Kontrolli i INUK: 11 pallate me shtesa të paligjshme katesh

    DURRËS- INUK ka vënë në listë Durrësin, i njohur si qyteti problematik dhe anarki për sa i përket ndërtimeve abuzive duke nisur nga pallatet e vilat deri tek lokalet, motelet dhe hotelet. Abuzimi konsiston në rritjen e kateve pa marrë dhe pa pyetur për shkeljen e kondicioneve teknike dhe urbanistike, dhe pa marrë lejen legale nga KRRT. Burime nga dega e INUK thanë se, “pas verifikimeve ka rezultuar se, gjatë viteve të fundit janë konstatuar nga specialistët e Urbanistikës dhe ekspertet e Ndërtimores, shkelje të shumta ligjore nga firma ndërtimi, që kanë të bëjnë me raste të tilla si shtesa katesh, apo devijime dhe ndryshime të projektit të paraqitur dhe miratuar nga KRRT e bashkisë apo komunës, duke ndotur mjedisin, rrezikuar jetën e banorëve, dhe vetë sigurinë e objektit”. Pallate të tilla të ndërtuara jo vetëm në vijën bregdetare , por edhe qytetin bregdetar, shumë shpejt do të jenë nën “pushtetin” e fadromave të INUK, e cila nga ka shpallur aksionin me moton “luftë antiligjit në Durrës”. Shkeljet dhe abuzimet janë konstatuar nga INUK në 11 pallate që rezultojnë me shtesa katesh të paligjshme, si dhe devijime të projektit të miratuar nga KRRT. Duke dalë mbi katet e miratuara, duket se pronarët e firmave ndërtuese, kanë dalë mbi ligjin, duke sfiduar shtetin prej vitesh. Por logjika që ka ekzistuar deri tani se, “me para mund të blesh çdo anëtar KRRT dhe shtetin”, duket se shpesh po sfidon edhe aksionet e INUK. Ekspertët e këtij institucioni  kanë nisur evidentimin e çdo dosjeje të arkivuar duke zbuluar deri tani 11 shkeljet e para, që padyshim do të bëhen publike dhe objekt i fadromave të saj në javët e ardhshme. Ndaj firmave ndërtuese, INUK do të zbatojë ligjin, pra veç prishjes së kateve shtesë, ajo do të dërgojë në organet kompetente edhe pronarët e tyre për të zbuluar skemën e abuzimit me lejet e dhëna nga KRRT. Vitet e fundit me pallatet është bërë një kasaphanë e vërtetë lidhur me zbatimin korrekt të projekteve nga ndërtuesit, duke u stimuluar kjo me neglizhencën e strukturave të tjera si Policia e Ndërtimit, e cila pothuajse ka qenë inefiçente në kryerjen e detyrës, duke lënë të shkelin hapur ligjet dhe kondicionet teknike madje edhe firma me emër në fushën e ndërtimit, por edhe firma fantazmë, që trumbetonin investimin e tyre duke mbledhur para nga klientët që apartamentin e blinin me vlerën e katit shtesë. INUK bashkë me evidentimin e shkeljeve do të përllogarisë edhe dëmin e madh financiar të shkaktuar nga firmat abuzuese, duke u faturuar atyre edhe padinë penale.

    NOA