Ekonomia ndërkombëtare e një shekulli dhe pandemia botërore

658
Sigal

Nga Dr. Teuta Nunaj

Pedagoge dhe Eksperte Ekonomie

Në shekullin e XX ka tre ngjarje madhore që shënuan ndryshime themelore në zhvillimin e ekonomisë ndërkombëtare dhe të botës në tërsi, të cilat janë: (i) Fillimi i Luftës së Parë Botërore (LIB); (ii) Mbarimi i Luftës së II Botërore (LIIB) dhe; (iii) Rrëzimi i Murit të Berlinit, të cilat de faco e ndanë shekullin e kaluar në katër periudha të mëdha zhvillimi dhe studimi.

Prej vitit 1880-të për shkak të vlerës dhe lehtësisë së transportit, ari përdorej gjerësisht si mjet shkëmbimi dhe ishte lehtësisht i konvertueshëm në para, si dhe anasjelltas, që do të thotë se në çdo moment paraja mund të konvertohej në ar. Në këtë rast, ekonomia vepronte në standardin e arit, kursi i këmbimit të monedhave ishte fiks, lëvizja e kapitalit brenda dhe jashtë vendit kryhej lehtësisht, ari funksiononte si rregullator automatik në ekonomi dhe paraja që dominonte tregjet botërore ishte Paundi Britanik, dominancë që zgjati deri në fillimin e LIIB.

Në periudhën mes dy luftrave botërore, ekonomia ndërkombëtare vijoi të udhëhiqej nga shtetet evropiane dhe ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e saj patën: rënia e Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungareze; kriza ekonomike botërore e vitit 1930, që asgjesoi standardin e arit; humbja e kredive në Rusinë Cariste pas Revolucionit të Tetorit 1913; hyrja e SHBA-së në tregun botëror si një fuqi e madhe financiare, kjo për shkak të rritjes së produktivitetit të SHBA-së, që u shoqërua edhe me volum të madh tregtar; dhe shkatërrimet që pësuan ekonomitë evropiane dhe jo vetëm, gjatë LIB. Në këtë periudhë Dollari Amerikan u bë pjesë e parasë në tregjet botërore dhe bota u nda në zona monetare sipas parasë që dominonte në to.

Pas LIIB, Plani Marshall dominoi rimëkëmbjen ekonomike në Evropë; kreditë amerikane ishin referuese për ringritjen e ekonomive aziatike; institucionet ndërkombëtare të sapo krijuara normuan aktivitetin e tregtisë dhe të zhvillimit të ekonomisë ndërkombëtare në tërësi; SHBA-të u shfaqën si një potencial jo vetëm financiar, por edhe kreditor; roli dhe ndikimi i shtetit në ekonomi, u bë edhe më i ndjeshëm; institucionet financiare ndërkombëtare gradualisht erdhën duke u forcuar dhe duke rritur gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre në ekonomitë nacionale; Marrëveshja e Bretton Woods (1946) unifikoi sistemin ndërkombëtar të përdorimit të monedhave kombëtare, përmes ruajtjes së një kursi fiks mes tyre, i cili përfundoi më 1971; bota u nda në dy kampe të mëdha me drejtime të kundërta, në ekonomi kapitaliste dhe socialiste, që vepronte me rregulla të ndryshme, ndaj sollën edhe rezultate të ndryshme.

Pas viteve ’90-të të shekullit të kaluar, bota u indistrializua edhe më shumë, u zhvillua me rritme të shpejta dhe gjithnjë e më shumë u trajtua si një treg i madh ekonomik e social, ku pengesat po binin një e nga një dhe barrierat po humbisnin çdo ditë e më shumë peshë e vlerë. Rënia e Murit të Berlinit ishte ngjarja madhore që shënoi simbolikisht fundin e periudhës së Luftës së Ftohtë dhe njëkohësisht i çeli rrugën periudhës pasuese, e cila u identifikua me globalizmin dhe zhvillimin e tij.

