Lidhja e Kombeve dhe Shqipëria ekonomike e viteve 1920.

1500
Sigal

Më datën 17 dhjetor 1920, 100 vjet më parë Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve (LK). Pikërisht si sot, 100 vjet më parë, më 18 dhjetor 1920 delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan S. Noli u ftua prej Sekretarit të Përgjithshëm të LK, James Eric Drummond të zinte vendin e vet në Asamblenë e LK në Gjenevë, në Sallën “Calvinium” ose “Salle de la Réformation” në qoshen që bashkon “Rue du Rhône” me “Boulevard Helvétique”. Si asnjëherë tjetër në historinë e kombit shqiptar, Shqipëria qëndronte e barabartë mes kombeve të tjera dhe gëzonte të drejta dhe detyrime të njëjta, që buronin nga ky anëtarësim. Përfaqësimi dinjitoz i delegacionit shqiptar dhe fjalimi mbresëlënës i kryetarit të delegacionit F.S.Noli ishin qershia mbi tortë e këtij akti ndërkombëtar. Çështja e pranimit të Shqipërisë në LK u bë pjesë e pazgjidhur e diskutimeve gjatë Konferencës së Paqes në Paris, andaj u vendos që zgjidhja e këtij problemi t’i kalonte vetë Lidhjes së Kombeve. Nga pikëpamja politike, dukej sikur Lidhja e Kombeve do të ishte zgjidhja e duhur e çështjes, por kjo arritje nuk do të ishte e këtyre përmasave nëse, sipas mendimit tim, elementi ekonomik dhe interesi e qasja ekonomike nuk do të bëhej pjesa dinamike, vendimtare dhe vendimmarrëse e këtij procesi të vështirë. Kërkesa e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në LK nënvizonte mes të tjerash, besnikërinë dhe ndjenjat e të gjithë popullit shqiptar dhe vullnetin me gjithë zemër, për të pasur një paqe të konsoliduar dhe të qëndrueshme në Ballkan. Por kjo kërkesë u ndesh jo vetëm me kundërshti të vendeve fqinje dhe aleatëve të tyre tradicionalë, të cilët kishin interesa dhe kërkesa territoriale dhe kërkonin garanci ndaj pakicave etnike në territorin shqiptar, por edhe dyshime për stabilitetin e vendit dhe me paragjykime të karakterit fetar. Për çudinë e të gjithëve, kërkesa e Shqipërisë gjeti një avokaturë serioze dhe me peshë brenda LK dhe në arenën ndërkombëtare. Vetë Lord Robert Cecil, kryetari i Punëve të Jashtme në Parlamentin Britanik përmes fjalës së tij, rrëzoi të gjitha kundërshtitë dhe argumentoi me forcë se “nuk do të kishte paqe në Evropë derisa Shqipëria të ishte e sigurt para pretendimeve të fqinjëve të saj” dhe se anëtarësimi në LK do t’i shërbente këtij qëllimi. Më 17 dhjetor, gjatë debatit në Asamble, dy diskutime të njëpasnjëshme të Lordit Cecil dhe delegatit të Kanadasë Rouell, në favor të pranimit të Shqipërisë në LK, u pasuan nga një deklaratë e përfaqësuesit britanik Fisher, ku nënvizohej se delegacioni i tij “kishte bërë një studim serioz të pozitës së Shqipërisë. Ata kishin arritur në përfundimin së kërkesa e shqiptarëve duhet të pranohej dhe se kishin vendosur pro pranimit të saj të menjëhershëm”.

Por çfarë ishte ky studim, çfarë përfaqëson ky delegacion britanik në Shqipëri dhe cilat ishin qëllimet e tij?

