Koronavirusi/ Policia: 75 shoferë të ndëshkuar, 234 këmbësorë rebelë, 8 administratorë lokalesh të gjobitur!

306
Sigal

Policia e Shtetit Strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuara maksimalisht për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga Qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 75 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit, si dhe janë bllokuar 75 mjete, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve për zbatimin e masave shtesë për mbylljen e lokaleve, në të gjithë vendin u ndëshkuan me masë administrative me nga 100.000 lekë secili, 8 administratorë lokalesh.

Po gjatë 24 orëve të fundit, për mosrespektimin e vetëkarantinimit, janë ndëshkuar 2 shtetas, me masë administrative 700.000 lekë.

Gjatë orareve kufizuese për moslëvizje të këmbësorëve, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar dhe ndëshkuar 234 shtetas, me masë administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.