Kokaina në Durrës, skenari nuk ndryshon: Çfarë zbuloi Artan Hoxha pak muaj më parë

238
Sigal

Në portin e Durrësit është kapur sërish kokainë. Edhe këtë herë, lënda narkotike ka mbërritur me kontejnerë nga Ekuadori për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”. Policia ka bërë me dije se është kapur 10 kilogramë e 185 gramë kokainë.

Kjo është e gjashta herë që kapet kokainë në kontejnerët e kësaj firme. Asgjë nuk ka ndryshuar, intenerari dhe fshehja e drogës është e njëjtë. Lënda narkotike ishte vendosur te kapakët e motorëve frigoriferikë të kontejnerit.

Pak muaj më parë, gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje në ABC për mënyrën sesi fshihet kokaina në këtë pjesë të kontejnerit. Në muajin korrik, gazetari publikoi pamje të një kontejneri të dëmtuar në pjesën frigoriferike, ku dyshohet se ishte marrë lënda narkotike. Asokohe, u kap nga policia 12 kg kokainë në një kontejner, ngarkesa e radhës për firmën “Alba Exotic Fruit”.

Hoxha sqaroi se sasia e lëndës narkotike e kapur nga policia ishte shumë e vogël dhe ngre dyshimet se pjesa tjetër është marrë. Policia dhe prokuroria e mbyllën shpejt këtë ngjarje duke i vendosur dy kapakë të rinj kontejnerit. Sipas gazetarit, droga vendoset në pjesën e motorit të frigoriferit të kontejnerit dhe merret nga përpara se të kalojë në skaner.