Shqipëria në fakt, përpos pozicionit gjeostrategjik të saj u shfaq edhe si vend tërheqës për shkak të burimeve të pasura minerare të nëntokës së saj. Me një ferman të Portës së Lartë, të vitit 1887, një firmë franceze kishte fituar koncesionin e parë në tokën shqiptare, atë të bitumeve të Selenicës, i ndjekur nga një koncesion bankar i vitit 1913, por gjatë Luftës së Parë Botërore, misione të ndryshme gjeologjike, veçanërisht italiane dhe austriake, kishin zbuluar burime të rëndësishme në nëntokën shqiptare. Gjatë diskutimit të çështjes shqiptare në Foreign-Office, prevaloi ideja e mësymjes ekonomike dhe financiare në këtë vend të vogël, në këmbim të avokatisë për anëtarësim në LK. Kriza dhe konflikti botëror i atyre viteve, veçanërisht për epërsinë e vajgurit dhe burimet natyrore të energjisë, të cilat kishin marrë rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike, justifikonin këtë qasje britanike ndaj Shqipërisë. Tregu botëror i vajgurit zotërohej nga monopolet vajgurore amerikane (si Standard Oil Company) dhe ato britanike, Shoqëria Anglo-Hollandeze e Vajgurit e cila në vitin 1920 prodhoi 32% të nevojave botërore për vajguri. Rivaliteti në shkallë botërore midis monopoleve dhe interesave të tyre për burime energjetike u shfaq edhe në çështjen e diskutimit të pranimit të Shqipërisë në LK, e cila fatmirësisht mori drejtimin e duhur. Burime arkivore konfirmojnë se, Foreign-Office dërgon në Shqipëri më 20 mars të viti 1920 përfaqësuesin e saj konsullor Eyres me misionin e posaçëm që të bisedojë me Qeverinë shqiptare, duke i propozuar ndihmën dhe qëndrimin britanik për çështjen e rëndësishme të pranimit të Shqipërisë në LK. Ai siguroi se Britania e Madhe ishte e gatshme të mbështeste, madje të garantonte pranimin e Shqipërisë në LK, por me kushtet që Qeveria shqiptare t’i japë një monopol të koncesionit, ose të drejtat ekskluzive vajgurore Kompanisë britanike “Anglo-Persian Oil Company”, e cila ishte filial i gjigandit Britanik Admiraliati anglo-persian për naftën, i kontrolluar nga qeveria britanike që nga viti 1914. Edhe qeveria shqiptare e Iljaz Vrionit ( e cila zëvendësoi në nëntor 1920 qeverinë e Sulejman Delvinës), pranoi kushtet e propozuara nga britanikët për shfrytëzimin e vajgurit shqiptar dhe përfaqësuesit e pothuajse të gjitha vendeve të Komonuelthit në LK, e vendosën me forcë pranimin e Shqipërisë SI avokatinë kryesore të tyren deri në anëtarësimin e saj të plotë më 17 dhjetor 1920. U duk shumë qartë rreshtimi dhe vendosmëria e përfaqësuesit të Britanisë së Madhe (Fischer), Kanadasë (Rouel), Afrikës së Jugut (lord Robert Cecil) për të garantuar këtë pranim duke bindur madje edhe përfaqësuesin italian (kundërshtar dhe skeptik në fillim) i cili deklaroi në fund se “me dëshirën që Shqipëria të jetë një element i paqes dhe rendit në Ballkan, ne do të japim një votë pozitive për pranimin e saj. Duke lënë mënjanë vështirësitë e hasura në fillim, pranimi i Shqipërisë në LK do të jetë një akt i drejtësisë supreme dhe mençurisë së madhe. Njohja e shtetit shqiptar duhet të bëhet në bazë të pavarësisë së tij të shpallur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër nga 1912-1913”.  Në fund të votimit, rezultati ishte pozitivisht i paparashikueshëm: 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votim kundër. Kjo ngjarje, ashtu siç edhe pritej u mirëprit me ndjeshmëri të lartë dhe entuziazëm nga opinioni publik shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Madje, sipas burimeve arkivore, populli i Shkodrës i kërkoi Këshillit të Ministrave ” të shpallte Lord Robert Cecil, qytetar nderi të qytetit për kujdesin e tij të veçantë për çështjen shqiptare të paraqitur në Lidhjen e Kombeve”. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, duke marrë në konsideratë rrethanat në të cilat ndodhej, e copëtuar dhe e përgjakur nga Lufta e parë Botërore, e paqartë në kufijtë e saj, ende e panjohur juridikisht dhe nën presionin e kërcënimin serioz nga fqinjët e saj, në rrethanat e një paqartësie për të ardhmen e saj territoriale dhe të sovranitetit, ishte një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme, që argumenton çdo përpjekje dhe marrëveshje të mbyllur ose të hapur të qeverisë shqiptare për arritjen e këtij qëllimi madhor. Marrëveshja për këtë koncesion u arrit por, për shkak të kërkesave në rritje për ndryshim të kushteve nga “Anglo-Persian Oil Company”, ndryshimeve politike të njëpasnjëshme në Shqipëri, por veçanërisht për shkak të presionit të vendeve të tjera nuk u ratifikua asnjëherë nga Parlamenti i Shqipërisë, por nuanca dhe qasja ekonomike që u shfaq, madje dominoi procesin e pranimit të Shqipërisë në LK, ishte një risi në fushën e politikës së jashtme të Shqipërisë të atyre viteve.

Ambasador Arben Cici