Anketa, vetëm 8% e bizneseve nuk kanë ndërprerë punën, 73 % të prekura rëndë nga kriza Covid

173

Në një anketë që Këshilli i Investimeve bëri në 361 kompani vendase për efektet që po jep kriza e e krijuar nga pandemia Covid gjeti se 73% prej tyre dhe 69 për qind e eksportuesve mendonin se impakti do të jetë shumë negative në aktivitetin e tyre. Vetëm 1% e të anketuarve mendon se COVID19 nuk do të ketë asnjë ndikim  dhe këto biznese përfaqësojnë aktivitetet e Shërbimit Ushqimor.

Prej bizneseve të anketuara vetëm 8% nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, ndërkohë rreth 43% e kompanive e kanë ndërprerë pjesërisht aktivitetin e tyre.

Rreth 50% e biznesit deklaron se e ka ndërprere totalisht aktivitetin gjatë periudhës së anketuar, 90% e tyre i përket sektorit të shërbimeve.

83% e bizneseve të anketuar presin ulje më shumë se 20% të të ardhurave vjetore dhe vetëm 2% e tyre mendojnë se COVID19 nuk do të ndikojë të  ardhurat vjetore. Pritshmëria është e njëjtë për të gjithë sektorët e ekonomisë dhe pavarësisht madhësisë së tyre.

Importuesit, 55% në vështirësi

Rreth 55% e importuesve deklarojnë se kanë pasur probleme me importet, nga të cilët 69% mendojnë se kjo do të ndikojë vijimësinë e biznesit të tyre. Kryesisht problematika ka pasur me importet nga vendet e BE.

Planet për financimet

Nga 361 kompanitë e anketuara, 38% e tyre deklarojnë se do të përdorin kursimet për të siguruar vijimësinë e biznesit të tyre, ndërkohë 31% mendojnë të ulin kostot dhe vetëm 1% mendon se nuk do të ketë probleme (sektori i shërbimeve)

Bujqësia mendon të përdorë kredi bankare (43%) dhe të ardhura të periudhave të mëparshme (43%).

Industria mendon kryesisht të përdorë kredi bankare (40%) dhe uljen e kostove (29%).

Ndërtimi  dhe Shërbimet do të përdorin të ardhura nga periudha të mëparshme (53% dhe 40%)  si edhe mundësinë e uljes së kostove si psh nëpërmjet largimit të punonjësve (32% dhe 31).

Biznesi me të ardhura mbi 8 milionë lekë si masë kryesore pë të siguruar vijimësinë deklaron se do të përdorë uljen e kostove.

Biznesi me të ardhura deri në 8 milionë lekë  deklaron se do të përdorë të ardhura nga periudha të mëparshme.

Kohëzgjatja

Nga anketa, 37% thanë se efektet e COVID-19 në aktivitetin e tyre do të zgjasin deri në 1 vit dhe vetëm 3% mendojnë se ato do të zgjasin më shumë se dy vjet.

Sektori i Ndërtimit, Shërbimet dhe industria mendojnë se efektet e COVID19 do të zgjasin deri në 1 vit.

B Bujqësia vlerëson se efektet COVID19 do të zgjasin nga 3 në 6 muaj.

Sugjerimet

Bizneset me të ardhura mbi 14 milionë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredive është masa më e mirë e marrë nga qeveria, e ndjekur nga garancia sovrane dhe shtyrja e afatit të dorëzimit të PF.

Biznesi me të ardhura më pak se 14 milionë mendojnë se masat mbështetëse ndaj biznesit të vogël e shoqëruar nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës se tatim fitimit janë më efektivet.

87% e bizneseve deklarojnë se nuk e kanë menduar asnjëherë për të miratuar një plan për situatat e mundshme të emergjencës.

.Sjellja është e njëjtë pavarësisht madhësisë së biznesit apo edhe sektorit  ku vepron.

42% e bizneseve deklarojnë se do të orientohen drejt ofrimit të shërbimeve online  dhe kryesisht sektori i Shërbimeve.

Ndërkohë investimet më të mëdha do të jenë në Teknologji të reja si edhe në Menaxhimin e riskut.

Sugjerime për qeverinë

Bizneset e anketuara sugjerojnë sigurimin e pagës minimale për te gjithë punonjësit, pa dallim dhe përkohësisht të merren masa për mbrojtjen e prodhimit vendas;

Ata kërkojnë një plan emergjent dhe konkret per biznesin e vogel dhe të mesëm në sektorin e hotelerisë.

