Ku ka humbur drejtori i QSUT, Enkelejd Joti, “përgjegjësi” kryesor për masat e skaduara

2098
Sigal

Në një situatë të rëndëuar shëndetësore, më të vështirën në dekadat e fundit, ka një njeri që, megjithëse përgjegjësitë e mëdha, nuk duket askund.

Enkelejd Joti, Administratori i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka zgjedhur të qëndrojë i padukshëm.

Joti ka zgjedhur të qëndrojë “i fshehur” në një kohë kur institucioni i drejtuar prej tij, jo vetëm që është në qendër të vëmendjes së opinionit publik, por edhe në qendër të akuzave për maskat e skaduara, të cilat u janë dhënë mjekëve dhe infermierëve të Spitalin Infektiv, karantinës së vetme aktuale për pacientët me koronavirus.

Mesditën e së Martës së kësaj jave, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi skandalin me maskat që përdoren në QSUT. Sipas provave të siguruara nga kreu i opozitës, administrata e spitalit u ka shpërndarë mjekëve dhe infermierëve maska të oksigjenuara, të cilat kishin afat skadence që në vitin 2011.

Pas akuzave publike të Bashës, reaguan me radhë kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, si edhe një shpurë drejtuesish të institucioneve shëndetësore, që u shfaqën në të gjithë emisionet prime-time të mbrëmjës së të Martës.

E gjithë kjo aradhë zyrtarësh e pranoi që maskat ishin të skaduara, por nga ana tjetër deklaruan se kjo nuk përbënte problem serioz.

Pavarësisht justifikimeve jo shumë bindëse, e vërteta është se, duke filluar nga Kryeministri e në vijim, kanë dhënë deklarata, të cilat ishin përgjegjësi e drejtorit të QSUT-së, Enkelejd Joti t’i jepte para publikut.

Joti, në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT, është autoriteti më i lartë administrativ që përgjigjet për plotësimin e nevojave të shërbimit spitalor.

Ndër masat që duhet të marrë ose të kishte marrë drejtori i QSUT në këtë moment përhapjeje virusi, më e pakta ishte që të siguronte maskat, të cilat do të mbrojnë stafin mjekësor nga kontaminimi.

Por, siç rezultoi, punonjësit e spitaleve të QSUT-së janë furnizuar me maska të skaduara, gjë e cila është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Enkelejd Jotit.

Kryetari i opozitës i bëri thirrje Prokurorisë që të niste menjëherë hetimin mbi këtë rast, i cili cënon seriozisht shëndetin e stafit mjekësor.

Deri më tani, Prokuroria nuk ka bërë publike nëse e ka vlerësuar situatën për të nisur hetimin. Gjithësesi, një hetim i mundshëm nga ana e Prokurorisë, mund të ketë në qendër të tij pikërisht Enkelejd Jotin, personin që ka përgjegjësinë ligjore për të gjithë materialet që gjenden të depozituara në magazinat e QSUT-së.

Por, ndërkohë që priten veprime nga ana e Prokurorisë, Drejtori i QSUT-së, Enekelejd Joti ka zgjedhur që të “fshihet”, duke zgjedhur të mos japë asnjë sqarim publik, qoftë edhe për të qetësuar qytetarët që kërkojnë shërbimin në spital, personelin mjekë-infermierë, si edhe familjarët e tyre.

Duket se Enkelejd Joti e aplikon postin e Drejtorit e qendrës më të madhe spitalore në vend, vetëm për realizimin e tenderave, të cilët, në bazë të të dhënave zyrtare, arrijnë në një qarkullim disa dhjetra milionë euro në vit.

Ndërkohë që, në momentin që i duhet të japë sqarime zyrtare për përdorimin e maskave të skaduara dhe përse QSUT nuk ka maska të cilësisë së duhur, Enkelejd Joti ka preferuar që mbrojtjen e tij t’ia bëj Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë.

Ai vetë, mesa duket, duhet të ketë qenë i angazhuar me zhvillimet e fundit në kompaninë “Digitalb”, ku është aksioner prej vitesh.

Madje, ndoshta mund të ketë qenë edhe aktiv në mbledhjet e këtyre javëve të zhvilluara nga kompania private, tek e cila po humbet primatin Vjollca Hoxha, drejtuesja e Top Channel dhe njëkohësisht “promovuesja” e Enkelejd Jotit në postin e lakmuar të drejtorit të QSUT-së./BoldNews