Lufta mbaroi?!

834
Sigal

Nga Blerina Llalla

Bota u lodh. Tashmë të gjithë dëgjojmë raportimet e përditshme mbi situatën rreth COVID 19. Nga me të saktat deri tek më konspirativet. Nga më të vërtëtat deri tek më dezinformueset. Por faktet janë, miljona të infektuar, qindra mijëra jetë të shuara. Sakrificat dhe përpjekjet vijojnë pa pushim përballë kësaj sfide globale.

Por çfarë ndodhi në Shqipëri?!

Shqipëtarët mbeten ndër popujt më të fortë në përballimin e një sfide të tillë. I shtojmë kësaj dhe sfidën e mbivendosur të politikave aktuale.

E them këtë pasi teksa shoh botën, shërbimet që ofrohen që nga sektori privat deri tek ai shtetëror, më mbetet vetëm të mendoj që, po, bota paska qenë gati me kohë për një sfidë të tillë.

Pse? Sepse kur sheh avancimin e industrisë dhe teknologjisë, kur sheh vënien e saj në funksion të shërbimit dhe njerëzve atëherë vërtetë kupton që investimet janë të vlefshme dhe të qëndrueshme. Rëndom kemi qeshur me Kinën, Europianet deri dhe Amerikën, por ja që ata kanë qenë gjithnjë me hapin e kohës. Kur gjithçka mund ta blinin nga shtëpia. Kur shërbimet e automjeteve, bankave, zyrave shtetërore mund t’i kryenin nëpërmjet kapsulave, makinerive, aparaturave dhe sistemeve online pa qenë nevoja e një asistenti përballë. Deri tek kafja, ilaçet apo ushqimi që i marrin pa levizur nga makina kur ne i konsideronim thjesht dembelë. Janë qindra detaje të cilat nuk mund t’i rendis këtu por që të bëjnë të mendosh thjeshtë:
– Ata kanë qenë gati, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ata duket se janë trajnuar gradualisht për ditë të këtilla. Sepse thjesht ecnin me hapin e kohës, dhe çdo shërbim zyre, banke, pagese mund ta kryejnë fizikisht ose online, në të dyja rastet pa pasur kontaktin e drejtpërdrejtë me njeriun. Dhe ja dita erdhi. Kjo ishte sfida provuese. Fundja kjo është gjenerata e re. Të tjerat mbeten nevoja, vullnet, dhe dëshira njerëzore.

Tani të kthehemi prap në Shqipëri. Përse Shqiptarët mund të cilësohen ndër më të fortët?

Sepse përballë kës sfide të madhe ata u përballën më njëmijë e një sfida të brendshme.
Sepse kur shqiptarët u mbyllën nëpër banesa, asnjë prej institucioneve shtetërore nuk posedonte kapacitetin e duhur infrastrukturor, logjistik, politik, strategjik dhe teknologjik për të ofruar shërbimet e nevojshme që të mos ndalej jeta. Të gjithë u gjendën të papregatitur. Edhe shteti ia doli duke sajuar në momentin e fundit.

Lind pyetja: – Çfarë është bërë me ato qindra projekte për dixhitalizimin, teknologjine dhe inovacionin për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve shqiptarë?
Sa janë të informuar ata për këto investime dhe mënyrat e shfrytëzimit të tyre? Perdorimin, duke konsideruar dhe aksesin e informacionit në varësi të kushteve të gjithsecilit duke konsideruar të gjitha shtresat apo anëtarët e shoqërise.

Trajnimet nuk mund të ofrohen si çdo gjë rëndom në Shqipëri, në momentin e fundit me moton : – Bëje vetë, bëjë mirë, nga shtëpia.
Kujtojmë këtu faktin që vetë portali E-Albania pësoi avaritë e veta pasi nuk ishte dizenjuar dhe projektuar për të përblluar fluksin që po kërkohej. Pas një rindërhyrje u sistemua dhe trajnimi u ofrua live.

