Koloni edukimi për romët dhe egjyptianët

911
Prej 25 vitesh e sidomos në 10 vitet e fundit, në kuadër të respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, prej BE, OSBE dhe institucioneve monitoruese ndërkombëtare po kërkohet me këmbëngulje, që shteti shqiptar t’i jap fund diskriminimit të njerëzve për shkak të racës, fesë, ngjyrës, paaftësisë fizike, etnisë etj, duke vendosur këtë si 1 ndër 3 kriteret kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE. Mirëpo shteti shqiptar, ndërsa në zyrat e BE, OSBE dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë dhe financojnë barazinë shoqërore në Shqipëri, vazhdon e dërgon “letra” se gjoja në Shqipëri është zhdukur diskriminimi dhe ka barazi shoqërore, në praktikë vazhdon të lejoj e madje të ligjëroj edhe me vendime qeverie racizmin, duke ideuar e zbatuar projekte për diskriminim e hapur e masiv të komuniteteve me ngjyrë! 
Fëmijët rom e egjiptian, të “kolektivizuar” vetëm në… 1 shkollë!
Sot, po ndalemi në një skandal të rëndë, që ndodh prej disa vitesh në Korçë, si “shpikje” tipike e skandaloze raciste, bërë dhe realizuar në praktik prej ish-Krye-bashkiakut Niko Peleshi, prej 2 vitesh me detyrë të lartë shtetërore si zv/kryeministër i Qeverisë “Rilindja”. Ndërsa BE, kërkon të mos ketë racizëm me arsimin e fëmijëve rom e egjiptianë, në Korçë kjo po ndodh turpshëm e masivisht, duke e bërë racizmin ndaj komunitetit rom e egjiptian, “simbol” ekstrem të qëndrimit të qeverisë, të ideuar e zbatuar prej zv/kryeministrit Peleshi, i cili gjatë sundimit të tij në krye të bashkisë së Korçës, përveç aferave korruptive me fondet e investimeve e shërbimeve publike të qytetit, ka manifestuar haptazi edhe racizmin ndaj komuniteteve rom e egjiptian. Skandal-turpi me racizmin shtetëror në Korçë, nuk ka lidhje me votat që Peleshi u ka marrë në çdo palë zgjedhje romëve e egjiptianëve të Korçës me premtime false, por ka lidhje me diferencimin dhe “veçimin” fizik që Peleshi u ka bërë e po u bënë ende atyre, me mënyrën e diskriminuese e të turpshme në arsimimin e fëmijëve. Me një projekt 3.2 milionë dollarë, të menaxhuar financiarisht nga OJF lokale e qendrore që kontrollohen prej familjarëve, ortakëve në biznese dhe miqve të Niko Peleshit në Korçë e Tiranë dhe të disa familjarëve të deputetëve e ministrave që kanë OJF me program integrimin dhe barazinë në trajtimin arsimor të këtyre komuniteteve, fëmijët rom e egjiptian të ciklit arsimor 9 vjeçar, nuk janë lejuar për t’u regjistruar në shkollat 9 vjeçare të lagjeve e zonave ku ata banojnë. Pse? Sepse, sipas projektit “Peleshi” të futur në zbatim përpara 8 viteve kur nisi detyrën si kryetar bashkie i qytetit të Korçës, këta nxënës vazhdojnë të zhvillojnë mësim, të grumbulluar vetëm në një shkollë të qytetit, të veçuar nga moshatarët e tyre jo rom e jo egjiptian! 
A di BE, që edhe viti mësimor 2015-2016 në Korçë, nisi me “shkollë racore”?
Fakti është ky: Fëmijët rom dhe egjiptian në Korçë, të cilët vazhdojnë arsimin 9 vjeçar, nuk janë lejuar të jenë pjesë e nxënësve kolektivave të nxënësve në shkollat e tjera të këtij qyteti, mbasi me një projekt të bashkisë Korçë, të futur në veprim prej Niko Peleshit në vitin 2007 dhe të vazhduar prej kryebashkiak Filos së lënë si trashëgimtar prej Peleshit, fëmijët romë dhe egjiptianë janë “kolektivizuar” për mësim vetëm në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri”. Në këtë shkollë, të gjithë nxënësit janë fëmijë të komuniteteve rom e egjiptian. Përse? Kështu ka vendosur Bashkia, kështu ka miratuar Drejtoria Arsimore Rajonale, kështu ka dhënë miratimin Ministria e Arsimit, kështu ka bërë VKM edhe Qeveria “Rilindja”, procedurë që përsëritet formalisht në çdo fillim viti shkollor, me të njëjtin tekst VKM-je, të cilit i ndryshohet vetëm viti, data, numri dhe emri kryeministrit sipas qeverive! Ky “kolektivizim mësimor racor” në Korçë, që ka shkëputur fëmijët rom e egjiptian nga fëmijët e tjerë dhe i ka “grumbulluar” ata për të bërë mësim vetëm në një shkollë të qytetit, përbën skandal me emrin “RACIZËM”! Ky skandal dhe turp, që ndodh në Shqipërinë e vitit 2015, qeveria e të cilës ka në tavolinë si “tezë provimi” edhe dhënien e provave përfundimtare të mos diskriminimit racist, ka ndeshur në denoncimin e shoqatave të romëve e egjiptianëve, të cilët kanë kërkuar nga bashkia Korçë, nga Drejtoria Arsimore, nga MAS dhe nga Qeveria, që t’i jepet fund këtij skandali të turpshëm, që i veçon fëmijët e tyre në një “shkollë 9 vjeçare raciste”, të shkëputur nga fëmijët e tjerë! Por nuk ka pasur reagim as nga Bashkia, as nga Drejtoria Arsimore, as nga MAS dhe as nga Qeveria, për të ndalur e zhdukur këtë turp shoqëror që ndodh me shkollimin e fëmijëve në Korçë, akt shtetëror ky, që i ndanë edhe fëmijët sipas racave e ngjyrave, duke grumbulluar nëpër… “shkolla racore”! Ky “racizëm shkollor”, me veçim vetëm të fëmijëve rom e egjiptianë, vazhdon edhe këtë vit shkollor, ligjëruar me VKM Nr. 680, datë 29. 