Kultivim kanabisi dhe shitje të narkotikëve, dy të rinj bien në prangat e policisë në Rubik dhe Lezhë

52
Sigal

Dy persona janë arrestuar sot në flagrancë në Rubik dhe Lezhë, ku shtetasi Paulin Gjergji ra në pranga për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe Edison Daja për “Prodhim dhe shitje të narkotikeve”.

Njoftimi i plotë

Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun Lezhë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Gjithashtu, goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, vihet në pranga 1 shtetas.

Shërbimet e Policisë Mirditë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit, në Rubik, Mirditë.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin P. Gj., 30 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë, pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa në vendin e quajtur “Përroi i Nërshenës”, në Rubik, Mirditë.

– Shërbimet e Policisë Lezhë kishin siguruar informacione në rrugë operative, për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla, në Shëngjin, Lezhë. Pas lokalizimit dhe ndalimit, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 17 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një sasi lekësh të dyshuar të përftuar nga ky aktivitet kriminal.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 22 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.