Projektrregullorja “Për regjistrin e dëmeve të Byrosë”, si do të realizohet raportimi dhe monitorimi i dëmeve Fond Kompensimi

385
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Përcaktimi i procedurave për mbledhjen, ruajtjen dhe raportimin elektronik të të dhënave të dëmeve, sipas parashikimeve të ligjit të ri në Regjistrin elektronik të dëmeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, janë bërë objekt i një projektrregulloreje të re të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Bëhet fjalë për “Për regjistrin elektronik të dëmeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimit”, që tashmë është nxjerrë konsultim publik.

Sipas Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara, të paidentifikuara, pasagjerët e pasiguruar, trajtohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit dhe shoqëritë e sigurimit, si ent kompensues, sipas neneve 41 dhe 43 të këtij ligji.

Me qëllim mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave të këtyre dëmeve, ligji i ri ka parashikuar krijimin nga Byroja, të një regjistri elektronik. Mënyra e funksionimit të këtij regjistri dhe mënyra e raportimit, përcaktohen me rregullore të veçantë nga Autoriteti.

Në projektrregulloren “Për regjistrin elektronik të dëmeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimit”, janë përcaktuar procedurat e raportimit të të dhënave nga Byroja dhe shoqëritë e sigurimit, detyrimi për të dhënë informacion, aksesi në regjistër nga përdoruesit e tij. Në këtë projekt është parashikuar dhe përgjegjësia e Byrosë për funksionimin e plotë të regjistrit elektronik të dëmeve në cilësinë e administratorit të Regjistrit.

Nëpërmjet këtij regjistri do të sigurohet informacioni i plotë i dëmeve që trajtohen dhe paguhen nga Byroja dhe shoqëritë e sigurimit si ent kompensues si dhe nga ky regjistër do të mundësohet  gjenerimi i raporteve në kohë reale.

Në projektrregullore përcaktohet në mënyrë të qartë mënyra e raportimit të praktikës së dëmit nga Byroja, ndërkohë që në sistem parashikohet të ngarkohen gjithashtu edhe pagesat e kryera nga BSHS, ose shoqëritë.