Koronavirusi/ Bllokimi i qarkullimit të mjeteve, nga 40 mijë aplikime në Polici, 10 mijë marrin autorizim

492
Sigal

Masat kategorike që ka marrë Policia e Shtetit për qarkullimin e mjeteve, kanë sjellë dyndje të qytetarëve për të marrë autorizimet e nevojshme në Polici.

Sipas raportimeve të Policisë, thuhet se gjatë dy ditëve të fundit kanë mbërritur mbi 40 mijë kërkesa, përmes postës elektronike, nga të cilat 10 mijë kanë marrë përgjigje positive për të lëvizur.

Arsyetimi më i shpeshtë për të marrë leje në Polici, ka qenë pretendimi për të lëvizur të afërmit në aeroport, apo nga një qytet në tjetrin.

Nga ana tjetër, Policia ka shtuar postblloqet për të verifikuar të gjitha mjetet e paautorizuara. Mësohet se aktualisht në të gjithë vendin janë ngritur 105 postblloqe, pa llogaritur patrullat e lëvizshme që kryejnë verifikimet në terren. Konkretisht, në Tiranë aktualisht ka 15 postblloqe; në Durrës 8; në Korçë 14; në Fier 15; në Vlorë 11; në Elbasan 9; në Shkodër 8; në Lezhë 6; në Berat 7; në Dibër 3; në Kukës 5; në Gjirokastër 4. Gjatë ditës së djeshme janë gjobitur mbi 40 drejtues mjetesh që lëviznin pa autorizim.

Policia e Shtetit nisi edhe një sqarim, nisur nga fluksi i madh i telefonatave të qytetarëve drejt numrave të dedikuar 069 41 22223 dhe 069 41 22224, si dhe nga email-et e shumta të ardhura në adresën e dedikuar: [email protected], për akreditim apo informacione të ndryshme në lidhje me masat kufizuese për mospërhapjen e COVID-19, sqarojmë gjithë qytetarët se:
Të gjithë pronarët e bizneseve prodhuese apo ata që ofrojnë shërbime për qytetarët, të cilët duan të akreditojnë automjetet për lëvizje personeli apo mallra brenda qarkut, të mos dërgojnë email në adresën [email protected] dhe as të mos telefonojnë në dy numrat e dedikuar, por t’i drejtohen Sektorit të Policisë Rrugore të qarkut ku kanë vendbanimin dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Ndërsa ata pronarë apo administratorë që kanë aktivitet/biznes edhe jashtë qarkut, si dhe ata që banojnë në qarkun Tiranë, të vazhdojnë të bëjnë kërkesa për akreditim nëpërmjet email-it [email protected] dhe dy numrave të dedikuar.

Orari i lëvizjes 06:00 deri 08:00 dhe në mbasdite 16:00 deri në 17:00 nuk është për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por për personelin/ punonjesit e ndërmarrjeve prodhuese, të cilët do lejohen të kenë aktivitet, sipas konfirmimeve të bëra nga Policia e Shtetit, si dhe për punonjësit e institucioneve shtetërore të pajisur me dokument identifikimi të institucionit.
Në këto orare nuk do lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve me automjete private.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, ata të Policisë së Burgjeve, të SHPSF-ve, personeli shëndetësor dhe gazetarët lejohen të qarkullojnë në oraret e ndërrimit të turneve, duke pasur me vete dokumentim e lëshuar nga institucioni ku punojnë.
Automjetet e firmave prodhuese dhe furnizuese, kadet, furgonçinat, kamionçinat dhe kamionët lejohen të lëvizin në çdo moment, por duke argumentuar lëvizjen me faturat e shpërndarjes së mallit apo të furnizimit me mall.
Për urgjenca mjekësore, personat të telefonojnë në numrin 129/112 dhe në dy numrat e dedikuar, duke bërë prezent problemin për lëvizjen që kërkojnë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk janë të përfshirë në listën që u lejohet të qarkullojnë, të respektojnë me rigorozitet kufizimet dhe të mos dalin në qarkullim, pasi dalja i penalizon me 3 vjet të heqjes së Lejes së Drejtimit.