Kurum, “pashallëku” i ngritur nga aferat e skrapit

849
Kompania “Kurum” e cila u fut në Shqipëri si “pushtuese” asetesh të blera me afera korruptive, duke paguar “1 metër” dhe duke zaptuar gradualisht gjithë qendrat prodhuese gjigante të ekonomisë strategjike shqiptare, tashmë është shkërmoqur, duke iu dorëzuar falimentimit financiar. Ish-kompania që shkrinte skrap me evazion fiskal deri në Serbi e Rusi, prej disa ditësh ka deklaruar publikisht me shkresë zyrtare drejtuar gjykatës shqiptare në Tiranë, se është tjetërsuar në firmë “skrap” dhe ka kërkuar shkrirjen e saj si aktivitet në Shqipëri! Kompania e njohur turke në Shqipëri “Kurum” ka kërkuar shpalljen e falimentimit në Gjykatën e Tiranës. Në datën 26 shkurt 2016, përfaqësuesi ligjor i kompanisë turke “Kurum International” sh.a, ka paraqitur kërkesën për të deklaruar veten të… falimentuar.
Sipas padisë, thuhet se me falimentimin, kërkohet riorganizimi i shoqërisë “Kurum International”, caktimin e administratorit të përkohshëm të falimentimit dhe marrjen e vendimit për vetë-administrimit borxhlinjtë, të cilët thuhet se “Kurum” i ka aq të shumtë sa ngjason me ish-firmën piramidale “Sude”. Shkak ëshët bërë mos shlyerja e borxheve (kredive) bankare në vlerën deri tani të publikuar 170 milionë euro, ku Kurum ishte zhytur dhe u mbyt prej kredive miliona euro që kompania ka marrë, faliment që gjykata do ta nis në datën 16 mars 2016. Po pse falimentoi e përfundoi edhe vetë në “skrap” kompania “Kurum”? Gazeta “Telegraf” prej dy vitesh ka paralajmëruar falimentimin e kësaj firme “batak korrupsioni”, duke kërkuar prej drejtësisë dhe shtetit shqiptar që të vepronte për të ndalur krimin ekonomik-financiar e mjedisor me emrin “Kurum” dhe që disa nga skandalet, aferat e krimet ekonomike-financiare të bëra prej saj, po i rikujtojmë sot…
Mashtrimi/“Kurum” me 1.2 milionë ton skrap, ka prodhuar 1.5 milion ton hekur
Abuzimi me sasinë e grumbullimit të skrapit dhe rimbursimin e vjedhur të TVSH së skrapit është një veprimtari e zezë, që ushtrohet prej 15 vitesh nga kompania “Kurum. Abuzimi është ky: “Kurum” mbledh skrap me fatura false, me fatura të njëjta dhe pa fatura fare. Shteti e di, por e lejon këtë krim ekonomik-financiar! Çfarë ndodh? “Kurum” ka një qendër depozite grumbullim-copëzim skrapi në Durrës, të cilën shteti shqiptar ia shiti “Kurum” duke falimentuar e nxjerr jashtë loje ish-Kantierin Detar të riparimit të anijeve, me koncesionar shtetin shqiptar dhe firmën polake “Gdansk-Durrës sh.a”. Përditë në këtë qendër, madje edhe këto dy muaj që “Kurum” është bllokuar si aktivitet, në Durrës dhe në rrethe të ndryshme si Tirana, Durrësi, Korça, Fieri, Vlora, Shkodra, Gjirokastra etj., ngarkohen automjete me skrap dhe nisen drejt Elbasanit. Normalisht, sipas vendimit të bllokimit nuk duhet të lejohen të çojnë skrap në “Kurum” në Elbasan. Por lejohen nga Policia e Shtetit dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Shfrytëzimit të Mjeteve të Transportit. Se si “qepen letrat” e firmës “Kurum” për fshehje lënde të parë prodhimi dhe për rimbursim fiktiv me vlerën 20% nga shteti shqiptar me fautra false, për sasi skrapi që nuk i kanë blerë, do flasim konkretisht në numrat në vijim, madje edhe me dëshmi e letra konkrete. “Magjia” e “fallxhores” me emrin “Kurum” kalon edhe përrallat e 1000 e një netëve dhe rezulton kështu: Sipas burimeve nga drejtoria e Tatimeve në Elbasan, rezulton se me 1.2 milionë ton skrap që është furnizuar në 1 vit, ka prodhuar 1.5 milion ton hekur e çelik në vit! Nuk e themi ne, por e thotë vetë “Kurum”, me deklarimin që i ka bërë bilancit të saj prodhues vjetor në tatime, kur jep këto shifra: Prodhim 810 mijë ton hekuri për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 680 mijë ton, prodhim çeliku të lëngshëm. Ndërsa me letra të tjera, ka përfituar 2 herë më tepër rimbursim se vlera e shtuar e mallit që ka përdorur dhe që ka prodhuar e shitur! Kuptohet se sa përqind është raporti i firos së skrapit, përpara se të futet në furrat e shkrirjes nga seleksionimi prej përbërësve të tjerë jo metalik dhe gjatë procesit të shkrirjes!