Por shqiptarër ishin të papregatitur në shum aspekte dhe më kryesorja në terma ekonomike. Sepse të gjithë e dimë sa vlen jetesa dhe sa vlen një orë pune në këtë vend. Ku nëse do t’i referoheshim statistikave periodike gjithnjë na kanë demostruar se një familje shqiptare konsumon më tepër të ardhura nga sa fiton realisht. Natyrisht kjo evidenton dhe ekzistencën e tregut të zi të punës. Ku jam e bindur që asnjë njëri nuk do të donte të punonte pa kontribuar për sigurinë e të ardhmes. Por janë rrethanat që e kushtëzojnë njëriun në zgjedhje dhe e nxisin të krijojë rende të reja mbijetese. Herë- herë sistemi taksimit e herë- herë pamundësia për të ruajtur një nivel konstant të ardhurash deri tek abuzimet e sektorit privat. Prandaj për sa kohë politika nuk e trajton me seriozitet këtë problem natyrisht që shqiptarët do të gjendeshin përpara një shoku tjetër: atë financiar.
Shqiptarët i mbijetuan kësaj faze duke mos u rendur pas ofertës me kushte të qeverisë për të siguruar bukën duke spiunuar. Një ofertë sa fyese por që i kujton qeverive se (forca) e drejta zakonore mund të sfidojë dhe vëtë politikën. Motivet e kësaj pakete ishin diferencuese apo selektive mes popullit i cili do trajtuar i barabartë në situata emergjence. Qëllimet e saj duken dhe si një tentativë për të sistemuar atë që nuk arritën ta bënin përgjatë dy mandateve të qeverisjes, sistemimin e tregut të punës, sigurimeve, kontributeve deri tek database dhe statistikat e punësimit. Dukej si një nxitim për rifreskimin e shifrave në sektorin e punësimit, si dhe një mundësi për të vendosur gjobat e radhës. Pra gjithmonë paguajnë qytetarët për qytetarët, qeveria mbetet thjesht transportuesi që ndonjëherë i bie ndonjë qese rrugës. Për efektin rrokadë, zinxhir dhe ndihmë duket se askush nuk mendoi seriozisht. Sepse në situata të tilla ndihma nuk mund të ofrohet me kushte. Të paktën bota kështu bëri. Por ndoshta me të drejtë sepse vendet e përparuara nuk kanë abuzuar me taksat e shtetit siç mund të jetë bërë tek ne. Sepse liderër e tyre e kanë parë potencialin ekonomit të vendit të tyre si një potencial mbi shtetet e tjera dhe jo si sfida personale mes liderësh.
Ne, që nuk duhet të harrojmë se përveç borxheve historike të mbartura nga e shkuara po paguajmë dhe për ato banka që janë vjedhur përgjayë kësaj dekade, për ato tendera me të cilat abuzohet. Paguajmë dhe për abuzimet e biznesmebnëve të mëdhenj deri tek abuzimet me fondet e huaja të përthithuara për përmirësimin e çdo infrastrukture, sherbimeve, inevstimeve deri tek mirëqenia. Edhe këtë kishim mangut. Një sfidë dhe një paketë që rezultoi si një masë parandaluese e ofrimit të ndihmës.

Prandaj shqiptarët janë të fortë sepse përveç faktorit ekonomik ia dolën të mbijetojnë edhe brenda atyre pak metrave katrorë që ndoshta në masë nuk përputhen në proporcion me numrin e anëtarëve të një familje. Duke konsideruar këtu që shumica e familjeve shqiptare jetojnë kryesisht në apartamente 1+1 ose 2+1 kush ka më lluks. Hapësira këto që nuk krijojnë kushtet e nevojshme për komoditetin e të gjtihë anëtarëve. Për të mos harruar këtu dhe kushtet fizike në të cilat gjenden shumica e banesave apo kushtet e tyre të arredimit. Për këtë do të mjaftonte të trokisje në shumë dyer pa pritur, jo vetëm të zgjedhurat. Pra flasim këtu edhe për kushtet higjeno-sanitare kur konsiderojmë vetëm një tualet për shtëpi. Dhe po ndalem këtu pasi nuk dua të dal tek kuzhinat e sajuara nëpër ballkone apo në hollin e ndenjes, sepse duket sikur ajri rëndon vetëm me tenxheren në zjarr, imagjinoni dhe me njerëz brenda.

E më tej shqiptarët ia dolën, sepse përveç faktorit ekonomik, komoditetit dhe kushtet jetike, sfida e radhës për ta ishte detyrimi i përmuajshëm i shlyerjes së detyrimeve të furnizimit me energji elektrike dhe ujë. Detyrime për të cilat shumë qeveri nëpër botë qetësuan qytetarët e tyre duke u thënë:- Mos u shqetësoni, nëse nuk arrini të shlyeni faturat në kohë juve nuk do t’ju ndërpritet furnizimi me këto shërbime.

Ndërsa shqiptareve iu tha: Do ti paguani një më një! Me çfarë do ta paguajmë luftën ne po nuk paguat ju?! Askush nuk ka vdekur për bukë! Fjalë që çdo lideri të botës do t’i ngjallnin habi.
Për më tepër nëse ndalemi dhe mendojmë që këto ishin dhe shërbimet bazike, elementare në luftën kundër virusit global. Sepse pa energji dhe ujë nuk mund të ushqehesh, nuk mund të bëheshe pjesë e fushatës “lani duart”. Nuk mund të ruaje higjenën standarte, dhe mbi të gjitha nuk mund të informohesh. Pra shqiptarëve iu cenuan këto të drejta. Dhe kjo të çon në primitivizëm, mu aty jashtë bote.