07. 2015, botuar në “Fletoren Zyrtare” Nr. 145, datë 10 gusht 2015, VKM që cakton shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri”, si “shkollë të fëmijëve romë e egjiptianë” të Korçës! Përse ndodh dhe lejohet kjo ndarje mësimore raciale vetëm e fëmijëve romë e egjiptianë në Korçë, duke i grumbulluar në një “shkollë racore”?! Përse qeveria “Rilindja”, konkretisht Ministria e Arsimit po arsimon fëmijët rom e egjiptian, sipas projektit financiar të OJF-ve të ish-krye-bashkiakut të Korçës dhe zv/kryeministrit Niko Peleshi, me objekt racizmin në trajtimin e nxënësve të ciklit mësimor 9 vjeçar?! 
Ja VKM “fotokopje”, që ligjërojnë çdo vit “racizmin shkollor” në Korçë 
Sipas regjistrave të numrit të banorëve të Korçës, aktualisht rezulton se në Lagjen Nr. 6 janë 5512 romë dhe egjiptianë, në Lagjen Nr. 7 janë 3719, në Lagjen Nr. 8 janë 5137 dhe në Lagjen Nr. 17 numri i tyre është 7398 banorë. Në këto zona të Korçës, ku banojnë romë dhe egjiptianë, gjenden shkollat publike 9 vjeçare “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Asdreni”. Kujtojmë, që shkolla publike 9 vjeçare “Naim Frashëri” i ka 100% të nxënësve fëmijë të komuniteteve egjiptian dhe rom. Kjo shkollë 9 vjeçare, për vitin mësimor 2014-2015, ka pasur 322 nxënës, nga të cilët 65 kanë qenë fëmijë rom dhe 257 fëmijë egjiptianë. Janë të njëjta vendimet e qeverisë. 
1. Ja teksti i VKM Nr. 700, datë 10. 10. 2012: “Miratimi i projektit “pilot” për masat për nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve rom dhe egjiptianë të Shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë, për vitin shkollor 2012-2013”. 
2. Ja teksti i VKM Nr. 665, datë 7.8.2013: “Miratimin e projektit “pilot” për masat për nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve rom dhe egjiptianë të Shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2013-2014”.
3. Ja teksti i VKM-së Nr. 678, datë 15. 10. 2014: “Miratimi i projektit “pilot” për masat për nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve rom dhe egjiptian të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë për vitin shkollor 2014-2015″.
4. Ja teksti i VKM-së Nr. 680, datë 29. 07. 2015: “Miratimi i projektit “pilot” për masat për nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve rom dhe egjiptian të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë për vitin shkollor 2015-2016″.
—————————– 
Skandal, turp, poshtërim racor
Qeveria “peshkon” fëmijët rom e egjiptian me “karemin” 76 lekë ushqim në ditë, që të shkojnë në shkollë
Mos u çuditni, por ky është fakt. Me një “shpikje” të urdhëruar për zbatim prej zv/kryeministrit Niko Peleshi dhe aprovim të Ministrisë së Arsimit, Qeveria “Rilindja” ka miratuar VKM nr. 680, datë 29. 07. 2015: “Për miratimin e projektit “pilot” për masat për nxitjen e të nxënit, vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve rom dhe egjiptian të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë për vitin shkollor 2015-2016″, ku përcakton edhe një “marifet”, për të siguruar frekuentimin e tyre në shkollë. Për të “peshkuar” fëmijët rom e egjiptian, që të shkojnë çdo ditë në shkollë, qeveria ka futur në veprim “shpikjen” e Niko Peleshit, duke përdorur si “karem” dhënien e një vakti ushqim falas në formë “burse”, për 289 fëmijët rom e egjiptianë të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri”. Po sa është kjo “bursë” ushqimore që jep qeveria? Është vetëm 76 lekë të reja në ditë për çdo fëmijë të komunitetit rom e egjiptian, që është nxënës në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri”. Çfarë produktesh, çmim, kalori e peshë ushqimore përfshin kuota 76 lekë në ditë? Pa bërë komente, po publikojmë tabelën e kuotës ushqimore, që qeveria i jep fëmijëve romë e egjiptian të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Korçë, me qëllim që ata të joshen e të shkojnë çdo ditë në shkollë. Dhe, mos u çuditni, por këtë ushqim ua japin pas mësimit mësuesit kujdestar, nga… “vrima” të hapura në dyert e klasave!
Sigal