“Kurum” firmosi 26 milionë euro fatura fiktive të “bandës” së “TVSH-skrapit
Firma “Kurum” ka shpëtuar nga “furra” e akuzës për krimin zbuluar në 12 dhjetor 2014, bërë me faturat false të firmosura për rimbursimin fiktiv të TVSH për skrapin që përdorte “Kurum”, me vlerë abuzimi 26 milionë euro, për të cilin edhe pse “Kurum” nuk merrte asnjë gramë skrap, lëshonte fatura rimbursimi shit-blerjeje skrapi, për disa firma grumbullimi e tregtimi me të cilat bashkëpunonte në këtë krim! Sa për konkretizim, “linja” e mashtrimit me TVSH e skrapit funksiononte kështu: subjekte të biznesit të mesëm, sasitë e skrapit i siguronin me blerje nga pika grumbullimi, nga sasitë që siguroheshin prej fitimit të tenderëve të skrapit prej subjekteve që rezultonin të regjistruar në QKR e tatime, si grumbullues e shitës skrapi. Por këto subjekte, ishin të regjistruar fiktivisht, sa për të krijuar mundësinë e sigurimit të blloqeve me fatura tatimore dhe i lëshonin këto fatura po fiktivisht, për efekt rimbursimi fals të 20% TVSH. Blerës fiktivë, pajiseshin me fatura fiktive blerje skrapi me TVSH, por pa shitur e pa blerë… as 1 gram skrap! Dhe TVSH-ja zhvatej rregullisht e zinxhir prej 15 vitesh, nga të gjithë palët e kësaj loje, duke e çuar vjedhjen në 26 milionë euro. Për këtë vjedhje, sipas organit të akuzës, janë proceduar 14 individë dhe 9 subjekte, si dhe 60 individë të tjerë janë ende në proces hetimi. Ne u njohëm me emrat e individëve dhe subjekteve të hetuar e proceduar, por mes tyre nuk gjetëm emrin “KURUM” që duhej të ishte në krye të listës së të akuzuarve të këtij krimi ekonomik-financiar. Tashmë, rezulton se “Kurum”, nuk figuron as në dosjen e “TVSH-skrapit”!
“Kurum”, 50 ditë pas skualifikimit u shpall fituese e koncesionit “Rot” të rafinerisë së Cërrikut?
Sipas dokumenteve zyrtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (KVO), u shpall tenderi për “Dhënie me koncesion e formës ROT të rafinerisë së naftës Cërrik, Elbasan. Pas hapjes së ofertave, ku konkurronte edhe kompania “Kurum”, fitues u shpall konsorciumi i shoqërive “DAST” sha. Durrës, “DELTA” sha Durrës dhe “S.T.N.P.M” shpk Tiranë, duke shpallur të skualifikuar firmën “Kurum”, për mos plotësim kriteresh për të fituar koncesionin e Rafinerisë së Naftës në Cërrik. Me VKM Nr. 54, datë 23.1.2013, qeveria shqiptare miratoi bonusin prej 3 pikësh për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa kërkuar) për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, në favor të konsorciumit të shoqërive “DAST” sha. Durrës, “DELTA” sha Durrës dhe “S.T.N.P.M” shpk Tiranë. Por vetëm 50 ditë më pas, me një vendim i Komisionit të Prokurimit Publik, anulon vendimin dhe shpall fitues kompaninë “Kurum”, duke konsideruar “”lapsus” të dhënat e rreme që kishte paraqitur në dosje firma “Kurum”. Nuk e dimë nëse “Kurum” e ka “lyer rrotën” dhe ku e sa e ka “lyer”, por po publikojmë të plotë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, me Nr. 389/6 Prot, të dtaës 27. 05. 2013, vendim i cili e shpall kompaninë “Kurum” fitues ndërkohë që me argumentet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të Ministrisë Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ishte shpallur zyrtarisht i skualifikuar për të dhëna të rreme dhe mungesë të dhënash për të përballur këtë koncesion. 
