Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj takon Ambasadoren e Gjermanisë

549
Sigal

Në datën 27 dhjetor 2016, Kryetari i KLSH-së z. Bujar Leskaj takoi zj. Susanne Schütz, Ambasadoren e re të
Gjermanisë në Shqipëri.

Kryetari Leskaj i shprehu Ambasadores
gjermane mirënjohjen për rolin dhe kontributin e vendit të saj në progresin e
Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht për përkrahjen e veçantë
të kancelares Merkel për reformën në drejtësi dhe për mbështetjen e Gjermanisë
në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Ai i paraqiti Ambasadores Schütz arritjet
e KLSH-së gjatë pesë viteve të fundit 2012-2016, të përqendruara në
zbatimin  e mandatit kushtetues të KLSH
dhe të standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI, si dhe në hapjen dhe
transparencën e plotë të institucionit ndaj qytetarëve, duke shërbyer si
institucion “watchdog” për taksapaguesit dhe Kuvendin. Zoti Leskaj përmendi
disa nga rekomandimet kryesore të KLSH për shëndoshjen e financave publike dhe përmirësimin
e administrimit të Buxhetit të Shtetit, si vendosjen në Kushtetutë të një
tavani për borxhin publik, kërkesa për shlyerjen e borxheve të akumuluara të
Qeverisë ndaj biznesit, rekomandimet për kryerjen e reformës administrative e
teritoriale, hartimin  e ligjit për përgjegjësinë
materiale, dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, etj.

Kryetari Leskaj theksoi në paraqitjen e
tij rritjen me disa herë të treguesit të dobishmërisë së institucionit, në
raport me vitin 2010(i cili shprehet në raportin një lek i harxhuar nga KLSH me
sa lekë janë kërkuar për rimbursim të dëmit ekonomik në Buxhetin e Shtetit nga
institucioni, si rezultat i gjetjeve në auditim, nga 10.4 lekë në vitin 2010 në
180.1 lekë në vitin 2015), si dhe rritjen me mbi katër herë të numrit të kallëzimeve
penale të KLSH për periudhën 2012-2016, në krahasim me periudhën 2008-2011. “Për ne e rëndësishme është të luftohet
anti-kultura e pandëshkueshmërisë, e cila për fat të keq, është instaluar në
vend. Nëse niveli i zbatimit të rekomandimeve tona për largimin nga puna të nëpunësve
të mesëm të administratës sonë publike, të cilët kanë abuzuar me pronën dhe
fondet publike, është relativisht i kënaqshëm, 60 përqind, ai për largimin nga
puna të zyrtarëve të lartë është shumë i ulët, 20-25 përqind. Kjo step edhe
Prokurorinë në ndjekjen e rasteve të denoncuara nga ne për këtë kategori drejtuesish
të lartë
”, vijoi Kryetari i KLSH-së. Pavarësisht se ne si Institucion në çdo
shtatë ditë firmosim një kallëzim penal, jemi të ndërgjegjshëm që duhet të
bëjmë më shumë për të luftuar korrupsionin, me qëllim përmirësimin e
qeverisjes. Qytetarët shqiptarë presin shumë nga ne si institucion në këtë
drejtim dhe ne do të bëjmë maksimumin për të përligjur besimin e tyre.

Një nga rekomandimet më thelbësore të
KLSH-së, i cili jepet për vitin e tretë radhazi, është përgatitja dhe miratimi
në Kuvend i Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik. Ambasadorja
gjermane Schütz vlerësoi këtë rekomandim dhe theksoi se lufta kundër
korrupsionit nënkupton që njerëzit që e prodhojnë atë duhet të mbahen përgjegjës
si ligjërisht, ashtu edhe materialisht. ”Efektiviteti
në luftën kundër korrupsionit është kushti kryesor dhe një nga përparësitë që
Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria për të çelur bisedimet për hapjen e
negociatave për anëtarësimin e vendit në BE
”, u shpreh Schütz. “Vendi ka nevojë për institucione të
fuqishme, jo për politikanë të fuqishëm
”, theksoi Ambasadorja e Gjermanisë.

Ambasadorja Schütz vlerësoi punën e
deritanishme të KLSH-së dhe rekomandoi thellimin e punës audituese, forcimin si
edhe rritjen e kapaciteteve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës dhe të
impaktit të auditimeve të KLSH-së.