Kush po e “blen” Librazhdin?!

813
Kryebashkiaku, që i fshihet transparencës dhe përgatitjes së tenderit të fiksuar për privatizimin e ndërmarrjes së pastrimit. Kryebashkiaku, Kastriot Gurra dikton mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në vend që të japë llogari para tij dikton dhe nuk lejon mediat në mbledhje, harron se Këshilli Bashkiak nuk është pronë e tij. Çfarë fshihet pas tij? Po bën gati kalimin dhe privatizimin e ndërmarrjes së pastrimit, për të cilën përflitet që do ja japi një personi, i cili ka fituar gjithë tenderat në Librazhd, në harkun kohor të dy viteve. Ndërkohë që kalon në privatizim ndërmarrjen e pastrimit, në krahun tjetër me buxhetin dhe lekët e taksapaguesve blen 5.400.000 lekë kazanë plehrash.
Sigal

Kastriot Gurra sapo ka hipur në kolltukun e kryebashkiakut dhe i duket sikur bashkë me këtë kolltuk ka “blerë” edhe qytetarët e lirë të Librazhdit, duke izoluar çdo të dhënë dhe diktat në politikat e tij të “zgjuara”, duke qenë se ka blerë dhe ushtruar presion në një pjesë të këshillit bashkiak synon të mbajë larg mediat, për të mos parë dhe marrë vesh se çfarë bëhet në vendimet që ai dëshiron të marrë. Madje, nëse e shikon të krekosur si gjel në poltronin bashkiak më shikim tinëzar, me një buzëqeshje të shtirur, jep urdhra për të miratuar kalimin në privatizim të ndërmarrjes së pastrimit, pa u paraqitur projekti i studimit mjedisor, bërja transparente e projektit përfitimet nga ky privatizim, cilat janë kushtet dhe përse duhet të privatizohet. Askush nuk di se çfarë ka ndërmend “bandilli” Gurra, në arkën ose xhepin e kujt do të shkojnë këto para të taksa paguesve të varfër të këtij qyteti dhe komunat rreth e qark. Po kështu dhe një organikë shumë e fryrë me 403 punonjës, që bombardojnë një rreth të tërë, një buxhet më i madh se bashkia e Elbasanit. Nëse i merr së bashku të gjitha komunat ose ish-komunat Hotolisht, Qendër, Orenjë, Polis Lunik e Stëbleve, sikur të jetë e punësuar e gjitha administrate e tyre 100 për qind, plus ajo e bashkisë, nuk i kalojnë të 300, kur duhej të ishte një organikë shumë më e vogël. Kjo ka bërë që të irritohej Kastriot Gurra, nëse do të merrte pjesë media për të qenë prezentë, duke filmuar lëvizjet me këmbë e duar të këtij kryetari, gjithë mbledhjen e këshillit bashkiak. Në harkun kohor të 25 vjetëve ky kryebashkiak (Kastriot Gurra) është i veçanti i këtij lloji, ku rrinte ngrehur në rreshtin e parë të tavolinave, një pjesë e këshilltarëve e shikonte si idhull, i cili zgërdhihej dhe komandonte gjithë këshillin bashkiak, kur kërkonte mospraninë e medias për të qenë prezentë në katrahurën që po gatuante. Dukej shumë qesharak kur e shikoje, se si diktonte dhe jepte urdhra me këmbë e me duar mbledhjen për kalimin në privatizim të ndërmarrjes së pastrimit si ku në rendin e ditës përveç buxhetit dhe strukturave të administratës publike, po trajtohej dhe kalimi në privatizim i ndërmarrjes së pastrimit, e cila për 25 vjet ka qenë shtetërore. Sipas burimeve tepër të besueshme, brenda bashkisë po e kalojnë në privatizim këtë ndërmarrje për t’ia dhënë më pas një subjekti, i cili ka kohë që merr tenderat në rrethin e Librazhdit, një person që ky e ka shumë përzemër, do ta kalojnë privat, duke rënduar kështu xhepin e taksapaguesve fukarenj. Nga dokumentet e gjetura në rrugë konfidenciale, nga buxheti i shtetit, bashkisë është planifikuar blerja e 50 kontinierëve me vlerë 2 700 000.00 lekëve dhe 150 kontinerëve të tjerë me përmasat 1. 1M3 me vlerë 2 700 000.00 lekëve, pra 5 400 000 00 lekë. Ndërkohë që nga ana tjetër kërkohet me procedurë të përshpejtuar pa asnjë lloj argumenti, përse duhet të kalojë privat. Dhe kjo ka bërë që të irritohet Gurra. Madje sipas burimeve konfidenciale dhe bisedave nën zë, janë ofruar dhe subjekte të rregullta të këtij rrethi, por ju është thënë që të rrinë larg. Por kjo mënyrë privatizimi me vrap ku është kërkuar një projekt i detajuar dhe e pa argumentuar, që i është kërkuar, nuk i ka pëlqyer Kastriot Gurrës, duke urdhëruar gazetarët të qëndrojnë jashtë dhe të mos filmojnë dhe të mos jenë prezentë as në mbledhje si dhe pjesëtarë të grupeve të interesit! Ky është skandali më i madh të zhvillosh mbledhjen e Këshillit bashkiak me dyer të mbyllura, si në kohën e diktaturës, në mbledhjet e organizatës së Partisë! Kur ky tipi nuk ka të drejtë të diktojë mbledhjen dhe të japi urdhra. Gurrës nuk i intereson që media, shoqëria civile dhe publiku të marrë vesh se çfarë bëhet në mbledhjen e këshillit bashkiak, kur me ligj në mbledhjet e këshillit bashkiak mundet të marrin pjesë edhe qytetarë të ndryshëm dhe grupe të interesit, po kështu edhe media, nuk i intereson pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje.

