Katër muaj nga zgjedhjet vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës është i bindur se mazhoranca do t’i fitojë të 5 bashkitë e qarkut më të madh në vend, ku ai është udhëheqës politik.
“Ambicia jonë është e qartë, ne duam të fitojmë 5-0 dhe jo se do jetë 5-0 se kemi inat kundërshtarin, fitojmë 5-0, sepse kemi dëshirë punën. Filozofia e këtyre zgjedhjeve është shumë e thjeshtë”.
Në një intervistë ai thotë se siguria për rezultatin vjen nga performance, që kanë pasur 5 kryebashkiakët socialistë dhe nga situata në të cilën ndodhet opozita.
“Pesë menaxherët që ne duam të rikonfirmojmë në këto 5 bashki kanë punuar dhe na rezulton në sondazhe kanë qasje më të larta që të fitojnë dhe të riokonfirmohen. Ndërkohë kemi një palë tjetër ku njëri ka hall se partia u diskreditua, u shkërmoq dhe u desh ta hapte me një numër tjetër nipti, një qepen tjetër nga ekstremi i majtë në atë të djathtë, tjetri është non grata. Hallexhinjtë që kanë halle të ndryshme nuk duhet t’i kthejnë hallet e tyre në halle kombëtare apo lokale”.
Për shkak të performancës, rikonfirmimi nuk është në diskutim dhe Veliaj do të garojë për një mandat të tretë.
“Tashmë e kam filluar fushatën kemi marrë të gjitha masat që në 27 njësitë të kemi fitore”.
Puna dhe investimet, thotë kryebashkiaku, janë çelësi i suksesit, ku përveç Teatrit të ri Kombëtar për të cilin ka nisur puna, brenda këtij viti do të vijë edhe përfundimi i veprave të mëdha infrastrukturore për kryeqytetin.