Shteti i fali “Kurum”-it 840 milionë lekë gjoba vetëm në vitin… 2014
Siç dihet, kompania “Kurum” është gjobitur dy herë nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) për aktivitet shkrirës e përpunues të hidrokarbureve pa certifikatë prodhimi, pa asnjë të dhënë, dhe sipas verifikimeve në shkelje të plotë të parametrave teknik e mjedisorë. Eshtë gjobitur edhe nga Ministria e Mjedisit, nga Drejtoria e Tatim-Taksave dhe doganave. Por çuditërisht nuk ka paguar asnjë gjobë. Madje edhe “gjysmë” gjobe që iu rrëmbye nga Drejtoria e Doganave në Elbasan, kompania “Kurum”, me “avokatinë” klienteliste të “duarve të pista” të shtetit shqiptar e çoi çështjen për ta rrëzuar në Gjykatën e Lartë, për ta finalizuar në favor të firmës “Kurum”, çështje e cila ka numrin Nr. 31003-01003-00-2009 të Regjistrit Themeltar, me Nr. 00-2014-485 të Vendimit (48), zhvilluar në seancën gjyqësore të datës 28.01.2014. Është një gjyq, që “Kurum” e ka hapur me “bekimin” e mbrojtësve të tij brenda “kullës” së shtetit shqiptar, për të mos paguar gjobën e vendosur nga Dega e Doganës Elbasan, në datën 10 tetor 2013, për shkelje të konstatuara gjatë kontrollit të magazinës doganore të kompanisë “Kurum Internacional”, për fshehje të produktit hekur e çelik, duke e gjobitur në vlerën 66 milionë, 694 mijë e 408 lekë detyrim doganor të munguar (fshehur) si dhe 259 milionë, 653 mijë e 856 lekë penalitete ligjore, për abuzimin e bërë si ndëshkim tatimor, ose gjithsej me 326 milionë, 348 mijë e 264 lekë gjobë, baras me 2.3 milionë euro. Ka edhe gjoba në vlera të mëdha, të cilat “Kurum” nuk i ka paguar e madje i janë falur prej shtetit. Gazeta “Telegraf”, po publikon disa nga 84 gjobat që ka pa shlyer “Kurum”, 72 prej të cilave nuk i ka paguar, duke mos iu kërkuar nga shteti shqiptar, ose duke iu falur. Po flasim konkretisht. “Kurum” është gjobitur nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) me 7 milionë lekë në datën 2 prill 2014, me nr. gjobe 118, mbasi ushtron aktivitet pa certifikatë prodhimi për të dhënat e pikës së flakërimit në shkrirje, për të dhënat e përqindjes së squfurit, për pikën e flakërimit minimal për përqindjen maksimale të përqindjes së squfurit, për mos matje të tyre për shkak të mungesës së aparateve matës teknologjik. Po në datën 20 gusht 2014, me gjobë nr. 5616 “Kurum” është gjobitur përsëri nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) në vlerën 100 milionë e 66 mijë lekë, për të njëjta shkaqe si në gjobën e datës 2 prill 2014. por nuk i ka paguar këto gjoba, duke iu zhdukur edhe “”letrat”nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT)! 
