Kuvendi i Lezhës dhe ushtria e Skënderbeut

2139
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Vendimi për krijimin e ushtrisë
Pjesëmarrja në Lidhjen e Lezhës e çdo princi dhe feudali, garantonte të drejtën e mbrojtjes nga pushtuesi, si dhe detyrimin për të kontribuar në krijimin e ushtrisë dhe të mjeteve financiare të përbashkëta. Me këto detyrime lidhen dy vendime të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës: vendimi për krijimin e një ushtrie të “Lidhjes së princave shqiptarë”, si dhe sigurimin e mjeteve financiare për shpenzimet e luftës me forca të përbashkëta. Kuvendi i Lezhës vendosi të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga Skënderbeu në principatën e Kastriotëve, si dhe nga feudalët e tjerë në zotërimet e tyre. Secili anëtar i lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve me të cilët do të kontribuonte në krijimin e ushtrisë së përbashkët. Skënderbeu u zgjodh Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve do të emëroheshin nga vetë bujarët. Për të përballuar shpenzimet e luftës, Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të posaçëm në të holla, i cili do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit, të cilat u përkisnin Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu, i cili jepte për çështjen e luftës çlirimtare kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe të holla. Skënderbeu u ngarkua nga Kuvendi i Lezhës me detyra drejtuese dhe komanduese. Në këtë mënyrë ai merrte përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e luftës. Nga pikëpamja strategjike “Lidhja e princave shqiptarë” përbënte aleancën politik-ushtarake (besëlidhje) më të fuqishme midis bujarëve shqiptarë me njeri-tjetrin për mbrojtjen e zotërimeve të tyre feudale me forca të përbashkëta. Në zotërimet e tyre, bujarët shqiptarë pjesëmarrës ishin zotër të pavarur dhe mbajtës të çdo pushteti.
Skënderbeu në pozitën e drejtuesit ushtarak
Me gjithë rolin udhëheqës dhe komandues të Skënderbeut në “Lidhjen e princave shqiptarë”, pozita e tij drejtuese në vitet e para të ekzistencës së saj, nuk ishte ajo e një monarku, por e një drejtuesi ushtarak. Udhëheqja e tij përmblidhet vetëm në organizimin e mbrojtjes së vendit, pa cenuar privilegjet e feudalëve të veçantë dhe pushtetin e tyre brenda zotërimeve të veta. Skënderbeu kishte të drejtë në raport me anëtarët e tjerë të lidhjes të thërriste kuvendin e princave shqiptarë sa herë ta shinte të nevojshme për interesat e mbrojtjes së vendit. Anëtarët e lidhjes ruanin të drejtën e largimit prej saj, kur ta shihte të nevojshme. Skënderbeu si kryetar i lidhjes dhe lidhja nuk kishin të drejt ta pengonin ose të merrnin masa kundër tij. Në Lidhje bujarët feudalë ruajtën të drejtën të hynin në marrëdhënie ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Në vitet e mëvonshme një pjesë e mirë e princave shqiptarë përfunduan traktate ndërkombëtare me shtetet italianë, pavarësisht nga Skënderbeu dhe Lidhja. Gjergj Araniti lidhi traktat të veçantë me Alfonsin e Napolit (1451) dhe një tjetër me Venedikun. Kështu kanë vepruar edhe bujarët e tjerë. Lufta e përbashkët kundër Perandorisë Osmane dhe Venedikut bëri që subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në vendimet të dalë në tërësi “Lidhja e princave shqiptarë” dhe jo ndonjë bujar i veçantë. Gjatë luftës me Venedikun më 1448 Skënderbeu, pas vdekjes së Lekë Zaharisë, e kërkoi qytetin e Danjës në emër të Lidhjes. Fitorja u arrit me forca të përbashkëta të feudalëve shqiptarë. Kurse Traktati i Paqes (4 tetor 1448) u përfundua duke qenë palë “Lidhja e princave shqiptarë”, e përfaqësuar nga Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini e Republika e Venedikut. Në historinë e Lidhjes së Lezhës ky është rasti i parë kur del në bllok njëkohësisht para dy armiqve të rrezikshëm, Perandorisë Osmane dhe Venedikut. Lidhja lufton dhe fiton për mbrojtjen e vendit dhe të tërësisë së saj territoriale, vepron me personalitet të plotë politik në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Rëndësia historike e vendimeve të marra
