“Kurum” mbledh skrap dhe merr kredi bankare 134 milionë euro pas falimentimit, shteti hesht!

850
Nuk ka mundësi, që një firmë si “Kurum” e cila, prej 23 vitesh “”bashkë me hekurin, çelikun, gëlqeren, oksigjenin dhe nënproduktet e përpunuara të hidrokarbureve, të prodhojë edhe skandale e të rënda financiare me financat e shtetit dhe të mos preket nga ligji! Ajo që çudit, por që tashmë është fakt që njihet e që nuk çudit as ligjin, as shtetin, as drejtësinë, ka lidhje me faktin e rëndë e të turpshëm që “Kurum” vazhdon të ushtroj veprimtari antiligjore në Shqipëri. Vendimi për bllokimin e aktivitetit të “Kurum”, nuk po zbatohet nga “Kurum” dhe nuk po detyrohet zbatimi i tij nga shteti. Në datën 10 prill 2015, shteti i vendosi “kyçin” portës së kompanisë “Kurum”, për të mos ushtruar asnjë aktivitet deri në plotësim të detyrimeve mjedisore, me afat datën 20 maj 2015. Kjo kompani nuk i ka përmbushur 4 detyrimet, mes të cilëve edhe pagesën e gjobës në vlerën 10 milionë lekë. Përditë, në portën e “Kurum” futen 15-20 makina ngarkuara me skrap, pa llogaritur qindra kamionçina e karroca, të cilat shkarkojnë skrap në “malet” e skrapit brenda mjediseve të “Kurum”, ku si vend depozite përdoret ana e lumit Shkumbin, që përshkon gjatësinë territorit të firmës “Kurum”. Sipas vendimit të bllokimit, kjo firmë nuk duhet të ushtroj asnjë lloj aktiviteti që ka lidhje me hekurin, madje as grumbullim skrapi. Kujtojmë, që një nga 3 motivet e bllokimit është edhe hedhja e skorjes së skrapit në bregun e lumit Shkumbin dhe shpërndarja e pluhurit të skorjes në mjedis të hapur gjatë përpunimit, me rreze vijë ajrore 20 kilometër. Një fakt: në datën 9 mars 2015, pas kontrollit të ushtruar, rezulton se “Kurum” nxjerr si mbetje skrapi (materiale kancerogjene) afro 50 mijë tonë skorje skrapi në vit, si dhe shpërndan çdo vit mbi 100 mijë m3 shtëllunga tymrash helmues nga shkrirja e metaleve dhe pluhura me përbërje të oksidit të zinkut e plumbit nga përpunimi i skrapit, pa llogaritur afro 600 tonë mbetje plastike në vit, të cilat gjatë shirave rrëmbehen nga rrjedha e lumit Shkumbin e përfundojnë në degëzime lumenjsh të tjerë e deri në det. Saktësojmë, që mali i mbetjeve të skorjeve të skrapit buzë lumit Shkumbin në kufirin me “Kurum” është 230 metër gjerësi dhe 24 metër lartësi, ose sa një pallat me 10 kate!
“Kurum”, pas falimentimit ka marrë 134 milionë euro kredi në banka 
Po e nisim me një fakt: Dy vite më parë, drejtuesi doganor i anti-kontrabandës Denion Mejdani, në ushtrim të detyrës dhe në zbatim të ligjit, bllokoi sasi të mëdha hekuri e çeliqesh pa ftura dhe me fatura fallto në magazina. Pas këtij bllokimi, në vend që të ndëshkohej dhe penalizohej “Kurum”, u shkarkua nga detyra dhe u hoq nga shërbimi doganor zyrtari që zbuloi këtë veprim kontrabandë. Kujtojmë gjithashtu, që qeverisja “Rilindja”, pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, nuk i riktheu 4 HEC-et që “Kurum” i bleu me afera korruptive, me çmim “5 lekë” dhe që i shleu jo me lekë në dorë, por me “shkëmbim borxhesh”, të sajuara sikur gjoja shtetit shqiptar i kishte firmës “Kurum” me pagesën TVSH, sajuar prej shefash të lartë të ish-pushtetit që kanë “hise” brenda pasurive e llogarive të “Kurum”. Edhe pse procesi i falimentit nuk ka marrë formë të prerë, kanë nisur më në fund sekuestrimet ndaj kompanisë piramidale “Kurum” e cila shpalli falimentin në 6 shkurt 2016, duke e thelluar absurditetin e saj, pasi ka vijuar të marrë kredi në bankat tona edhe në muajt e fundit të aktivitetit. Burime zyrtare, deklaruan se “Kurum” ka firmosur një kontratë kredimarrje me NBG-Bank, e cila është lidhur në tetor të vitit 2015 edhe pse kjo kompani e import-shkrirjes së skrapit, prodhimit të hekur-çelikut, gëlqeres dhe energjisë elektrike kishte shpallur falimentin për gjoja “efekt të ristrukturimit”.

