Kur Fan Noli i numëroi “të palarat” Ahmet Zogut

1820
Fjalimi më domethënës dhe debati i panjohur në Parlamentin e parë shqiptar, mes Fan Nolit dhe mbretit të ardhshëm, Ahmet Zogut.
Fan Noli është nga ato figura sa komplekse aq edhe të thjeshta, që me një fjalë mund të kuptosh shumë ose vetëm një gjë, varet nga mënyra sesi e merr në moment. Ngjarjet e mëdha që kanë shënjuar vitet ’20 kanë pasur shpeshherë protagonist kryesor edhe politikanin, shkrimtarin, realistin Fan Noli. Kjo është një pjesë nga debati parlamentar, kur Fan Noli jepte dorëheqjen si ministër i Jashtëm, duke mbajtur edhe fjalim brilant, si edhe debatet që pasuan pastaj në Parlament. 

“Është e vërtetë që ndodhesha në Tiranë kur u votua ligji i intermimit të fëmijëve të dezertorëve, por nuk isha në Parlament, as mora pjesë në bisedime. Veç kësaj, nga njëra anë, Guverna jonë e zbatoi këtë ligj me një shtojcë, të dekretuar prej kabinetit, pasi kisha dhënë dorëheqjen dhe, nga ana tjetër, unë nuk e atakova guvernën aq për internimin e fëmijëve të dezertorëve, se sa për internimet politike pa ndonjë faj e pa ndonjë bazë në Toskëri, ku s’kishte asnjë shenjë për lëvizje kryengritëse. Ja disa shembuj midis të tjerash. Disa familje nga Bilishti, nga Hoçishti e nga Leskoviku u internuan me gra e me çiliminj e u munduan më kot e pa arsye larg vatrave të tyre për disa muaj. Sa për sigurinë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë dhe veçanërisht në malësi, më vjen keq t’i përsëris ministrit të Punëve të Brendshme, që kam shumë dyshime. Shembulli i tregtarit të thëngjillit për të cilin fola më parë është tipik për mungesën e sigurisë nën këtë guvernë. Ky tregtar ka punuar në Gurëz e në Breg të Matit njëzet vjet me radhë, përpara Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës së Përgjithshme, në kohën e operacioneve të ndryshme, dhe në kohën e të gjithë kabineteve tonë të mëparshëm. Po në kohën e këtij kabineti, pasi e pësoi atë që iu tregova më parë, dmth pasi u plagos prej një vrasësi ku udhëtonte i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë e prej një zyrtari të shtetit, tani ndodhet në kryeqytet e nuk guxon të kthehet në malësi për të shikuar punët e tij. Ministri i Punëve të Brendshme na bëri dy shaka kur u qa, se po e kritikojmë që çarmatosi popullin e shtypi kryengritjen. Nuk e atakova se çarmatosi popullin, por i hoqa vërejtjen mbi faktin që çarmatosja materiale nuk arrin për të prerë kryengritjet, pa çarmatosjen morale. Që ta them më të shkoqur, nuk arrin t’i marrësh armët një njeriu e ta bësh mik e të sigurohesh nga pusitë e tij, para se të pajtohesh me të thellësisht. Nuk e atakova guvernën, se shtypi kryengritjen, por se nuk e parashikoi, se nuk kishte marrë masa për të mbrojtur kryeqytetin, se mori në qafë me qindra njerëz krejt të pafajshëm e se armiqësoi popullin e Shqipërisë së Mesme pa shpresë pajtimi kush e di për sa vjet. Ministrit të Luftës kam për t’i thënë se për veshjen e ushtarëve, nuk jemi të verbër, ne i shohim qysh janë të veshur ata ushtarë që ndodhen në kryeqytet, e që e marrim me mend ,sa më ligsht janë veshur ata që ndodhen në provincë. Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që rroga e oficerit tonë është e vogël e që s’u mbetka tjetër shpërblim përveç gradimit. Përkundrazi, rrogat e oficerëve tanë janë më të mira se në Itali e më të mira se kudo në Ballkan e në Evropën Qendrore. Sa për çështjen e shqiptarëve të Izmirit, është e vërtetë që isha ministër i Punëve të Jashtme kur bisedohej kjo çështje, po unë e lashë ndryshe dhe u mbarua fare ndryshe. Ja me pak fjalë historia e kësaj çështjeje, një nga paraardhësit e mi i kishte kërkuar qeverisë italiane mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, atje ku nuk kemi përfaqësues e as konsull dhe, veçanërisht në Izmir. Guverna italiane e pranoi me gëzim këtë barrë dhe i kërkoi guvernës sonë hollësi mbi pasaportat dhe mbi taksat konsullore. Në një përgjigje të dhënë prej meje, e falënderonim qeverinë italiane për këtë lehtësi. Konflikti u rreptësua dhe kapërceu cakun e marrëveshjes, kur u vendos të shkoja në konferencën e Gjenovës. Unë isha i mendjes që s’duhej bërë asnjë emërim pa pëlqimin tim nga njëra anë, dhe që, nga ana tjetër, duhej të pyetesha për çdo çështje të jashtme me rëndësi, para se të jepej një vendim. Kryeministri, i cili duhej të bëhej zëvendës i punëve të jashtme ishte i mendjes që mund të bënte çdo veprim dhe emërim në degën e jashtme pa më pyetur fare, sa kohë ndodhesha jashtë Tiranës. Kur i tërhoqa vërejtjen që unë do të shtrëngohesha të jepja dorëheqjen, sapo të bëhej ndonjë emërim apo veprim pa pëlqimin tim, Kryeministri më tha se mund ta jepja dorëheqjen. Duke parë se kolegët e mi, të gjithë pa përjashtim, pëlqenin pikëpamjen e Kryeministrit, e dhashë dorëheqjen time që atë minutë, i gëzuar që s’isha i nevojshëm për plotësimin e kabinetit. Kur Këshilli i Lartë na e ktheu buxhetin me vërejtjen e arsyeshme se qysh kishte ndër mend guverna na mbulonte deficitin prej më shumë se dhjetë milionë franga ar, atëherë e gjeta rastin t’u them kolegëve të mi që Këshilli i Lartë kishte të drejtë të mos aprovonte një buxhet të çalë dhe shkela (ngula) këmbë që buxheti të balancohej duke zbritur të prishurat sipas të ardhurave të shtetit. Asnjë nga kolegët e mi s’u bashkua me mendimin tim dhe kryeministri e shtrëngoi Këshillin e Lartë të aprovojë buxhetin me një deficit prej më tepër se dhjetë milion franga ar, pa ndonjë projekt se si do te mbulohej ky defiçit. Shkela këmbë që në krye të thirren me një herë organizatorë të huaj për ministri të ndryshme. Vendimi u dha, por unë vura re që kolegët e mi s’kishin dëshirë dhe as nxitim që ky vendim të vihej në veprim. Provën e kini përpara sysh. Guverna jonë s’ka sjellë asnjë organizator veç organizatorit austriak të ushtrisë, i cili rastisi të ndodhej këtu dhe të cilin guverna jonë s’e ka lënë të bëjë asnjë organizim. Tani, zoti Kryetar, nemni leje të bëj disa vërejtje mbi aluzionet e bukura dhe të holla të zotit Sejfi Vllamasi për sëmundjen time misterioze e për gishtin e jashtëm si dhe për aluzionin e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili disa ditë më parë na cilësoi zotin Gurakuqi dhe mua si mbrojtës të Mustafa Krujës. Ju pyes ju, kujt u drejtohen insinuata dhe këto aluzione? Atyre që kanë vite e vite që punojnë për çështjen e Shqipërisë? A është nevoja të mbrohemi kundër këtyre insinuatave?

