Lezhë, fermerët japin alarmin: “Toka mbeti djerrë, kënetizohet Torovica”

493
Sigal

Fermerët e Torovicës kërkojnë ndërhyrje urgjente për kullimin e tokave bujqësore. Ata thonë se për shkak të mungesës së kanaleve kullues toka përmbytet sa herë ka reshje shiu, dhe aktualisht nga një tokë me prodhim të lartë po kthehet në kënetë.

Nga një tokë me prodhim të lartë bujqësor, fusha e Torovicës në Lezhë është kthyer në një kënetë, për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme sa herë që ka reshje shiu.

 Përballë kësaj situate, fermerët e zonës hezitojnë ta mbjellin, pasi toka nuk jep rendiment.

Sipas tyre, puna që nisi Bashkia për hapjen e kanaleve kulluese është lënë përgjysëm dhe situata e përmbytjeve vijon të përsëritet.

Fermeret e Torovicës kërkojnë që të ndërhyhet, pasi shumë prej tyre e kanë të lidhur jetesën me bujqësinë.

Fermeri: Fusha përmbytet çdo vit, sot akoma nuk është mbjellur gruri, që zakonisht këtu në fillim të nëntorit është i mbirë. Akoma një pëllëmbë tokë nuk është mbjellur, e kam traktorin aty.Nuk është mbjellë sepse nuk  është tharë akoma toka, është mbyt në ujë dhe nuk kemi shpresa për ta mbjellë, vetëm ndonjë kodër 2-3 dynym sa për bukë se është e mbytur në ujë.

Problem për përmbytjet në këtë zonë është dhe hidrovori i cili ndodhet 2 metër mbi nivelin e tokës që duhet të evadojë, e për pasoje nuk kryen dot kullimin e saj.

Bashkia e Lezhës thotë se investimet për të zgjidhur këtë problem kapin një vlerë të konsiderueshme.