Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako bën betimin në këshillin bashkiak

2138
Sigal

Kryetarja e re e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka bërë betimin në këshillin bashkiak të qytetit në mandatin e saj të parë në drejtimin e Bashkisë. Betimi i kryebashkiakes Sako ka qenë në rendin e ditës në kostituimin dhe mbledhjen e parë të këshillkit bashkiak të qytetit në mandatin e ri katërvjeçar. Në këtë mbledhje u krye kostituimi i këshillit të ri bashkiak si dhe u procedua me zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak. Në votim morën pjesë 45 anëtarë të këshillit bashkiak të pranishëm nga 51 gjithsej ku me shumicë votash u zgjodh kryetar i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi dhe nënkryetare e këtij këshilli Zamira Mustafaraj që të dy përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Po kështu këshilli bashkiak ka zgjedhur edhe anëtarët për këshillin e Qarkut. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryebashkiaku për tre mandate rradhazi i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali, zv/ministrja e brendshme Rovena Voda, prefekti Roland Nasto, deputetët socialistë të Durrësit, etj. Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako pasi ka bërë betimin në fjalën e saj përshëndetëse ka falenderuar ish kryebashkiakun Dako për punën e tij për zhvillimin e qytetit dhe deklaroi se koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur: “Tashmë emocioni nuk është vetëm për mua, por për skuadrën tonë, që do të drejtojmë qytetin tonë të mirë, Durrësin. Realisht shoh që pjesa më e madhe janë të rinj, energjitë e të cilëve do të bëjnë ndryshimin. Para së gjithash dua të falënderoj paraardhësin tim, paraardhës i denjë, dhe sinqerisht ndjehem sa e emocionuar por edhe e vlerësuar që këtë detyrë e marr nga kryetari paraardhës, z. Vangjush Dako.

 

Ta respektojmë siç i ka hije, një kryetar që punoi për 12 vjet për qytetin tonë. Koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur, dhe ta bëjmë atë një qytet që të konkurrojë denjësisht qytetet turistike që kemi në rajon. Të gjithë bashkë do ta bëjmë me ide, me disponibilitet por edhe me dëshirën e mirë për të qenë aktivë në vendimet që do marrim. Ndaj dëshiroj dhe uroj sot që të jemi sa më të dobishëm për qytetin tonë. Shumë faleminderit që jeni pjesë e imja, pjesë e qytetit dhe në fakt duhet të ndjehemi të gjithë të nderuar që do të drejtojmë qytetin e dytë më të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë.”