AHMET ZOGU: Davaja e Emzotit është më tepër si mbrojtje për veten e tij për dorëheqjen që ka dhënë, se sa një protestë kundër qeverisë. Sa për çështjen e buxhetit, për të cilën flet zotëria e tij nuk dua të jap përgjigje e këtë pikë ia lë zotit Kryeministër.

KRYEMINISTRI: Me gjithë që fjalët e Emzot Nolit nuk janë të drejta për shka kam edhe dëshmitarë, nuk dua të jap përgjigje. Nuk ishte nobel për zotërinë e tij të jepte dorëheqjen në një kohë aq kritike nëpër rrugë…

EMZOT FAN NOLI: Me sa e dinit ju, se është kohë anormale, pse zoti ministër i Brendshëm na siguronte se nuk ka farë frikë. Pra, për mua nuk ishte kohë anormale.

AHMET ZOGU: Sa për fjalët që kam thënë se çuditem se si zoti Gurakuqi dhe Emzot Fan Noli i dalin zot tradhëtarëve, kjo nuk do me thënë se ata janë tradhëtarë. Dhe i nderoj shumë si atdhetarë të mirë, por me gjithë këtë çuditem. Sa për fjalët që tha Emzoti se ne jemi çirakët e ustallarëve, dua t’i përgjigjem në një mënyrë, duke kërkuar prej zotërisë së tij që mos t’i marrë për keq. Zotëria e tij është një orator shumë i mirë, por përdor pak fjalë hovarda, që në gjuhën gjermane d m th spitzbube. Vimë tani në çështjen e Gurzit. Në Gurëz është një pyll shumë i madh, në atë pyll u shti një pushkë dhe u plagos një njeri, siç tha zotëria e tij. Zotëri, ç’mundet të bëjë qeveria pse në pyll shtihet një pushkë? Sot një javë, kur erdhën disa deputetë për t’u ankuar për këtë çështje, qeveria dha urdhra të rrepta për këtë punë.

Bëhen dhjetë minuta pushim, pas dhjetë minutash mbledhja mbështillet prapë.

STAVRO VINJAU: Mbi fjalët e zotit ministër të Drejtësisë, kemi për të thënë se nuk është e vërtetë ajo që thotë zotëria e tij, se gjykatësit kundërshtuan, të lëshojnë punën e tyre, edhe prandaj ajo ministri u detyrua t’i kërrente prej krahu me policë. E vërteta është se me tërë veprimet e saj, ashtu edhe me këtë vepër, ajo shkeli ligjin….

(Bazuar tek libri “Debat parlamentar para një shekulli” me autor Filip Rrumbullakun, marrë nga Albanian Montreal Press )
Sigal