– Kemi dalë me bukë në trastë, për të kërkuar e lypur nxënës gjithandej
Kujtim Dashi
Pyes një shokun tim në shkollën tekniko-profesionale “Enver Qiraxhi” të Pogradecit, me një shenjë “në latë” nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla, pasi kohë më parë pat “zbuluar” fiktivitet të lartë në rregjistrimet dhe frekuentimin e rregullt të nxënësve në shkollë, më saktë nga 480 të regjistruar, e frekuentonin 100.
– Filluat vitin e ri, apo jo?
– Filluam, o byrazer, filluam…Kemi dalë me bukë në trastë, për të kërkuar e lypur nxënës gjithandej.
– Po pse?
– Ma kollaj blen vota te ne, se siguron nxënës për shkollën tonë profesionale!
– VEÇ TË JESH JETIM, OSE ALIEN, PA KURRFARË NDIHME E PËRKRAHJE ATËHERË PËRFITON SUBVENCIONE PËR LIBRAT.
– A kanë subvencione nxënësit në nevojë për librat shkollorë?- pyes një shoqen e kolegen time, në një shkollë 9-vjeçare të kryeqytetit, pasi i shkëputur nga arsimi nuk di me saktësi se çfarë ngjet “nga e thëna deri tek e bëra”.
Fytyrës së saj i ra një hije mërzitije, si nënë e si mësuese, dhe tha me shpoti:
– Eh, veç të jesh jetim fare, pa askënd e pa asnjë lloj ndihme e përkrahje, ose alien më mirë të thuash, atëherë përfiton subvencione për librat nxënësi sot! Dhe derisa t’i marrësh paratë “qumështi i nënës” të del nga dokumentacioni i shumtë, që lipset plotësuar…
FLAMURI, NJERIU I DY KREDITEVE!…
Flamuri është njëri prej shokëve të afërt të byrazerit tim në Pogradec, P. Starova, ish-bashkëstudent në Shkodër. Ai ka dhe Saliun, Tomorrin etj dhe me ta rrija shpesh herë, po Flamuri “ha bukë veç” si vërdovaras (tani lagje e Pg.) me nam, me humorin e tij. Ka 2-3 vite që s’e thërras dot në mbiemër, porse Flamuri i dy krediteve.
Meseleja kishte qenë e tillë. Byrazeri im që punonte në atë kohë në DA të rrethit, i kishte thënë një ditë nëse mund të shkonte në një seminar për arsimin në Shkodër. Si, ore nuk vij, kur paska dhe para, i kishte thënë Flamuri dhe u tha u bë. I dha autobuzit plot me mësues deri në Shkodër, por hyri edhe në seminar se do të merrte paratë dhe duhej regjistruar emri e duhej të aktivizohej sadopak, që të merrte dhe kreditet e seminarit.
Andej nga fundi i seminarit, kur drejtuesi i panelit po komunikonte rezultatet, kur erdh te emri i Flamurit dhe i dha dy kredite, tha:
– Ore, se nuk je mësues ti jam duke e marrë vesh mirë, po deshta me ditë se çfarë pune bën ti në arsim atje?…
Dhe sakaq Flamuri ishte kujtuar dhe i kishte thënë se ishte mësues i punës me dru e metal në një shkollë…
NË XHEPAT E KUJT SHKOJNË PARATË E TAKSAPAGUESVE PËR LAGIEN E RRUGËVE TË QYTETIT-METROPOL TË TIRANËS?!…
Apo është “zëri i zotit” kur të vijë shiu?
Dajret a daullet përuruese të rikonstruksionit të ujësjellësit për Njësinë Nr.7, kanë pushuar, por në Rrugën e Kavajës, Naim Frashëri etj, duhet të hysh e të dalësh me kundragaz. Në qoftë se ka ende në ndonjë depo ushtrie të tjera e në gjendje pune, na bëj derman, se na mbyti pluhuri, të madh e të vogël, aq sa nuk dallojmë dot më njëri-tjetrin dhe po prenotojmë taksi për të na dërguar të SU “Shefqet Ndroqi”, Sauk. Madje nuk jam i sigurtë nëse do t’i shkoj në fund këtij shënimi.
Vite më parë, për një mandat, kam qenë nënkryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Lezhës dhe kujtoj se në strukturën e shpenzimeve për pastrimin e qytetit, një zë i rëndësishëm ishte lagia e rrugëve, dizenfektimi i qendrave të grumbullimit të plehrave etj. Miratimi i këtij zëri në strukturën e shpenzimeve kujtoj se nga këshilltarët përfaqësues a.i. të firmave gjithmonë fituese për pastrimin e qytetit në këshill, shoqërohej me nënqeshje dhe e quanin “Zëri i Zotit”, që sjell shiun dhe lum parash në xhepat e atyre që i kishin sjellë në këshill.
Në Tiranë, keni deklaruar se janë çelur 100 kantjere pune. Ju lumshin duart dhe suksese, por pyetja ime për bashkëqeverisjen (Bashkiake), është kjo:
Në xhepat e kujt shkojnë paratë e taksapaguesve për lagien e rrugëve të qytetit metropol të Tiranës?! Apo edhe tani këtu nga koha e “Lulit të Vocërr”, (Lul Bashës), është “Zëri i zotit”, kur të vijë shiu?!
Në mos kundragaz, të paktën si minatorëve etj dikur na e siguroni (pasi qumësht ka boll tani) antidodë me paratë e hajnisë nga ndonjë kile qumësht, që t’i gëzojmë edhe ca ditë këto të mira që po sjell qeverisja e juaj, e cila si të tjerët dhe tek unë, në përgjithësi gëzon respekt të veçantë.



