Kuvendi i Lezhës dhe vendimet e marra rëndësi historike për fatet e luftës së madhe shqiptaro-osmane të shek. XV. Lidhja e Lezhës dhe kryekomandanti i saj, Skënderbeu, gëzonin mbështetjen e pakufishme të popullit. Në këto rrethana lufta mori tiparet e një lufte popullore. Pikërisht, ky faktor i dha mundësi vendit tonë, që me mjete njerëzore e ekonomike relativisht të kufizuara, të përballonte sulmet e ushtrisë osmane, më të fuqishme të kohës. Fitoret e luftërave dhe betejave që u zhvilluan për një çerek shekulli kundër ushtrisë osmane, u mbështetën te shpirti liridashës i popullit, te vetitë e tij moralo-luftarake, te përvoja shekullore e luftërave të tij, si dhe tek aftësitë komanduese e gjenealiteti ushtarak i kryekomandantit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga pikëpamja politike, Kuvendi i Lezhës ishte organi i vetëm në shkallë kombëtare brenda të cilit realizohej bashkimi i popullit shqiptar dhe i klasës feudale shqiptare në luftë kundër pushtimit osman. Kuvendi i Lezhës me gjithë bazën feudale, dhe vendimet e marra shprehin objektivisht edhe interesat e popullit shqiptar, të cilat kërkonin më shumë se kushdo mbrojtje kundër pasojave të rënda që sillte pushtimi osman. Kuvendi i Lezhës nga pikëpamja strategjike ishte organ kushtetues, që procedoi në krijimin e organeve të tilla me rëndësi të përgjithshme si “Lidhja e princave shqiptarë”, komanda unike e ushtrisë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe fondet e përbashkëta për përballimin e luftës. Krijimi i organeve të përbashkëta kishte rëndësi të madhe dhe shënohej kështu hapi i parë drejt forcimit të pushtetit qendror dhe daljen nga kuadri i ngushtë i copëtimit feudal.
Krijimi i shtetit
Në procesin e luftës së madhe shqiptaro-osmane, gjatë së cilës u realizua krijimi i shtetit, ku përfshinte një pjesë të mirë të territorit shqiptar. “Lidhja e princave shqiptarë” dhe organet që dolën nga Kuvendi i Lezhës pësuan ndryshime të rëndësishme, të cilat çuan në ndryshimin e natyrës së tyre politiko-ushtarake. Shteti shqiptar, i themeluar dhe i udhëhequr për çerek shekulli nga Skënderbeu (1443-1468), e vazhdoi ekzistencën e tij edhe pas vdekjes së Heroit Kombëtar, deri në vitin 1478, kur ra Kruja-kryeqyteti i tij dhe kështjella kryesore e mbrojtjes së vendit. Gjatë gjithë kësaj dekade, megjithëse me territore të cunguara gradualisht nga pushtuesit osmanë, ai vazhdoi të realizonte funksionet e tij kryesore në luftën e pabarabartë midis Shqipërisë së vogël dhe Perandorisë Osmane. Në shpalljen e Sulltan Mehmetit II kushtuar rënies së Krujës (1478), pasi përshkruhen mizoritë e pushtuesve ndaj mbrojtësve të saj, përcaktohen edhe synimet e tyre për shkatërrimin e organizimit politik dhe ushtarak të krijuar gjatë asaj epoke historike. Krijimi i shtetit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte një fitore e madhe historike e popullit shqiptar dhe përfundimi i atij procesi të ligjshëm për krijimin e formacioneve shtetërore të pavarura në mesjetë. Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm nën udhëheqjen e Skënderbeut ndihmoi në farkëtimin e unitetit politik të popullit tonë në luftë kundër pushtuesve osman si dhe në konsolidimin e kombësisë shqiptare, mbi bazën e gjuhës, territorit dhe unitetit psikik-kulturor. Shteti i Skënderbeut ishte një formë e sundimit politik të klasës feudale shqiptare. Lufta që zhvilloi Skënderbeu për forcimin e pushtetit dhe krijimin e shtetit shqiptar nuk ishte luftë kundër feudalizmit. Ajo ishte luftë kundër copëzimit dhe partikularizmit feudal, që dobësonte fuqinë mbrojtëse të vendit, pa prekur marrëdhëniet në prodhim, të cilat mbetën si edhe më parë, feudale.


Sigal