“Lironi banesat!” Banorët e pallatit 1035 në Durrës kundër shembjes: Godina nuk ka asnjë dëm

374
Sigal

Banorët e pallatit 1035 në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit janë njoftuar për lirimin e banesave, pasi siç thuhet në njoftim pallati është dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe do të shembet.

Por banorët shprehen kundër këtij vendimi. Njoftimi i ka zënë në befasi, pasi siç thonë ata pallati nuk është i dëmtuar dhe se ata banojnë në të që prej tërmetit të 26 nëntorit.

Banorët shprehin indinjatën e tyre se si pas 8 muajsh banesat e 18 familjeve qenkan prishur kur nuk u ka shkuar asnjë komision për të parë gjendjen dhe nuk ka marrë asnjë familje bonus qiraje dhe as kanë aplikuar për grantet e riparimit.

Vetëm një javë më parë, tregojnë ata, ka shkuar një grup që kanë bërë foto dhe kanë nxjerrë njoftimin.

Ata madje hedhin akuza se ka grupe interesi që lakmojnë pozicionin e pallatit, i cili ndodhet në një pikë dominuese të qytetit ku dhe çmimi i banesave është i larte.
Banorët e pallatit akuzojnë strukturat e shtetit për korrupsion dhe kërkojnë që të rivlerësohet pallati nga specialistët.

Për këtë kanë bërë edhe një peticion pasi pallati është vendosur të shembet pa i vënë në dijeni.

Në Durrës ka shumë banesa që janë rrënuar dhe banorët e tyre kanë dalë në protesta të shpeshta për ti shembur, por që nuk po shemben.

Ndërsa pallati 1035 nuk ka pësuar asnjë dëm, sipas banorëve, dhe kërkohet të shembet.