Lutja e paqes në Tiranë, Klosi: Janë marrë masa për të pritur 4000 vizitorët

514
Tre ditë para nisjes së takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator dhe që do të mbledhë krerët fetarë nga e gjithë bota, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e aktivitet 3-ditor.
Ministri Klosi theksoi se qeveria shqiptare ka koordinuar punën që këto ditë të jenë ditë promovimi të vlerave të kombit shqiptar. “Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për rendin e sigurinë në mënyrë që të presim 4000 persona. Ministritë kanë marrë masat për të promovuar turizmin fetar”, tha Klosi.
Ai ka informuar se aktiviteti do të zgjasë tre ditë dhe ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.
“Aktiviteti do të jetë i ndarë në 3 ditë. Dita e parë, ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Kongreseve. Në ditën e dytë dialog dhe dëshmi nga gjithë bota, dëshmi rrëqethëse nga Siria, Iraku etj. Dita e tretë do të jetë një ditë që duhet të ketë pjesëmarrës të qytetarëve për të qenë pjesë e marshimit të paqes. Ju ftoj të merrni pjesë në këtë aktivitet për të shprehur vullnetin e qytetarëve shqiptarë se paqja duhet të mbizotërojë në botë”, tha Klosi.
I pyetur për koston e këtij aktiviteti ndërkombëtar, Klosi tha se në vendet e tjera ka qenë shumë herë më e lartë duke falënderuar vullnetarët për organizimin e tij.
“Falënderoj vullnetarët nga e gjithë bota dhe ata shqiptarë për organizimin e aktivitetit.
Kostoja në vendet e tjera shumë më e lartë. Shqipëria zgjidhet si një vend që ofron tolerancën fetare, vend që afron paqen në rajonin tonë”, tha ai.
Lutja e paqes organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.
Sigal