Zbulohet 6 raste të abuzimit me produktet ushqimore. Gjurmimi do zbulonte kontrabandën nëse kanë hyrë nga jashtë, evazionin fiskal të tregtarëve vendas dhe parandalimin e helmimeve pasi janë pa vulë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se në Korçë ka zbuluar dhe goditur gjashtë raste të abuzimit me produktet e mishit dhe vezëve.
Siguria ushqimore në Shqipëri është pothuajse krejt e pa sigurt, aq sa duket sikur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, prodhuesit, importuesit dhe tregtarët vendas e atë të importit, janë bërë një “grup” dhe bashkëpunojnë me sukses të plotë, për të mbushur tregun shqiptar me prodhime të pasigurta, të cilat nëpërmjet deklaratave e disa veprimeve propagandistike tip “mësime treguese në terren”, u serviren konsumatorëve si “produkte të sigurta”.
AKU njofton se ka vendosur gjobat, por i ka marrë në mbrojtje subjektet duke mos i treguar emrat e tyre. Por kush janë shkelësit që AKU i ka fshehur emrat? AKU nuk i tregon emrat e firmave apo pronarët me emër dhe mbiemër, që janë kthyer në rrezik për qytetarët, por ka publikuar vetëm iniciale.
Shtrohen pyetjet: Cilët janë ato kompani ? Cilët janë subjektet që janë kapur me prodhime që nuk përputhen me të dhënat e etiketës? Pse nuk bëhen publike këto raste, sipas ligjit për informimin e konsumatorit, me qëllim që konsumatori, i cili paguan taksa për pagat dhe për administratën e AKU, të mos shkojë të blejë produkte të pasigurta që kanë emrat e këtyre subjekteve?
Konsumatorëve u thuhet se janë të X e Y firme dhe AKU nuk vepron! Sepse konsumatori nuk e di se cilët janë prodhuesit, importuesit dhe tregtarët e “ushqimeve vrasës” dhe shkon e blen, mbasi AKU nuk publikon falsifikatorët? A u hoq përgjithmonë licenca këtyre kompanive, si masa më e rreptë e penalizmit?
AKU njofton pa u dhënë përgjigje shqetësimeve të lartpërmendura, ja si njofton konsumatorët: “Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë monitorimit në qarkun Korçë në njësi të tregtimit të produkteve të mishit, mishit të pulës dhe të vezëve, ka konstatuar disa subjekte në cënim të sigurisë ushqimore, për tregtim të ushqimit të pasigurtë, në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi dhe afat të kaluar të përdorimit. Nga kontrollet e kryera në subjektet me iniciale “E”, “H.E”, “A.C”, “Ll”, “ZH” dhe “K.F”, u konstatua hedhja në treg e ushqimit të pasigurt për konsum, tregtimi i produktit vezë pa vulën përkatëse dhe të paetiketuara, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, tregtimi i produkteve ushqimore me afat të kaluar përdorimi si dhe ushtrim i aktivitetit i pa pajisur me licencën përkatëse. Për shkeljet e konstatuara trupa inspektuese e AKU-së vendosi 11 masa administrative gjobë me vlerë 2,100,000 lekë të rinj si dhe u bllokua sasia prej rreth 20,000 kokrra vezë dhe produkte të tjera ushqimore të pasigurta për konsum. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se do të vijojë me monitorime dhe kontrolle në të gjithë vendin në zbatim të ligjit për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit”- njofton AKU.

Standarte të dyfishta
AKU më herët njoftoi konsumatorët shqiptarë të mos konsumojnë salsiçet “Ëudy” e për të qenë sa më të besueshëm, përfaqësuesit e AKU, na treguan edhe numrin e Loteve që nuk duhet të konsumoheshin. Pra u tregua një farë transparence, që nuk e shohim te njoftimet zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve, pasi preferon të japë zakonisht vetëm iniciale. Po mesa duket ky ligj nuk vlen për të gjithë kompanitë, që nxit të mendohet se mos ndoshta është bashkëpunëtor me kompani të ndryshme, në shkëmbim të ryshfeteve e “pakove” ushqimore cilësore që marrin prej tyre!
Eksperti i Bujqësisë Granit Sokolaj iu përgjigj interesimit të “Telegraf” në lidhje më këtë situatë.Sokolaj shprehet se fakti që është vënë gjobë është diçka pozitive, por duhet ndjekur rruga nga koteci e deri të tregu në dobi të konsumatorëve. Deri tani nuk dihet të ketë dokument gjurmueshmëriu ta vërtetojnë. Duhet gjurmuar nëse janë marrë nga ndonjë fermë e vogël apo është sjellë kontrabandë nga jashtë, kjo do të nxjerrë në pah evasion fiskal të përmasave të mëdha.





