Krimi ekonomik-financiar i shitjes së 4 HEC-ve në favor të “Kurum”
Privatizimi nga “Kurum” i 4 hidrocentraleve Ulёz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, duhet anuluar e ndëshkuar urgjentisht. Asnjёherё nuk ёshtё vonё, pёr tё ndëshkuar një krim me pasoja kombëtare. Privatizimi i kёtyre hidrocentraleve nuk ёshtё njё operacion politiko-financiar i dobishёm pёr buxhetin e shtetit, pёr ekonominё e vendit dhe pёr tё gjithё shqiptarёt. Pa kёto hidrocentrale prodhimi publik i energjisё elektrike nё vend është zvogёluar me 500 milionё kwh nё vit. KESH sha, çdo vit importon ose blen nga prodhuesit privatё (tё energjisё elektrike) njё sasi energjie elektrike 1.5 deri nё 2.5 miliardё kwh nё vit. Me shitjen/privatizimin e kёtyre hidrocentraleve kjo sasi do tё rritet edhe rreth me 0.5 miliardё këh nё vit ose 1.2 deri nё 1.33 herё mё shumё ndaj sasisё tё energjisё elektrike qё blihet/importohet pa kryer kёtё privatizim. Nё kushtet kur prej vitesh Sistemi Elektrik Shqiptar ёshtё mbёrthyer nga njё krizё financiare (e cila do tё vazhdoj gjatё!), burimet financiare pёr tё pёrballuar kёtё blerje/import tё energjisё elektrike janё pёrballuar nga Buxheti i Shtetit, siç ka ndodhur edhe nё vitin 2012. Pёr tё blerё kёtё energji elektrike shtesё, buxheti i shtetit do tё paguaj mё shumё 30 milionë euro çdo vit, duke filluar që nga viti 2013 dhe do tё ndodh kёshtu, pёr shumё vite tё tjerё. Qeveria arkёtoi 110 milionё euro nga privatizimi i kёtyre hidrocentraleve dhe nё rastin mё tё mirё pёr 44 muaj do ta nxjerr/paguaj kёtё shumё eurosh prej Buxhetit tё Shtetit. Buxheti i shtetit dhe shqiptarёt, po paguajnё njё humbje prej 30 milionё euro vit pёr vit, vetёm sepse firmës mafioze “Kurum” iu shitën (iu falën) kёta 4 hidrocentrale. 
Raporti i KLSH: 21 muaj pas privatizimit, KESH ka financiar “Kurum” me 853 milionë lekë investime për HEC-et Ulzë-Shkopet 
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të Programit të Auditimit Nr. 106/1 Prot., datë 13.02.2015, ka ushtruar auditim në “KESH-sha”, për projektin “Fuqizimi i programit të sigurisë së digave, që synonte përmirësimin e eficencës operative të digave për HEC-et e Fierzës, Komanit, Vau-Dejë, Ulzë e Shkopet, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë në furnizimin me energji në tregun rajonal. Ky projekt, i iniciuar që në vitin 2006 është bërë efektiv në shkurt të vitit 2008, si një bashkë-financim i Qeverisë Shqiptare, Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Këshillit Federal Zviceran (SECO). Nga auditimi i KLSH-së, u konstatuan një sërë problematikash dhe shkeljesh të kryera nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projektit në KESH sha, si më poshtë: Në muajin Mars 2013 (gjatë periudhës së implementimit të projektit), HEC-et Ulzë e Shkopet, të ndërtuara në lumin Mat, u privatizuan duke i kaluar një kompanie private 100% të aksioneve, të cilat më parë zotëroheshin nga Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjisë. Nga auditimi i rregullshmërisë dhe ligjshmërisë së pagesave të bëra nga fondet e donatorëve, rezultoi se nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), deri më datë 31.12. 2014, ishin kryer një sërë pagesash për blerje pajisjesh dhe instalime në favor të HEC-it të Ulzë-së dhe Shkopet-it, të cilat në vlerë totale shkonin në 85,396,083 lekë. Më konkretisht, për HEC-in e Ulzës ishin paguar gjithsej 67,990,573 lekë (31,996,511 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 35,994,062 lekë për instalime), ndërsa për HEC-in e Shkopet ishin paguar gjithsej 17,405,510 lekë (8,609,873 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 8,795,637 lekë për instalime).
Sigal