Kërkohet akordimi i granteve ose kredive me interes “0%”  për mbështetje të nevojave për likuiditet të kompanive turistike

Gjithashtu ato kërkuan pagesa direkte e qerasë për të gjithë bizneset bazuar në deklarimin sipas kontratës qiradhënës-qiramarrës; Pezullimin e Sigurimeve Shoqërore, rritje e pagesës direkte për biznesin e vogël me të paktën 35000 ALL.

Ata sugjerojnë stimulimin e pjesëmarrjes në punë të punonjësve, lirimi i masave izoluese, kredi me interesa deri ne 1% dhe ne masen e 80% te xhiros se deklaruara dhe masa për ndjekjen e inflacionit dhe rreziqet e hiperinflacionit në periudhat afatmesme.

Bizneset kërkojnë financim  të shoqërive për nxitjen e aktivitetit deri në 10000 EURO për bizneset e vogla dhe mospagim i kontributeve dhe cdo lloj tatimi për tre muaj si edhe pagesë me këste të detyrimeve dhe tatimit të mëparshëm të fitimit.

Bizneset e kërkojnë qeverisë likuiditet dhe mospenalizimi për pagesa të vonuara të detyrimeve në tërësi dhe pagesë e fuqisë punëtore në masën 80% deri në përfundimin e pandemisë.

Ata kërkuan heqjen e pagesës së dividentit për vitin 2020 të hapë një shërbim ekspres me sportel për biznesin në hipotekë pasi shërbimet online kanë shumë vonesa;

Të mos pengojë lëvizjen ndërqytetëse për punëtorët dhe furnizimet me materiale ndërtimi.

Bizneset kërkuan të shtyhet afati për fiskalizimin.

Kërkuan printim të monedhave të reja nga Banka Qëndrore dhe shpërndarjen e tyre popullit që të rritet konsumi dhe të forcohen bizneset dhe manovra financiare për forcim të lekut.

Bizneset sugjeruan miratimin e amnistisë fiskale dhe penale në mënyrë që leku që rri i fshehur të hidhet në treg dhe bankat të detyrohen të japin kredi me interes 1-2% duke lehtësuar edhe procedurat për marrjen e kredisë.

Gjithashtu kërkuan kredi imediate nga bankat e nivelit të dytë, në formën e overdraftit, në vlerën 1/6 deri në 1/5 e xhiros së deklaruar të vitit 2019 dhe të rimbursojë TVSH me procedurë të përshpejtuar, qofte edhe duke mbyllur detyrimet tatimore me gjendjen e TVSH. Bizneset kërkuan të përdoren të gjitha gjendjeve kreditore për pagesa të taksave të tjera.

Kërkesat për pushtetin lokal

-Shtyrje në kohë të pagesave duke bërë likuidimin me këste te tyre.

-Dezinfektimin e mjediseve, në kuadër të administrimit të fondeve të mbledhura nga taksa e pastrimit.

-Pavarësisht se biznesi im tashmë i ka likuiduar detyrimet vendore për vitin fiskal 2020, shpresoj që KB të kalojë projektvendimin për masat lehtësuese për biznesin për detyrimet vendore dhe të na rimbursohen ose të na zbriten në vitin fiskal pasardhës 2021 pagesat.

-Ndihma për të pamundurit, përdorim të kuponëve ose alternativa të tjera;

-Të hiqen disa taksa vendore, si taksa tabele, taksa e arsimit, taksat për sipërfaqe shërbimi apo ndonjë taksë tjetër vendore që do lehtësojnë aktivitetet e bizneseve;

Ulje me 20% të taksave vendore për këtë vit’;

-Dhënie autorizimi të posaçëm për sektorin e bujqësisë për qarkullim në rrugë edhe pas orës 13:00;

-Të likuidojë faturat brenda 30 ditëve;

-Të trajnojë policinë të kontrolloje online targat e miratuara me leje lëvizje;

-Të anuloje të gjitha taksa/tarifa lokale për vitin 2020, përveç tarifës të pastrimit;

-Taksat vendore për gjithë periudhën që aktiviteti ynë do të qëndrojë i  mbyllur të zbriten nga totali vjetor;

-Të shtyhet pagesa e taksave vendore në 6mujorin e dytë.