Kokainë, kanabis, vjedhje dhe ngacmime seksuale, arrestohen 11 persona në Tiranë

172
Sigal

Gjatë orëve të fundit në Tiranë janë arrestuar 11 persona për vepra të ndryshme penale.

Katër prej tyre janë arrestuar pasi gjatë kontrollit fizik nga policia, u janë gjetur doza kokaine dhe kanabisi.

Katër persona janë arrestuar për vepra të tjera si vjedhja, drejtimi i makinës në mënyrë të parregullt si dhe për posedimin e armëve të ftohta si thika apo doreza metalike.

Njoftimi i policisë:

Vihen në pranga 11 shtetas, 4 prej tyre të shpallur në kërkim, dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– E. P., 40 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për ndalim. Pas ndalimit, gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin me leje drejtimi të pezulluar, ndërsa gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa;

– L. Sh., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë;

– S. Zh., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa;

– A. Gj., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Specialistët e Seksionit të Kërkimit bënë kapjen e shtetasve:

– K. M., 38 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”;

– Osman Nenada, 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë kapjen  dhe ndalimin e shtetasve:

– Ç. V., 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”;

– D. M., 32 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– G. A., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një përforcues grushti (dorezë metalike);

– E. D., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mjete prerëse (thika).

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 26 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.