Goro e Dhimojani, në Amerikë për të takuar George Tenet

756
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryebashkiaku i Himarës: Takim edhe me Eleni Kosta Sotiriani, kushërirën e Tenetit, avokate e Presidentit Bush

Kryetari i Qarkut të Vlorës Anesti Dhimojani dhe Kryebashkiaku i Himarës, Gjergji Goro, kanë udhëtuar drejt Amerikës, për të bërë një vizitë disaplanëshe. Sido që janë ftuar nga komuniteti himarjot që jeton në SHBA dhe veçanërisht nga një takim i planifikuar më parë me personalitet të kishës, që është me origjinë nga Dhërmiu, Dhimojani dhe Goro, kanë pasur pikësynim të veçantë për të takuar George Tenet, ish- drejtori i CIA-s Amerikane. Disa orë para nisjes për në SHBA, Kryebashkiaku i Himarës Jorgo (Gjergji) Goro është prononcuar ekskluzivisht për “Telegraf”. “Ftesa na është bërë nga komuniteti himarjot që jeton në SHBA, por vizita jonë synon të realizojë disa takime. Shumë biznesmenë të ndershëm, me origjinë nga Himara dhe fshatrat e Bregut, që prej dekadash jetojnë në Amerikë, kanë kërkuar që të japin kontributin e tyre për të bërë investime në Himarë. Nga ana e bashkisë do t’u bëhen të njohura projektet, strategjia e investimeve në infrastrukturë, duke ju krijuar të gjitha hapësirat ligjore. Protagonisti kryesor në këto bisedime do të jetë një personalitet i kishës, prifti me origjinë nga Dhërmiu, që është shumë i interesuar për fshatin e tij të lindjes dhe Himarën”, tha Goro.

Ka qenë edhe më parë ky interes i këtij komuniteti në SHBA, z.Goro?

Nuk mund të flas për këtë, ajo që di të them është se kjo kategori është me biznesmenët patriotë, të ndershëm, që duan të bëjnë për Himarën vetëm si himarjotë, për të vënë një gur në vendlindje. Sigurisht, tashmë janë krijuar edhe kushtet e domosdoshme për të bërë investime të mëdha, sikurse është në radhë të parë qetësia, rendi, largimi i konflikteve dhe acarimeve, që i kanë sjellë dëm Himarës.

Bëhet fjalë edhe për privatizimin e plazheve publike, për të cilin ka kundërshtuar shoqata “Bregdeti?

Ende nuk është marrë ndonjë vendim, por drejt kësaj do të shkohet. Gjithçka do të bëhet sipas ligjit, do të shpallet ankand dhe janë të lirë të bëhen pjesë e këtij privatizimi edhe shoqata “Bregdeti”, apo anëtarë të veçantë të saj. Sigurisht, kur tenderi është i hapur, padyshim janë të mirëpritur edhe biznesmenë himarjotë, që jetojnë në SHBA.

Z.Goro, udhëtimi juaj ka të bëjë edhe me mundësinë e një takimi me George Tenet, ish-kreun e CIA-s, që kish premtuar se do të vinte në Himarë gjatë verës?

Sigurisht. Nuk është thjeshtë një impenjimi ynë, i Himarës që pret njeriun e saj, por edhe i komunitetit në Amerikë, për ta realizuar këtë vizitë të tij të parë. Në vizitën e parë unë pata një takim shumë të ngrohtë dhe emocional me vëllanë e Xhorxh, Bill, që pati një interesim të veçantë për Himarën, Qeparonë, vendlindjen e të atit, për të afërmit nga nëna, që jetojnë në Himarë dhe të babait, që jetojnë në Qeparo dhe përgjigja e kërkesës së Bashkisë së Himarës për të bërë një vizitë ishte: Po. Xhorxhi do të vijë në Shqipëri, në Himarë. E vërteta është se nuk u caktua një kohë se kur do të bëhet kjo vizitë edhe pse Himara ka qenë në pritje gjatë gjithë verës. Shpresojmë shumë se do të arrijmë të konkretizojmë këtë vizitë të shumëpritur.

TAKIMET E PLANIFIKUARA

Të gjithë personat që do të takojmë, janë edhe miq të Tenetit. Shpresojmë shumë tek një takim special me zonjushën Eleni Kosta Sotiriani, vajza me origjinë nga Qeparoi, që  vlerësohet si një intelektuale e famshme në shtetin më të fuqishëm të botës, Amerikë. Prej shumë vitesh, ajo është zgjedhur presidente e  Dhomës së Avokatëve të partisë së Bushit, kurse 25 vjet më parë, është shpallur “Miss Amerika” ndër pjesëmarrëset nga 50 shtete të Amerikës. Elenim që nga i ati Kosta Dhimgjoka, ka lidhje gjaku, por edhe miqësi të ngushtë me Xhorxh Tenetin. Shpresojmë shumë se duke takuar Eleni Sotiriani, mikeshë e  Presidentit Bush, Kryetare e Dhomës së Avokatëve të Partisë Republikane që shquhet për intelektin e saj, që në moshën 19-vjeçare, ajo është shpallur “Miss Amerika”, do të ndikojë patjetër në shpejtimin e vizitës së Xhorxh Tenetit, madje i shoqëruar prej saj. Ndoshta kemi gjetur njeriun e duhur. Këtë herë do të këmbëngulim që të përcaktohet koha se kur do të bëhet kjo vizitë e shumëpritur në Himarë, pritje që do të shndërrohet në një festë, ku është planifikuar të bëhet edhe promovimi i librit të tij, që është përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyesi, publicisti Xhevdet Shehu.