Korçë, bashkëshorti dyshohet se hodhi 55 vjeçaren nga shkallët dhe e mban me këmbë të thyer në shtëpi për 6 ditë

86
Sigal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë, pasi një burrë ka hedhur nga shkallët bashkëshorten e tij 55-vjeçare me iniciale D. M., duke i thyer këmbën e djathtë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur 6 ditë më parë, por ai e ka mbajtur në banesë deri ditën e djeshme, e më pas e ka çuar në spital, aty ku e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se bashkëshorti e ka shtyrë.

55-vjeçarja ka probleme shëndetësore, ku ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid. Ajo tregon se bashkëshorti e dhunonte prej kohësh, ndërsa nuk ka guxuar ta denoncojë për shkak të frikës.

Denoncimi u bë sot prej saj në uniformat blu, ndërsa bashkëshorti me iniciale F. M., u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij dhe për t’u përballur me veprën penale që do të përcaktohet nga prokurori i gatshëm.

Shkak për shtyrjen është një motiv banal, një gotë vaji siç thuhet nga ana e të dhunuarës. Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj, ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali.

Sipas burimeve nga spitali dhe bluzave të bardha, dëmtimet e shkaktuara nga dhuna, janë të pariparueshme, të cilët tregojnë se është shumë e vështirë për të kuruar totalisht këmbën e djathtë, dhe ka rrezik që të dëmtuarës të mos i funksionojë këmba.