Fondacioni Kujto.al akordon Bursë Studimi për studimin e krimeve të komunizmit

537
Sigal

Fondacioni Kujto.al-Arkiva Online e Dëshmive dhe Krimeve të Komunizmit në bashkëpunim me Departamentin e Historisë në Fakultetin Histori-Filologji, Tiranë, organizoi sot konferencën studentore me temë: “Krimet e komunizmit në syrin e studentëve”.

Studentët pjesëmarrës ishin aplikantë të Bursës “KUJTO”, një bursë studimi që nxit dhe mbështet financiarisht një student të degës së Historisë për studimin e krimeve të komunizmit në nivel Master. Bursa është një nismë e z.Agron Shehaj, ideator dhe themelues i Fondacionit Kujto.al.

Mes 12 temave të studimit që u paraqiten juria, e përbërë nga pedagogë të Departamentit të Historisë dhe përfaqësues të Fondacionit Kujto, shpalli fituese temën “Terrori komunist në vitet 1945-1855” me autor studentin Indrit Dervishi.

Tema të tjera që u vlerësuan nga juria ishin ato tema të fokusura tek aspekte të komunizmit të pastudiuara më parë, si “Trajtimi i fëmijëve në komunizëm” me autore studenten nga Korça, Najada Pendavinji apo “Trajtimi i grave nga diktatura komuniste” nga studentja Ada Aga, etj..

Panel i përbërë nga shefja e Departamentit të Historisë, prof.asoc.dr.Eva Hyskaj, dr.Enriketa Papa, studiuesi Erald Kapri dhe drejtuesja e Fondacionit Kujto.al, Blerina Gjoka, vlerësuan interesin e studentëve dhe vunë theksin tek nevoja për studime të reja e më të thelluara për periudhën komuniste. Të gjithë studentët pjesëmarrës u vlerësuan me certifikatë mirënjohjeje për interesin e treguar në studimin e kësaj periudhe të rëndësishme.

Për studentët pjesëmarrës u dhurua vepra e Mit’hat Frashërit, botuar nga Instituti i Studimeve Lumo Skëndo, dhe libra të tjerë studimorë për periudhën e komunizmit, botime të ISKK-së. Kjo bursë studimi është një nxitje për të rinjtë që duan të studiojnë e të mësojnë më tepër për atë periudhë të errët, që akoma nuk është zbardhur siç duhet, e po ashtu, është një mbështetje për të rinjtë e talentuar që duan të bëjnë punë serioze kërkimore e shkencore.