Koronavirusi/ Pasuria e themeluesit dhe CEO-s së Amazon, Jeff Bezos, rritet me 24 mld $

335
Sigal

Pasuria e themeluesit dhe CEO-s së Amazon është rritur me 24 miliardë dollarë këtë vit, pas shtimit të kërkesës për shopping online. Si pasojë, çmimet e aksioneve të kompanisë shënuan një rekord të ri.

Sipas indeksit “Bloomberg Billionaires Index”, tani pasuria e Jeff Bezos është 138 miliardë dollarë, duke konsoliduar pozicionin e tij si njeriu më i pasur në botë.

Shitjet online në Amazon janë rritur, nga ana e njerëzve që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të COVID-19.

Kompania ka punësuar mijëra punëtorë për t’i bërë ballë rritjes së kërkesës. Megjithatë, Amazon është kritikuar nga punonjësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për masat mbrojtëse të marra në vendin e punës kundër koronavirusit. Z. Bezos zotëron një kuotë prej 11% tek Amazon dhe të martën aksionet e kompanisë u rritën me 5,3%.

Edhe pasuria e familjes që qëndron pas gjigantit të tregtisë me pakicë, Wal-Mart, që zotëron Asda në Mbretërinë e Bashkuar, është rritur në këto kohë izolimi. Sipas Bloomberg, pasuria e Waltons është rritur me 5% këtë vit në 169 miliardë dollarë, duke u bërë familja më e pasur në botë.

Me miliona njerëz, që tashmë punojnë nga shtëpia, edhe pasuria e themeluesit të faqes së takimeve, Zoom, Eric Yuan, është më shumë se dyfishuar, në 7,4 miliardë dollarë.

Sipas indeksit “Bloomberg Billionaires Index”, 500 njerëzit më të pasur në botë kanë humbur deri më tani 553 miliardë dollarë këtë vit.

Investitorët e industrisë botërore të naftës dhe gazit kanë pësuar një tkurrje të fortë të pasurisë neto nga rënia e mprehtë e çmimeve, për shkak të uljes së kërkesës në botë dhe një diskutimi – tani të zgjidhur – mbi prodhimin e naftës mes Arabisë Saudite dhe Rusisë.