Krimi, komuniteti, ligji

504
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Agron Mema

Kur ndodh një krim nuk ka asnjë mjet dhe element justifikues, sidomos ai ndaj jetës njerëzore. Krimi ka vetëm fytyrën e krimit. Vlora dhe Saranda janë tronditur rëndë nga krimi kundër jetës njerëzore. Po në këtë shkrim do të ndalemi pak tek ngjarjet e fundit të Sarandës. Në pak ditë dy atentate, ndërkohë që ka pasur denoncime edhe për kërcënime dhe prokuroria ka hapur hetimet. Paraditen e së hënës ka mbetur në tentativë djegia e lokalit të biznesmenit të plagosur dhe personi është parandaluar të kryej veprimin dhe është ndaluar nga policia. Pra krimi ngre krye, godet dhe largohet, policia ngre pista dhe nis kërkimin, ndërsa komuniteti i frikësuar nis paragjykimet dhe vetmbrojtjen nga e papritura që mund të vijë çast pas çasti. Të paktën këtë situatë frike ka tani për tani të mbjellë në qytet nga veprimet kriminale. Po a ka arsye të ketë terren veprimi krimit? Nisur nga veprimet e fundit të SPAK në Sarandë, na lind e drejta të mendojmë se mund të gjesh mbështetje tek njerëzit e korruptuar të drejtësisë dhe policisë, tanimë të prangosur. Komuniteti si gjithmonë paragjykon dhe diskuton. Është vera e parë e qetë me lungomare të re dhe papritur krismat e kallashnikovit e prishin këtë imazh qetësie që fal Saranda. Dhe komuniteti kërkon me sy ligjin, zbatimin e tij. Dhe kur ndodh që policia finalizon operacionet e saj, merr lavdërimet komunitare. Po pse kur ndodh kujtohemi për ligjin dhe zbatimin me korrektësi të tij? Dhe qëndrimet ndaj forcave të rendit janë të dyanëshme, sipas interesit. Një pjesë pushon, një tjetër punon. Qëndrimet janë kontradiktore për sa i përket zbatimit ligjor. Thashë që në fillim që nuk ka mjet justifikues për krimin. Por dua të them se ora e kryerjes së plagosjeve ditës së dielë, i takon asaj të 03:45 minuta. Pra, jemi në orarin e kufizimit policor. Sipas dëshmitarëve lokali ka qenë i hapur për një natë festive. Pra kemi një tejkalim të protokollit pandemic, edhe sikur me leje policie, duhet të respektohen rregullat e distancës dhe masat e sigurisë policore. Pra, këtu kemi qëndrim sipas interesit. Më shumë seriozitet në zbatim të ligjit. Ose t’i zbatojmë, ose t’i heqim, se rrugë të mesme s’ka, vetëm sa për të thënë se neve kemi ligje që madje tmerrojnë Evropën e mëtej. Ligji kur zbatohet me përpikmëri është në interes të të gjithëve, sidomos për publikun e thjeshtë që nuk kanë mbrojtje tjetër.