Kuvendi rrëzon kërkesën për heqjen e mandatit Frrokut, Visha: Të marrim pjesë në seanca

475
Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve është mbledhur për të shqyrtuar çështjen e mandatit të deputetit Mark Frroku. Që në fillim të mbledhjes që drejtohet nga kryeparlamentari Ilir Meta, deputeti i PD-së, Arben Ristani përsëriti kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Frroku, pasi siç tha ai duhet të kemi një administratë të pastër. Ristani deklaroi se për këtë qëllim është edhe marrëveshja për dekriminalizimin. Avokati mbrojtjes i deputetit Frroku, Saimir Visha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve që klienti i tij të lejohet të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, pasi nuk ka asnjë masë ndaluese për të, ndërsa shton se mandati i tij është ende i vlefshëm. “Vlen për tu përmendur një shqetësim i prillit 2015, ju jemi drejtuar për lejimin e pjesëmarrjes së tij në Kuvend. Ka dy vendime 28 mars 2015 ku për të është dhënë masa arrest shtëpie dhe një vendim të datës 3 prill 2015 ku është dhënë masa arrest me burg. Të gjithë jemi juristë dhe e dimë se ekzistojnë edhe masa ndaluese që ndalojnë funksionet publike të një personi. Deri në këto momente nuk ka asnjë masë ndaluese që të mos marrë pjesë në Kuvend. Mandati i tij është i vlefshëm. Mandati hiqet kur nuk bën betim, kur heq dorë nga mandati, kur mbaron mandati i Kuvendit, kur mungon pa arsye mbi 6 vjet dhe kur dënohet, me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, pra ai ka një arsye pse mungon dhe nuk është dënuar me asnjë vendim gjykate brenda dhe jashtë vendit”,- sqaroi Visha.

Avokati shtoi se përderisa nuk ka një masë ndaluese për Frrokun, ai është deputet dhe në bazë të Kushtetutës mandati i tij është i vlefshëm, prandaj kërkoi që ti mundësohet pjesëmarrja në Kuvend. Deputeti Mark Frroku mbërriti në kryesinë e Kuvendit në orën 17:40 me një automjet të burgut, i shoqëruar nga avokati. Lajmi që Frroku do të ishte në mbledhje, u konfirmua më herët nga avokati i tij, Saimir Visha, i cili tha se “prania në mbledhje është detyrim ligjor”. Në mbledhjen që do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit, deputeti dhe kreu i PKD-së do të shoqërohet nga avokatët e tij. Mbledhja e Këshillit vjen pas kërkesës së Partisë Demokratike, e cila, në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, argumenton se deputetit Frroku i është plotësuar afati gjashtë-mujor i mungesës në Kuvend, ndërkohë që ai vijon të mbajë mandatin. Kjo, sipas opozitës bie ndesh me Kushtetutën, e cila përcakton se mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Deputeti kristiandemokrat mungon prej shtatë muajsh në parlament, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, në prill të këtij viti, për ta lënë në “arrest me burg”, sepse akuzohet nga autoritetet belge si i përfshirë në një vrasje në Belgjikë, në vitin 1999.
Sigal