Kukës, ndërtohet pika e grumbullimit, Rama: Mundësi reale për të gjithë

524
Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në qytetin e Kukësit vizitoi një pikë grumbullimi të ndërtuar aty ku 6 muaj më parë ishte një ngrehinë e rrënuar. Në 2 maj të këtij viti Kryeministri Rama ishte shprehur në një godinë në Kukës se, “ne sot dorëzojmë këtë kontratë, që kjo skutë e errët ku bëhet një luftë e përditshme, me një vështirësi të jashtëzakonshme, për të jetuar me një punë të ndershme, të kthehet në një magazinë grumbullimi model dhe t’i shërbejë të gjithë qarkut.” Me këto fjalë dhe këtë bindje, në 2 maj 2015, Kryeministri Edi Rama do t’i dorëzonte Destan Hallaçit, fermerit në fushën e grumbullimit të bimëve mjekësore në Kukës, kontratën e përfitimit të grantit të financimit nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR). 

Sot, Kryeministri Rama u rikthye në Kukës dhe në vetëm 6 muaj, gjeti aty një magazinë të re e moderne. Me mbështetjen e qeverisë përmes AZHBR fermeri bëri të mundur shndërrimin e një ngrehine të rrënuar në një pikë funksionale të grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore. Ai thotë se falë kësaj ndihme ka zgjidhur një problem që i vështirësonte funksionimin normal të biznesit të tij, ruajtjen e bimëve mjekësore në të gjitha sezonet, por kjo i ka krijuar kushtet edhe për zgjerimin e aktivitetit. Ka dyfishuar kapacitet grumbulluese dhe si rezultat, edhe përfshirjen në mënyrë direkte dhe indirekte fermerëve të këtij rajoni në mbjelljen e bimëve mjekësore, rreth 1000 vetë. Me fermerët do të lidhen kontrata për dorëzimin e bimëve dhe kjo, sipas sipërmarrësit, do të rigjallërojë kultivimin e bimëve mjekësore në këtë rajon, që si specialitet të tij ka kultivimin e tyre. Përveç tregut vendas, bimët e përpunuara kanë si destinacion edhe tregjet europiane.

“Do të shtojmë kapacitetet e grumbullimit dhe do të bëjmë edhe kontratat e punës me partnerët eksportues dhe jemi gati të ndërmarrim hapat edhe për eksport,” u shpreh fermeri. “Jemi të vetëdijshëm që ky investim nuk është vetëm për fermerin, Destanin, por sigurisht është për të gjithë fermerët e zonës, të cilët specialitetin kryesor kanë grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore”, u shpreh Suela Popa, drejtore e AZHBR-së. Një mundësi reale për të gjithë fermerët e zonës, por dhe model për nxitjen në të ardhmen të investimeve të ngjashme, e vlerësoi Kryeministri këtë investim që krijon punësim në një zonë me problematikë të njohur punësimi. Është krijuar me buxhetin e ri Fondi Kombëtar i Garancisë për Bujqësinë. Përmes këtij organizmi shteti do të marrë përsipër që të garantojë kreditimin me kushte të favorshme të të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë në fshat, që duan të investojnë për punësimin në fshat, që duan që të kalojnë nga mbijetesa në zhvillim. Janë 300 milionë euro që qeveria ka negociuar me bankat, të cilat janë në dispozicion për të mbështetur projekte të fermerëve, të sipërmarrësve, të të rinjve që kanë kanë dëshirë të orjentohen drejt sektorit bujqësor.
Me Fondin e Garancisë të qeverisë prej 300 milionë euro, duke filluar nga viti i ardhshëm do të mbështeten të gjithë ata që duan dhe kanë plane të qarta biznesi për të investuar për të rritur kapacitetet e prodhimit, punësimit dhe eksportit. “Është një ndërmarrje që do të sjellë punësim në një zonë që ne e dimë shumë mirë që e ka problem shumë shqetësues papunësinë. Nga ana tjetër është një model për të nxitur edhe të tjerët, pasi tanimë është një mbështetje që, duke filluar nga viti i ardhshëm, është në potencialin e rreth 300 milionë eurove brenda 3 viteve. Me mbështetjen e qeverisë dhe me garancinë e qeverisë, bankat do të mbështesin fuqimisht sektorin e bujqësisë për zhvillimin e fuqisë prodhuese,” u shpreh Kryeministri. Kjo sipërmarrje në Kukës është vetëm një nga shembujt e efekteve që po japin për sipërmarrjet bujqësore politikat mbështetëse dhe fondet grant të qeverisë, në rritjen e kapaciteteve, të eksportit dhe të punësimit përmes përfshirjes në zinxhirin e vlerës të një numri të madh fermerësh.
Sigal