Konkurs dhe profesionalizëm për vendet e punës në Bashki

SARANDË- Prej disa ditësh Bashkia e Sarandës, me interesimin direkt të titullarit Stefan Çipa, ka shpallur të hapur konkurrimin gati për çdo pozicion pune në këtë institucion të qeverisjes vendore, përjashtuar postet politike. Drejtoritë më të rëndësishme si ajo e Ekonomisë, Juridike, e Urbanistikës, e Tatim-Taksave, e Programim-Zhvillimit, e Turizmit, si dhe Drejtoria e Shërbimeve, e Burimeve Njerëzore, auditit etj., nga drejtuesi kryesor deri tek pozicioni i specialistit, janë shpallur vende të hapura për konkurrim. Synimi është për të sjellë dhe rekrutuar në këto pozicione njerëzit me eksperienca më të mira dhe me shkallë të lartë profesionalizmi.

Pas miratimit në Këshillin Bashkiak të një strukture organike më të lehtësuar dhe që propozon bashkime të disa drejtorive për vitin 2014, kërkesa për rritje të efektivitetit të punës së çdo nëpunësi në këtë bashki, vlerësohet parësore. Sipas Kryetarit të Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, sfida e tanishme është përzgjedhja e profesionistëve më të mirë, mbi bazën e konkurrueshmërisë. Sipas tij, askush nuk duhet të ndjehet i sigurt në vendin e punës, vetëm pse “ia ka marrë dorën punëve”. Pavarësisht në ka pak apo shumë vite që e mban atë pozicion, përparësi merr cilësia dhe vizioni me të cilat përballohen kërkesat në rritje dhe sfidat.  Prandaj një ndër kriteret e publikuara, është se konsiderohet e mjaftueshme edhe një eksperiencë minimale prej 4 vjetësh në profesion, me synimin për të afruar në stafet e institucionit të qeverisjes vendore sa më shumë mosha të reja dhe profesionistë të rinj, me formim bashkëkohor. Për të afruar në administratën e kësaj Bashkie kapacitete dhe specialistë të zotë, po ndiqet sistemi i konkurrimit të hapur, ku preferenca e vetme është aftësia dhe merita. Për ta bërë këtë një proces sa më të hapur, prej 6 shkurtit e në vijim, janë bërë njoftime publike në disa media të shkruara, sipas ligjit. Në ditët në vijim pranë bashkisë do të bëhen publike listat e pjesëmarrësve në konkurrim dhe në afatin 30-40 ditë pas publikimit në media, siç, parashikon ligji, do të zhvillohen konkurset. Për këtë në Bashki janë duke u ngritur komisionet Ad Hock, në përbërje të të cilave ka edhe specialistë të fushës, që nuk kanë asnjë lidhje me Bashkinë. Kjo pritet ta bëjë procesin sa më selektiv dhe konkurrimin sa më real, ku të konkurrojnë vlerat dhe jo emrat. Për të qenë të barabartë në konkurrim, drejtorëve aktualë u është kërkuar dorëheqja nga Kryebashkiaku Çipa. I gjithë muaji shkurt dhe gjysma e parë e muajit mars, pritet të jetë periudha e përgatitjes dhe e zhvillimit të konkurseve për stafet e reja, më profesionale, të drejtorive në Bashkinë e Sarandës, çka do të hapë rrugën edhe për marrjen e statusit të nëpunësit civil.

NOA