Globalizmi u shoqërua me rënien e barrierave tregtare, ekonomike e sociale në çdo cept të botës; ish-vendet socialiste të Evropës Qendrore dhe Lindore filluan procesin e zbatimit të ekonomisë së tregut dhe u angazhuan për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, si tregu më unik në botë për nga lloji; Kina komuniste lejoi me ligj investimet e huaja në vend, për rrjedhojë pati bum investimesh dhe rritje ekonomike me hapa galopantë; tregjet kudo në botë filluan liberalizimin dhe pranimin e investimeve të huaja, që solli zhvendosjen e prodhimit të mijëra produkeve të kompanive ndërkombëtare nga vendet e tyre të origjinës, për në vendet e varfra apo në zhvillim; shtetet për t’u bërë edhe më shumë konkurrente në një treg që po bëhej gjithnje edhe më shumë dinamik dhe për të nxitur rritjen e ekonomive të tyre, filluan të organizohen në tregje rajonale, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve bashkëpunuese, ku përmendim: Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes vendeve të Azisë dhe Paqësorit (1989), Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (1991), Krijimin e Zonës Aziatike të Tregtisë së Lirë mes 10 shteteve aziatike (1997), apo krijimin e Bashkimit Afrikan (2002), etj; zhvllimi me rritme jashtazakonisht të larta i teknologjisë së komunikacionit ndryshuan në themel mënyrën e të bërurit biznes dhe tregti, ndaj tashmë nuk mund të konceptohet më një kompani që të mund të ekzistojë në treg nëse nuk përdor internetin; volumi i tregtisë ndërkombëtare është rritur me shifra marramëndësi; ndërsa produktet nuk janë më eskluzivitet i një vendi, pasi për shkak të efektit kosto, pjesë të ndryshme të tij po prodhohen në vende të ndryshme të botës; dhe mjetet ekonomike dhe financiare po bëhen gjithnjë e më shumë armë në duar e politikës për të kontrolluar vendet dhe marrëdhëniet me to.

Viti 2020 do të mbahet mend në historinë botërore, si viti i ndryshimit të menjëhershëm dhe në të njëjtën kohë i të gjithë botës, si dhe për krizën gjithëpërfshirëse që u shtri njëtrajtshmërisht kudo, pa dallim: në vend të varfër apo të pasur; në vend socialist apo kapitalist; në vend demokratik apo diktaturë; në vend të zhvilluar, në zhvillim apo të pazhvilluar. Ndërkohë që fuqia reaguese e shteteve ndaj pandemisë shëndetësore tregoi ndryshimin ekonomik, politik, social dhe kulturor mes tyre.

Ashtu si LIB në shekullin e kaluar, edhe këtë shekull, përhapja e virusit korona përbën ngjarjen fatale që do të sjellë ndryshime në botën e sotme moderne, duke shënuar njëkohësisht ndarjen e parë të shekullit tonë, përsa i përket periudhave të zhvillimit dhe studimit. Përhapja e madhe dhe e shpejt e virusit, pa mundësi ndalimi dhe dëmi i madh që sjell në jetët e njerëzve, nxorri më në pah se vëmendja e shteteve në pragmatizmin e tyre nacional mbizotëroi ndaj solidaritetit ndërkombëtar, përkundrejt retorikave dhe deklarimeve të gjata në pas Luftën e Ftohtë. Nga ana tjetër, njerëzit ju kthyen vlerave familjare, që i kishin “harrur” nga rutina dhe dinamika që të ofronte globalizmi.

Pyetja madhore dhe sfiduese që parashtrohet është: Bota ishte më mirë pa globalizmin, apo me globalizmin? Si çdo gjë njerëzore, edhe globalizmi është relativ, me ndikimet pozitive dhe negative të tij. Nga një anë mund të themi se convid-19 nuk e solli globalizmi, por nga ana tjetër mund të themi që globalizmi u kthye në një nxitës aktiv në përhapjen e shpejtë të tij dhe me një shtrirje të frikshme mbarëbotërore. Mjafton të përmendim vetëm qarkullimin e lirë, të shpejtë dhe shumë të lartë të njerëzve në të pesta kontinentet, për të argumentuar se globalizmi ishte një mjet për fatin e keq shumë efikasë dhe shumë efiçentë, që ndikoi me rritme të shpejta në përhapjen e convid-19 thuajse në të gjitha vendet, duke e sjellë në pragun tonë aq shpejt, sa në vetëm pak javë sëmundja u kthye nga lokale në rajonale, e më tej globale dhe nga sëmundje individuale u kthye në epidemi, e më tej në pandemi botërore.

