Kujdes nga fishekzjarrët! Mjekët: Mund të dëmtojnë dëgjimin në mënyrë të pakthyeshme

41
Sigal

Fishekzjarrët dhe kapsollat që përdoren në ditët festive mund të na shkaktojnë dëmtim të dëgjimit.

Mjekja otorinolaringologe, Anjeza Kuçi thotë se dëmtimi në këto raste është i menjëhershëm, pasi zhurma nga plasja e tyre është tejet e lartë.

“Dëmtimi akut është në rastin e zhurmave të fuqishme që mund të jenë zhurmat plasëse, siç vijnë tani festat dhe shpesh herë në në raste festash apo në gëzime përdorim fishekzjarrët apo kapsollat të cilat japin një dëmtim të nervit të dëgjimit në mënyrë të menjëhershme dhe akute, sepse zhurma shkon mbi 120 db që është zhurma më e fuqishme”, thotë mjekja.

Më të rrezikuar janë fëmijët, të cilët përdorin kapsolla plasëse duke luajtur me shokët e tyre.

“Është një gjë shumë e rrezikshme, përgjithësisht janë të vegjlit të cilët blejnë kapsolla dhe i hedhin në tokë apo në afërsi të shokëve të tyre, ose tek njerëzit që kalojnë rrezikshmëria nuk është vetëm në faktin që ne trembemi në momentin e plasjes por rrezikshmëria është e madhe në dëmtimin e nervit të dëgjimit, të gjithë duhet ta dijë që dëmtimi i parikthyeshëm i nervit të dëgjimit është në raste e shpërthimeve të fuqishme”, shpjegon mjekja.

Mjekja apelon që në raste se fëmijët kanë problem me dëgjimin pas një shpërthimi, duhet që prindërit t’i shoqërojnë menjëherë për vizitë.

E sa i takon fishekzjarrëve në natën e ndërrimit të viteve, ekspertët sugjerojnë që të shikohen nga larg dhe mundësisht të përdoren kufje mbrojtëse për të mos dëmtuar dëgjimin.