 130000 biznese
“Blackout”-i i sistemit tatimor, ekspertja: Ja ç’ndodh tani me afatin e ri e gjobat për 130 mijë biznese
Pas një bllokimi total disajavor të sistemeve online tatimore, i cili preku të gjitha bizneset në vend, administrata tatimore ka vendosur të shtyjë afatet për dorëzimin e deklaratave të rëndësishme vjetore. Rreth 130 mijë biznese, të cilat u përballën me pamundësinë për të kryer veprimet e tyre fiskale që prej mesit të dhjetorit, tashmë kanë një dritare të re kohore për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore. Sipas Blerina Gjyrishit nga Shoqata e Biznesit të Mesëm dhe të Vogël, pas rikthimit në normalitet të sistemit, bizneset kanë nisur procesin e hedhjes së të dhënave. Afati i ri për dorëzimin e inventarëve vjetorë është caktuar data 20 shkurt. Ndërkohë, një lajm i mirë vjen edhe për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore, afati i të cilave është shtyrë në 31 mars. Kjo shtyrje vlen për të gjitha kategoritë e bizneseve. Qëndrueshmëria e sistemit “Selfcare” dhe platformave të tjera online mbetet thelbësore. Nëse do të ketë sërish shkëputje apo rënie të sistemit gjatë javëve në vijim, administrata tatimore do të detyrohet të rishikojë sërish afatet dhe të ofrojë një tjetër shtyrje për të shmangur penalizimin e padrejtë të bizneseve. Problemi i ashtuquajtur “blackout” i sistemeve tatimore nuk preku vetëm platformën e fiskalizimit, por edhe shërbime të tjera online si e-Albania, duke krijuar një ngërç të gjerë. Kolapsi preku pa përjashtim të gjitha bizneset aktive në Shqipëri, rreth 130 mijë subjekte, nga të cilat 25 mijë janë biznese të mëdha dhe pjesa tjetër biznese të vogla. Për sa i përket çështjes së penaliteteve për vonesat e shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar të qartë.
Serbia dhe M. Veriut hyjnë në rrjetin e fabrikave AI të Europës, Shqipëria me Diellën mbetet jashtë
Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë me financime konkrete në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe do të përfitojnë financime direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterave. Shqipëria, e cila ka promovuar së fundmi veten si një nga vendet e pakta në botë që ka një ministre të inteligjencës artificiale, të pagëzuar me emrin Diella nuk ka marrë financime në këtë fazë të programeve, sipas hartës dhe listës së publikuar nga Komisoni Europian, ndonëse është pjesë e rrjetit të superkompjuterave të Europës nga qershori i vitit të kaluar. Serbia dhe Maqedonia e Veriut përfshihen në dy projektet e “Ai Factory Antennas” (porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të inteligjencës artificiale).
Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna), një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e inteligjencës artificiale. SAIFA do të funksionojë si pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar testimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve IA në shkallë europiane. Projekti synon të mbështesë zhvillimin e inteligjencës artificiale në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe gjuha. Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.





















