Makina e blinduar sulmoi zyrtarin e policisë në Elbasan, ja për çfarë po hetohet

630
Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon hetimet për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Elbasanit, mesnatën e 18 shtatorit, ku një automjet luksoz goditi makinën e një zyrtari të policisë.
Burimet nga organi i akuzës thanë se hetimi ka nisur, bazuar në kompetencën lëndore që kanë krimet e rënda për të proceduar veprat, të cilat kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së punonjësve të policisë, kur ata janë në detyrë.
Një burim i organit të akuzës bëri me dije se hetimi po zhvillohet për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese për shkak të detyrës ndaj punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë”. Burimet e Prokurorisë thanë se hetimi është regjistruar për këtë vepër penale, por ende nuk ka persona konkretë, të cilëve u atribuohet kryerja e këtij krimi.
Formulimi i akuzës mësohet se është bërë bazuar në provat e para të mbledhura në vendin e ngjarjes ku është konstatuar se makina me targa AA 040 OJ ka qenë e blinduar dhe përdorimi i saj për goditjen e automjetit të zv.drejtorit të policisë së Elbasanit, ka rrezikuar të sjellë pasoja fatale për efektivat e rendit.
Për këtë arsye, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen hetime bashkë me Policinë e Shtetit në lidhje me incidentin e rëndë që ndodhi rreth orës 22.00 të datës 18 shtator në rrugën “Dyli Haxhire”, pranë tregut ushqimor në Elbasan.
HETIM POLICISË
Krahas hetimeve në lidhje me autorët e krimit, të cilët, të paktën zyrtarisht, janë ende në proces evidentimi, në hetim janë edhe veprimet e policisë. Më konkretisht, më- sohet se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur hetimet për rregullsinë e veprimeve të policisë.
Burimet zyrtare thanë se po shikohet plani operacional, numri i efektivave pjesëmarrës në aksionin e kontrolleve, zbatimi i rregullores së brendshme dhe çdo veprim tjetër i kryer nga ana e efektivave të policisë.
Deri më tani nuk ka të dhëna për ndonjë thyerje të rregullave nga ana e policisë, por mësohet se hetimi në këtë drejtim është i nevojshëm për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde nga ana e efektivëve të policisë.
Sigal