Historiku i kryebashkiakëve të Librazhdit në 25 vjet dhe teoria Gurra:

Që nga viti 1991, kanë qenë disa kryetarë Bashkie në vite, si: 

Flori Alla, Hyqmet Shalja, Fatos Zharri, Kastriot Godo, Shaqir Kuka dhe së fundmi Shefki Cota. I pari kryetar që “dyllos” dhe bllokon informacion për publikun, vendos diktatin derën e bashkisë, duke e quajtur së bashku zyrën së bashku me këshilltarët, publikun dhe qytetarët që e kanë votuar “pronë” të vetën. Ndërkohë që Kryetari i Bashkisë duhet ligjërisht të pasqyrojë me transparencë aktivitetet e bashkisë, të institucionit që drejton, të jetë transparent për komunitetin, shoqërinë civile, mediat e shkruara dhe elektronike, duke bërë të mundur njoftimin dhe prezencën e tyre në aktivitetet e tij. Madje të detyrueshme dhe faqen e webit në bashkinë që i mungon. Informon përfaqësuesit e mediave për veprimtarinë e bashkisë, nëpërmjet konferencave për shtyp, si dhe kontakteve individuale me përfaqësuesit e mediave (Gazetarët). Sqaron opinionin publik në lidhje me çdo aktivitet apo problem gjatë veprimtarisë së përditshme të bashkisë. Dhe më kryesorja, zbaton aktet dhe normativat e këshillit Bashkiak dhe jep llogari para këshillit bashkiak çdo gjashtë muaj, po kështu dhe para qytetarëve. Natyrisht kështu do të ndodhë ju intereson të mbajnë gjithçka nën terr, përderisa kjo bashki nuk ka ende një faqe elektronike në web, apo facebook, twiter etj! Nuk ka një zëdhënës shtypi apo një zyrë informacioni, ku qytetarët të informohen për probleme të ndryshme! Dhe kryetari, Gurra meqenëse është dhe kryetar i Partisë Socialiste të rrethit e ka kthyer bashkinë në një “lopë” për ta mjelë për interesat e veta dhe jo në interes të qytetarëve të Librazhdit. Duhet te tregojë para qytetarëve, se çfarë po kurdis me qytetarët që e kanë votuar. Ndërkohë ka miratuar një administratë prej 403 vetash, pa harruar të miratoj një rrogë për veten e tij, prej 92 500 mijë lekë në muaj rrogën e vet dhe disa emërime e vende pune të tjera, një administrate me të madhe se Bashkia e Elbasanit. Por në ditët në vazhdim do të publikojmë shifra dhe fakte të tjera.

Agim Blloshmi

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 26.01.2016