Pasi convid-19 të mbylli ciklin e tij të zhvillimit dhe të mos ketë më raste të reja, apo të mos përbëjë rrezik, bota do të kalojë në një tjetër fazë zhvillimi ekonomik, politik, social e kulturor. Ekonomistët dhe shkollat e biznesit do të studiojnë qasjet e reja nën një tjetër këndvështrim dhe kështu do të lindin shkollat e reja për të modeluar zhvillimin e ardhshëm ekonomik botëror, rajonal e kombëtar. Convid-19: (i) shkaktoi krizën më të madhe shëndetësore, ekonomike, e sociale të këtij shekulli; (ii) tregoi se solidariteti botëror nuk kishte një bazë të fuqishme dhe të qëndrueshme; (iii) i përfshiu të tërë, duke mos bërë ndarje sociale, mirëqënie, pasurie, race, apo etnie; (iv) nxorri më në pah cënimin e ekuilibrave jetësor të planetit tonë nga vetë ne, njerëzit; (v) na riktheu në kujtesë se vlera më e madhe në këtë botë mbetet njeriu dhe shëndeti i tij.

Ndaj, tash e mbrapa, qëllimi kryesor i vendimmarrësve dhe politikëbërësve duhet të jetë dashuria për njerëzit, e cila duhet të jetë synimi bazë i çdo plani financiar e ekonomik që do të hartohet në vazhdimësi nga qeveritë dhe organizmat ndërkombëtarë. Paraja mbetet një mjet që do të duhet të shërbejë për të mirën e njerëzimit në tërësi.

Në të ardhmen: (i) bashkësia ndërkombëtare do të duhet të ndryshojë qasjen e saj për ruajtjen e ekuilibrave të tokës dhe të marrëdhënies njerëzore; (ii) shtetet do të bëhen më individualistë e protektivë nacionalë; (ii) politikat publike do të kenë një bazë shumë të fuqishme kombëtare, e më pak ndërkombëtare, duke ofruar ndihmesë për mbrojtjen e bizneseve bazë të ekonomive kombëtare nga rënia e çmimit të aksioneve në tregjet financiare, apo nga tendenca për të ndryshuar pronësi përtej vendit të origjinës; (iii) investimet në sektorin shëndetësor dhe arsimor do të duhet të rriten dhe do të duhen të kthehen në zëra të fuqishëm në buxhetet e vendeve, pavarësisht nivelit të zhvillimit të tyre; (iv) shtetet do të duhet të kthejnë vëmendjen nga politikat që zvogëlojnë hendekun ekonomik mes njerëzve, sepse në fund të fundit, njerëzit nuk janë pasuruar vetëm nga puna e tyre individuale, por edhe nga puna në grup; (v) qeveritë do të duhet të ndërtojnë shtete më shumë socialë, se tregtarë apo militarë; (vi) arit do të duhet t’i ofrohet mundësi e hapësirë të rrisi pozitat e tij si mjet këmbimi, gjë e cila shihet edhe nga rritja e madhe e rezervave kombëtare në ar në shumë shtete në vitet e fundit, p.sh. Kinën apo Rusinë; (vii) paraja eletronike përmes rritjes dhe zhvillimit të teknologjisë së informacionit do të synojë të shtrihet edhe më shumë në tregjet botërore si mjet këmbimi, duke ushtruar presion të vazhdueshëm për të zëvendësuar gradualisht për shkëmbime ndërkombëtare paranë në kartmonedhë/monedhë që vepron sot, e cila si mjet kombëtar shkëmbimi, që mbron sovranitetin e vendit dhe për të mirën e ekonomisë ndërkombëtare, duke qenë se ofron më shumë siguri, do të duhet të rezistojë; (viii) tregtia ndërkombëtare pas një krize dhe ndërprerje të thellë, do i kapi sërisht ritmet e saj, por tashmë me një mentalitet ndryshe; (ix) ekonomisë botërore do t’i duhen disa vite të rimëkëmbet nga kriza e madhe që po e kaplon shpejt,  por me përmasa të mëdha, të paparashikuara dhe të papritura; (x) ndërsa institucionet dhe organizatat ndërkombëtare do të duhet te reformohen, një pjesë e tyre kanë devijuar nga misioni për të cilën ato u ngritën, nëse nuk ndodh me vullnet, koha e re do t’i riformatojë.