Ligji i ri gjerman: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë shans për azil

621
Gjermania ka shuar shpresat e rreth 40 mijë shqiptarëve për të përfituar azil ekonomik. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, tha dje zyrtarisht se është miratuar ligji që ka shpallur Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, si vende të sigurta të origjinës. Tashmë, qytetarët e këtyre vendeve, pjesa dërrmuese shqiptarë, që kanë shkuar në Gjermani, gjatë këtij viti pritet të kthehen në vendlindje. Legjislacioni i ri gjerman ka ashpërsuar edhe procedurat e qëndrimit, të dhënies së ndihmave sociale, punësimit apo strehimit të refugjatëve. “Qytetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë nuk kanë asnjë shans që të përfitojnë azil ekonomik në Gjermani. Këto shtete janë shpallur si vende të sigurta të origjinës”, tha dje Maiziere.
Azili dhe ndihmat
Legjislacioni i ri gjerman parashikon në të gjitha pikat e tij, që asnjë qytetar i këtyre vendeve nuk do të përfitojë më të drejtën e azilit në shtetin gjerman. Thomas de Maiziere u kujdes të saktësonte gjithashtu se unioni konservator dhe socialdemokratët gjermanë kanë rënë dakord edhe për kufizimin e ndihmave sociale që ofrohen për azilkërkuesit. Rregullat e reja vlejnë pa përjashtim për të gjithë kontingjentin e refugjatëve që duhet të largohen nga vendi, si dhe për pjesën që është vendosur të shpërndahen në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Refugjatët, të cilët kanë ardhur nga vende të tjera të BE-së, sipas projektligjit nuk duhet të kenë pretendime për të përfituar mbi bazën e ligjit të ndihmave për azilkërkuesit. Për procesin e tyre mbi bazën e rregullores së Dublinit është përgjegjës vendi anëtar, ku kanë hyrë fillimisht refugjatët në BE. Mbi këtë bazë, atyre duhet t’u jepet ndihmë për udhëtimin në formën e një bilete dhe ushqimit. Ky ligj ka ashpërsuar dukshëm të drejtat e qëndrimit. Refugjatëve, që krijojnë vete pengesa për të mos u dëbuar, do t’u ndalohet të punojnë dhe humbasin të drejtën e ndihmës sociale. Tashmë, nënshtetasve nga të ashtuquajturit “vende të treta të sigurta”, krahas punës do t’u ndalohet edhe pjesëmarrja në kurse kualifikimi. Sipas projektligjit, koha e qëndrimit në vendstrehimet e pranimit fillestar të refugjatëve synohet të dyfishohet në gjashtë muaj. Në këto qendra, azilkërkuesit në vend të parave në dorë do të marrin vetëm ndihma në natyrë. Në të ardhmen, edhe procedura e dëbimit do të lehtësohet.
Koalicioni qeverisës mes dy partive më të mëdha tradicionale në Gjermani ka rënë dakord lidhur me të gjitha pikat e reformës për të drejtën e azilit. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, tha se koalicioni qeverisës dëshmoi aftësinë për të vepruar ndaj krizës së refugjatëve. Ai pohoi se kërkohet veprim më i shpejtë, për shkak të numrit shumë të lartë të refugjatëve dhe shtoi se masat e reja synojnë të përshpejtojnë procedurën e përpunimit të kërkesave për azil. Sipas tij, me ligjin e ri do të lehtësohet procedura e dhënies së lejeve për ndërtimin e vendstrehimeve për refugjatë dhe të ardhurit do të kenë të drejtën e punës së ligjshme në Gjermani. Por, ligji parashikon edhe përshpejtimin e dëbimeve të domosdoshme dhe ashpërsimin e së drejtës së qëndrimit.
BE-ja
Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, ka folur dje për çështjen e azilit. “Një tjetër element i rëndësishëm në këndin e përbashkët të punëve të brendshme e të jashtme, për rrugën lindore, për rrugën e Ballkanit Perëndimor, është organizimi i konferencës së nivelit të lartë më 8 tetor në Luksemburg, që mbledh ministrat e vendeve anëtare, por dhe të vendeve të Ballkanit e Turqisë, për të punuar së bashku mbi pritjen, menaxhimin e fluksit dhe mbrojtjen e refugjatëve. Ne përballemi me të njëjtën sfidë dhe duhet ta ndajmë punën në përballimin e kësaj sfide”, tha Mogherini.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme Austriake, Johanna Mikl Leitner, përsëriti disa herë, për shkak të rrethanave, rëndësinë e rrugës së Ballkanit. “Austria fiton nëse plani lehtëson rrugën e Ballkanit. Ne digjemi rëndë, për shkak të kësaj rruge, sepse Austria është vendi i parë i pasur brenda BE-së. Nismat e ndryshme të Kroacisë, Sllovenisë e Hungarisë nënkuptojnë urgjencën për rivendosjen e sigurisë në kufirin lindor e ballkanik”, tha Leitner.
Problemet në kampe
Mediat europiane janë marrë edhe me problemet në kampet me refugjatë në Gjermani. Mësohet se në qendrën më të madhe të azilkërkuesve në Giessen në Gjermani, ku strehohen gjashtë mijë njerëz, dominon abuzimi. Gratë dhe vajzat përdhunohen nga azilkërkuesit meshkuj. Gjithashtu flitet dhe për prostitucion me detyrim, shkruan gazeta holandeze “Algemeen Dogblad”. Mes bandave shqiptare dhe refugjatëve nga Eritreja e Somalia raportohet se ka pasur dhe përplasje të dhunshme. Në një letër dërguar politikanëve numërohen disa përdhunime dhe dhunë seksuale. Kjo situatë është në kontrast me imazhin e krijuar se azilkërkuesit priten në Gjermani me lule dhe kukulla. Përveç kësaj, në shqetësim janë kthyer dhe përplasjet e grupeve të shqiptarëve me ata të Eritrejas dhe Somalisë. Gazeta holandeze shkruan se shqiptarët janë shumë racistë dhe nuk pranojnë që të flenë nën një çati me njerëz me ngjyrë. Së fundmi janë arrestuar 14 shqiptarë, të cilët bënë për spital dy azilkërkues.
Shqiptarët në Gjermani
Për sa u përket shqiptarëve, Ministria e Brendshme gjermane jep edhe shifrat muaj pas muaji. Në muajt janar dhe shkurt, 3638 shqiptarë kanë shkuar për azil. Në muajin mars kanë lënë Shqipërinë për Gjermaninë 3020 persona, në muajin prill 4794, në maj 4922, në qershor 5932, në korrik 7633 dhe në gusht 8306. Në total, për vitin 2015, Ministria e Brendshme gjermane thotë se janë 38 245 shqiptarë, një shifër shumë e lartë sesa kërkesat që janë paraqitur në periudhën janar – gusht 2014. Në këtë kohë, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane kanë lënë Shqipërinë 5257 persona.
Sigal