 Por më në fund, kanë nisur dhe kërkesat për sekuestrim nga kreditorët, ku e para është NBG-Bank. Prej dy ditësh është shoqëria përmbaruese “TDR-Group” e cila ka depozituar në QKR kërkesën për vendosjen e “masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga kompania “Kurum-International” për llogari të NBG-Bank”. Fjala është për një kontratë kredie bankare të datës 8.10.2015, e firmosur në NBG-Bank. Shoqëria përmbaruese “TDR-Group”, tha se “ndaj debitorit KURUM dhe dorëzanësve Hasmet Debii Kurum dhe Kurum Holding-SA, duhen kryer në mënyrë të menjëhershme, të gjitha veprimet procedurale të cilat bëjnë të mundur ekzekutimin e detyrimit, ne kemi urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative për KURUM-International, Hasmet Debii Kurum dhe shoqërisë “mëmë” në Turqi “Kurum Holding SA”. Kurum, kompania e pestë më e madhe në vend, sipas xhiros dhe eksportuesi i dytë më i madh, në mënyrë të papritur ka shpallur falimentin në gjykatë për efekt ristrukturimi në 6 shkurt 2016. Në bilancin e vitit 2014, “Kurum” ka raportuar se “kreditë afatgjata janë rreth 15.3 miliardë lekë, apo rreth 111 milionë euro, por nuk specifikohet se ndaj kujt është ky detyrim financiar”. Por pjesa më e madhe e kësaj huaje i përket institucioneve ndërkombëtar, pasi edhe banka më e madhe në Shqipëri nuk mund të japë më shumë se 30 milionë euro për një klient të vetëm, sipas rregullores së bankës.

 Pra një bankë nuk mund të japë më shumë se 20 për qind të kapitalit për një klient. Kompania “Kurum”, ka raportuar edhe për një hua afatshkurtër prej 3.2 miliardë lekësh apo rreth 23 milionë euro, që sipas shpjegimeve në bilanc janë “Overdraft” në banka të ndryshme, duke e çuar në total, në rreth 134 milionë euro totalin e huave afatshkurta dhe afatgjata. Kompania KURUM ka dhe llogari të pagueshme ndaj të tretëve në shumën e rreth 17.3 miliardë lekëve ose 125 milionë euro. Deri në fund të vitit 2014, KURUM renditej në operatorin e pestë më të madh sipas xhiros në vend, me një qarkullim vjetor 28 miliardë lekë, me rritje me bazë vjetore 16 për qind, si rrjedhojë e përfshirjes në aktivitetin e energjisë përmes blerjes së katër hidrocentraleve në fund të 2013-s, Bistrica 1,2, Ulëz dhe Shkopet me fuqi totale të instaluar 76.7 MË. Kompania KURUM ishte gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh në vend në 2014, me shitje jashtë vendit prej 13.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 16 për qind. Gjithashtu KURUM , radhitej në 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimit, ku ishte e 55-a, pas një rënie të ndjeshme të këtij treguesi në 309 milionë lekë nga 2.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm. “Dyllosja” për borxhe, i është bërë edhe në dy uzinat e përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik që janë pronë e “Kurum”, gjë e cila ka lënë pa punë mbi 220 punëtorë prej afro 1 muaji. Veprimet zyrtare procedurale ndaj “Kurum” do të vazhdojnë me ritme të shpejta dhe pa asnjë ditë ndërprerje, ndërkohë nuk dihet fati i uzinave dhe punonjësve të flakur në rrugë. Ndërsa shteti, si gjithmonë hesht edhe në rastin e “Kurum”!
———————————–
Çudia

Zhvatën 26 milionë euro TVSH skrapi me fatura fallco, gjobiten… 10.5 milionë lekë!
1. Firma “Aleksi&Ajsi” shpk, gjobë 1. 500. 000 lekë.
2. Firma “Hoxha” shpk, gjobë 1.500. 000 lekë.
3. Firma “Xhois Group” shpk, gjobë 1. 500. 000 lekë
4. Firma “Rei 2012” shpk, me gjobë 1. 500. 000 lekë.
5. Firma “Franko 94” shpk, gjobë 1. 500. 000 lekë.
6. Firma “Silealb” shpk, me gjobë 1. 500. 000 lekë
7. Firma “Prokat” shpk, me gjobë 1. 500. 000 lekë
Aldion SUKA
Sigal