Largimet jashtë vendit kanë futur në krizë tregun e serviseve, çka ka bërë që pronarët të rritin pagat e stafit ekzistues, por edhe të qëndrojnë me orë të zgjatura në punë. Por me rritjen e pagave, janë rritur dhe shërbimet, duke rënduar xhepin e konsumatorit.
“Me stafin jam treguar i kujdesshëm, megjithëse nuk janë shumë të edukuar me kulturën e punës, përpiqem të toleroj, sepse do detyrohem t’i bëj vetë më pas punët”,- shton një tjetër pronar servisi, në zonën e Laprakës. Rasti më i fundit ishte një xhenerik që kishte mbi 5 vjet në servis dhe tani ka emigruar në Itali. Sipas tyre, megjithëse rritjen e pagave, është e vështirë t’i bindësh të qëndrojnë, kur çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm.
“Më shumë se 70 mijë lek nuk ua bëj dot pagën. Sigurisht kam mekanikë dhe me paga 100 mijë lek, por pjesa më e madhe janë punëtorë. Kjo kategori e pakualifikuar vijon të jetë në mungesë. Ndërsa për mekanikët e xhenerikët, i gjithë tregu në vend është në krizē“,- thotë një tjetër subjekt biznesi shitje dhe riparimi të mjeteve motorike.
Mira është punëtore në një nga furrat e zonës së “DonBoskos”. Ajo punon dy turne përditë pasi prej disa muajsh, vendet bosh në furrë si pasojë e largimeve, nuk janë zëvendësuar.
“Punoj prej 2 vitesh tek kjo furrë si bukëpjekëse. Prej 3 muajsh punoj me 2 turne, më kanë rritur pagën, por është shumë rraskapitëse kjo punë. Nevoja për të ardhurat më detyron të pranoj këto kushte pune,“- thotë ajo.Nga ana tjetër, kriza për punëtorë ka prekur dhe supermarketet. Megjithëse, me përfundimin e shkollës, janë vajzat e reja gjimnaziste ose studentët që u ofrohen punë sezonale, sërisht ato duket se preferojnë baret e restorantet si kamariere apo bariste.






















