Linjat e autobusëve, përshkallëzohet konflikti me Ministrinë

712
Shoqata e transportit ndërqytetas ka zhvilluar dhe një grevë për të kundërshtuar vendimin që shton 80 segmente të reja
Shoqata e transportit ndërqytetas ka zhvilluar dhe një grevë për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Transporteve për të shtuar linja të reja. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, shoqata e transportit ndërqytetas për zonën e juglindjes ka zhvilluar një grevë, duke bllokuar lëvizjen e autobusëve dhe duke lënë kështu për orë të tëra qytetarët në pritje. Mësohet se shkak është bërë vendimi i Ministrisë së Transporteve për të shtuar 80 linja të reja të transportit. Sipas shoqatës, një vendim i tillë shkel marrëveshjen që ministria ka bërë me ta. Ata shprehen se vendimi i Ministrisë së Transporteve i ka detyruar të bëjnë pezullimin njëditor të të gjithë shërbimit të transportit ndërqytetas për linjën Tiranë-Korçë dhe Tiranë-Elbasan. Të irrituar nga ky vendim i Ministrisë së Transporteve, përfaqësuesit e shoqatës u shprehën se kanë investuar miliona lekë për autobusët dhe nuk mund ta tolerojnë këtë situatë, pasi çdo ditë përballen me konkurrencën që u vjen nga furgonat dhe taksitë që zhvillojnë aktivitetin në mënyrë informale. Prandaj, sipas tyre, për këtë qeveria duhet të marrë masa. Protesta ka qenë paqësore edhe pse forcat e policisë kanë qenë të pranishme për të evituar ndonjë konflikt. Shoqëria e transportit ndërqytetas bëri me dije se, nëse nuk gjendet një zgjidhje për këtë situatë të krijuar, ata do ta pezullojnë shërbimin, jo vetëm një ditë, por aq sa të jetë e nevojshme duke arritur deri tek bllokimi i rrugëve, pasi një vendim i tillë nuk është konsultuar më parë me ta. Shoqata pohoi se nga ana e tyre ka pasur gjithmonë bashkëpunim me ministrinë, duke u përgjigjur për reformimin e transportit dhe kushtet që duhet të plotësonin, por Ministria e Transporteve nuk i ka respektuar, duke i vendosur rregulla të reja për shtimin e orareve dhe tani me rastin e fundit edhe për shtimin e linjave të reja. Greva ka zgjatur deri në mesditën e djeshme dhe më pas ka filluar lëvizja normalisht e autobusëve për linjat përkatëse. 

Reagimi i Ministrisë
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës sqaroi konfliktin me shoqatën e transportit ndërqytetas, lidhur me shtimin e linjave të reja. “Pas miratimit të rrjetit për transportin ndërurban, MTI hapi procesin e licencimit në Tetor 2016. Ky proces ka qenë tërësisht transparent dhe i hapur dhe janë ftuar të gjithë operatorët e interesuar të aplikojnë, proces i cili ende vazhdon”, theksohet në njoftimin e Ministrisë. Bazuar në udhëzimin e ministrit dhe në bashkëpunim me operatorët, u vendos një periudhë 6-mujore monitorimi për vlerësimin e funksionimit të rrjetit të miratuar për plotësim dhe përmirësim të mëtejshëm. “Nga Tetori 2016, ka pasur komente, sugjerime dhe kërkesa të shumta nga bashkitë në të 12 qarqet e vendit, komunitete qytetaresh, si edhe nga operatorë të ndryshëm në këtë sektor, të cilat sillnin në vëmendje se një pjesë e territorit mbetej e pambuluar me shërbim dhe se qytetaret në shumë zona duhej të ndërronin disa linja dhe shpenzonin me shumë kohë dhe buxhet, për të arritur në destinacionin e duhur. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, bazuar në udhëzimet e sipërpërmendura dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të funksionimit të rrjetit në periudhën 6-mujore, konstatoi se për shkak të nevojës së qytetarëve për të udhëtuar në destinacione të ndryshme dhe si rezultat i faktit se shumë prej operatoreve, që operojnë në linja me destinacione të përcaktuara qartë në licencat përkatëse, në mjaft raste kanë shkelur kushtet e licencës duke ndaluar në stacione të pa miratuara edhe për shkak të mungesës së linjave, vendosi plotësimin e rrjetit dhe oraret përkatëse”, thuhet në njoftim. Gjatë kësaj periudhe në MTI janë paraqitur mbi 150 kërkesa për shtim linjash, por janë aprovuar vetëm 90, që nuk kishin mbivendosje dhe ishin territore të pambuluara me shërbim. “Për këtë qëllim grupet e interesit kërkonin plotësimin e rrjetit me linjat e nevojshme dhe përmirësimin e sistemit të orareve. Përmirësimi i rrjetit ka shtrirje në të gjithë vendin. Kjo vendimmarrje është tërësisht e mbështetur në ligj dhe në tagrin e MTI si institucioni përgjegjës për politikat e transportit publik”, theksoi Ministria. MTI sqaroi se plotësimi i rrjetit të linjave do të shoqërohet me atë të licencimit, vetëm pasi operatorët e interesuar të kenë plotësuar dokumentacionin përkatës sipas kërkesave të ligjit dhe të përmbushin kriteret e licencimit. MTI gjithashtu ftoi të gjithë operatorët e transportit ndërqytetas, të vazhdojnë aplikimet për licencim sipas rregullave të përcaktuara për këtë proces dhe të bëhen pjesë e përmirësimit të këtij shërbimi.

Ministria e Transportit shprehu bindjen se konkurrenca rrit cilësinë e shërbimit dhe se mbulimi i të gjithë territorit me shërbimin e transportit ndërqytetas, krijon mundësi për zgjerimin e këtij aktiviteti për të gjithë operatorët që ofrojnë dhe operojnë në këtë fushë. Gjithashtu, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës kërkoi nga të gjithë operatorët e licencuar, të operojnë bazuar në kushtet dhe kriteret e licencave, pasi në 6 muajt e parë janë vërejtur shkelje të rregullave që dëmtojnë konkurrencën dhe pasagjerët.

Shtim kontrolleve
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës siguroi se do të forcojë masat e kontrollit të kushteve teknike dhe cilësisë së shërbimit që asnjë operator, të mos operojë në shkelje të rregullave mbi të cilat është licencuar. “MTI do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e qeverisjes vendore edhe për përmirësimin kushteve të terminaleve të pasagjereve në çdo bashki, krijimin e një qendre unike të specializuar për kontrollin e operimit të linjave dhe fluksit të pasagjerëve, rritjen e masave të sigurisë teknike, si dhe do të fillojë së afërmi projektin e biletimit elektronik”, theksohet në deklaratë. Ministria tha se vëren me keqardhje se protesta e disa shoqatave dhe bllokimi i shërbimit prej tyre është shkelje e ligjit dhe kushteve të licencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, duke u shkaktuar atyre dëm. “MTI i fton të bëhen pjesë e procesit dhe të mos abuzojnë dhe shtrëmbërojnë të vërtetën, pasi shumë prej kërkesave për vlerësimin dhe plotësimin e rrjetit, kanë ardhur nga vetë pjesëtarë të këtyre shoqatave”, theksohet në deklaratë.
Sigal