Kreshnik Belegu: “Agjencitë turistike nuk sjellin vizitorë në muze, sepse hyrja është me lek”

1210
Sigal

ELBASAN/Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Muzeun Etnografik, Kreshnik Belegu: “E vërteta e gjetjes së fragmentit të ri”

Një në intervistë për gazetën “Telegraf”, Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Muzeun Etnografik të Elbasanit, Kreshnik Belegu flet mbi fragmentin që u gjend disa ditë më parë, gjatë punimeve që po bëheshin gjatë rikonstruksionit të një rruge. Gjithashtu, Belegu shprehet  se pritet të verifikohet nëse vërtetë është kala apo jo. Ai thotë se, gjetja e këtij fragmenti është një element plus për trashëgiminë kulturore të Elbasanit dhe një element shtesë për turizmin kulturorë. I pyetur për numrin e vizitorëve Belegu shprehet se, në Muzeun Etnografik të Elbasanit shkojnë vizitor, por shumica e tyre janë të huaj. Ndaluar te ky fakt Belegu ngre edhe një shqetësim që lidhet me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencinë e Turizmit Elbasanit, pasi këto të dyja nuk i orientojnë si duhet vizitorët.

Z.Belegu pak ditë më parë gjatë punimeve të një rruge u gjet një fragment, i cili mendohet të jetë pjesë e kalasë?

Ajo në fakt është fragment i një kulle (Torre), e cila mendohet të jetë një kullë ose pjesë kalaje e periudhës para osmane. Në dokumentet e vitit 1431 përmendet që në qytetin e Skampisit ndodhet një kala ose kështjellë, të cilën ata e quanin Jenice Kalaja. Historiani Kasem Bicohim duke u nisur nga ky regjistrim që përmenda më lart për këtë kala mendon se duhet të jetë diku në fushën e Bradasheshit, por gjetja e këtij fragmenti ndoshta do të hedh dritë pikërisht për Jenice Kalaja në këtë zonë këtu.

Çfarë po bëhet me këtë fragment të gjetur?

Është lajmëruar Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik Kulturore, e cila erdhi dhe bëri verifikimin e zbulimit që do të tregoj edhe origjinën e objekti, sepse të gjitha këto që janë thënë deri tani janë thjeshtë mendime dhe asgjë konkrete. Ne besojmë se sentizimi arkeologjik që do të bëhet do të nxjerr në pah elemente të rëndësishëm për të zbuluar të vërtetën dhe sigurisht, kohëzgjatjen e saj. Padyshim gjetja e kësaj kalaje është një element plus që i shtohet trashëgimisë kulturore të qytetit dhe ndoshta në të ardhmen mund të jetë një element shtesë për turizmin kulturor.

A ka shumë vizitorë që vijnë në Muzeun Etnografik të Elbasanit?

Po ka vizitorë që vijnë dhe shumica e tyre janë të huaj, por problemi që më shqetëson mua është se nuk ka një planifikim midis Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë Turistike të Elbasanit dhe vendeve që janë për t’u vizituar. Pra ato nuk i dërgojnë vizitorët këtu te ne, sepse në muze është hyrja me lek, por i çojnë në destinacione të tjera. Dhe ky për ne është një problem madhor. E vetmja që i sjell vizitorët e saj për vizitë në muzeun tonë Etnografik është Agjencia e Shkodrës. Por ne shpresojmë se në dhjetor flitet që Agjencia Turistike e Elbasanit do të kalojnë në varësi të Bashkisë së Elbasanit dhe gjerat ndoshta do të ndryshojnë për mirë