Dhe prap shqiptari ia doli sepsë përpos këtyre do të duhej të paguante dhe kalvarin e gjobave absurde për të cilat kishte dhe një afat! Kur i mendon, të ngjethet mishi se të duket si një sistem bandash i cili nuk do t’ia dijë se si ti jeton, ngrys ditën apo jetën. A ke bukë për fëmijën, për nënën, për të sëmurin. Por përkundrazi sajon njëmijë e një kleçka si e si të të ndëshkojë, të të gjobisë pa dashur të dijë se ku mund t’i gjejë këto të ardhura. Tingellon si skema e gjobvënieve policeske sezonale në kushte normale, nga ku shteti dhe administratorët kujdesen për mbushjen e arkës dhe xhepave nga gjobitja “normative”, jo cilësuese faji real. Për shembull, Elbasan Gusht viti X duhet të realizonin normën 200.000 € duke vendosur gjoba. Taksative. Mënyrën se si duhet ta gjenin policët në terren, të cilët pas çdo turni duhet të dorëzonin faturat në bazë. Një krahasim i thjeshtë ky për ta bërë të kuptueshme për qytetarin që ndoshta nuk e di këtë skeme, i cili mbase me habi pyet veten: – Ç’bëra që ma vuri?!

Pastaj, shqiptari ia doli kur edhe si biznesmen u detyrua të japë rezervat apo të marrë dhe kredi, të zhytet në borxh me detyrim nga shteti. Kjo për të mbajtur aktivitetin gjallë dhe për të paguar punëtorët. Për të mos folur pastaj për ndërhyrjen në çështjen e marëdhënieve qiramarrës- qiradhënës, marëdhënie që në asnjë vend të botës nuk pati lider ta cilësonte, prekte apo ndërhynte. Edhe në këtë paragraf përbëjnë përjashtim të ashtuquajturit biznesmenët e fortë.

Prandaj Shqiptari ia doli çdo ditë, rast dhe situatë ku përballë sfidës së madhe u përball me sfidat e brendshme që tek ekonomia deri tek liria. Sepse shqiptari me ekonominë e trazuar, me shtëpinë e sajuar, me fatura për t’u paguar, me biznese gati në të falimentuar, me tufën e gjobave nëpër duar dhe qera për të paguar, jo i mirëinformuar dhe me lirinë e marrë peng ia doli të mbijetojë.

Dhe kjo jo falë strategjisë së qeverisë por vetëm falë durimit, nënshtrimit, frikës, tolerancës dhe forcës së tij. Forcë që shqiptarit ia jep vetëm Zoti, asnjë politikë, asnjë qeveri dhe asnjë lider.

Prandaj lufta ka mbaruar. Jini falenderues dhe mirënjohës vetes, familjes, të aferme, femijeve dhe fqinjeve. Askujt tjetër. Ju jeni forca. Dhe në fund të ditës le ti jemi mirënjohës dhe Zotit të qiejve e Tokës, jo atyre që na shfaqen nëpër ekrane.

Gjithçka që po vjen pas duket se është thjesht një lojë, një eksperimënt pa afat. Thjesht një kapriçio pa fantazi e liderit i cili duket se nuk kënaqet së ushtruari pushtetin e tij nëpërmjet shpikjeve absurde, abstrakte dhe aspak shpresëdhënëse. Por ç’orientuese, lodhëse dhe shtypëse. Por thonë se dhe tenxherja me presion shpërthen një ditë po s’dite ta përdorësh. Çdo veprim ka efektet dhe kundër efektet e veta. Pra nëse e fillon nga lartë poshtë mund të kthehet menjëherë dhe nga poshtë lartë.

Meqënëse radhën e ka burgu, o të burgosen të gjithë o të fillojë lëvizja për çlirimin nga burgu i të gjithëve.
Më mirë të mos i japim statusin e një lideri të popullit të burgosur.

Thonë të mençurit tanë:
Atë që ia dëshiron të tjerëve mund ta pësosh vetë. Ose, atë që ia bën të tjerëve do të ta bëjnë dhe ty. Sepse kështu thjesht ke vulosur fatin tënd!

Lufta mbaroi, shqiptarët ja dolën!
Tani po shohin filmin “Diktatori lozonjar”.
Skena për të. Filëm me një protagonist.

Dhe pas kësaj shqiptari do të reflektojë sërisht mbi skenarin dhe pasojat. Bileta ishte e shtrenjte, por ata do ta vlerësojnë çmimin dhe këtë herë kam bindjen që nuk do ti duhen 50-vjet. Sepse nuk dinë të gjithë të lozin monopoli.