Taksa e miellit nga Rusia Panariti: Shmangim rritjen e çmimit të bukës

544
Sigal

TIRANE – Kur kanë mbetur vetëm pak ditë që Rusia të aplikojë taksën shtesë prej 35 dollarë/ton për vendet evropiane që importojnë miell, Ministria e Bujqësisë ka zhvilluar një takim për të diskutuar masat për të parandaluar rritjen e çmimit të grurit.

Nga takimi me përfaqësues të prodhimit të miellit në Shqipëri, ministri Edmond Panariti parashtroi dy alternativat për të shmangur një rritje të çmimit të bukës për konsumatorët shqiptarë.

“Diskutuam me prodhuesit për të marrë masa për të parandaluar një rritje të çmimit të miellit. Në momentin që flasim nuk kemi asnjë lloj rritje të çmimit të bukës. Ka disa masa të rritet rezerva stok e miellit. Ne kemi një muaj rezervë mielli, diskutuam mundësinë që këto rezerva të rriten 2-3 muaj për të kundërbalancuar një rritje eventuale të miellit në tregjet ndërkombëtare. U diskutua dhe për krijimin e disa lehtësirave fiskale, por këtë duhet të bisedojmë me Ministrin e Financave.” tha Panariti

Rusia është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të miellit dhe eksporton mbi 30 milion tonë në vit. Shqipëria importon nga Rusia rreth 140 mijë ton miell në vit, ose rreth 25% të sasisë që duhet për plotësimin e nevojave të popullsisë.

Gjithsesi ka edhe burime të tjera si Gjermania, Franca dhe Kanadaja. Ndërkaq, ministri Panariti tha se Minsitria e Bujqësisë është futur në bisedime me Rusinë për heqjen e embargos për importin e perimeve, aplikuar në dhjetor të 2014-ës nga shteti rus.