Kontrolli
i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 733/1 prot,
datë 08.7.2016 dhe nr. 733/2, datë
11.10.2016,
ka përfunduar auditimin në Bashkinë
Dibër dhe 14 Njësi Administrative Zall-Reç, Melan, Maqellarë, Lurë, Zall-Dardhë, Tomin, Selishtë, Muhurr,
Sllovë, Kala-Dodës, Arras, Kastriot, Fushë-Çidhen dhe Luzni, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për
periudhën 01.07.2014-30.06.2016”. Me Vendimin nr. 151, datë 19.12.2016 të
Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me
shkresën nr. 733/12, datë 23.12.2016, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar
Bashkisë Dibër masa me karakter organizativ dhe masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në
vlerën totale 80,7 milion lekë, nga ku
përmendim: Në 38 raste janë dhënë leje ndërtimore mbi troje shtetërore, por pa
ju llogaritur qiraja e truallit për m2, në vlerën prej 58,7 milion
lekë.
Në 7 raste janë konstatuar mosshlyerje e detyrime
kontraktore nga subjektet qiramarrëse në vlerën prej 9,4 milion lekë.
Në 2 raste janë realizuar investime nga ku ka
rezultuar se janë paguar subjektet private zbatues të investimit për punime të
situacionuara por të pa kryera në fakt në vlerën prej 5 milion lekë. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje
dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të
procedurave të prokurimit publik lidhur me vlerësimin e ofertave ekonomike, për
investimin
“Sistemim asfaltim rruga e fshatit Bllatë e Poshtme dhe Bllatë
e Epërme”, Komuna Maqellarë” dhe
konkretisht: Nga KVO është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomik (BOE)
me ofertë më të lartë duke skualifikuar pa të drejtë ofertën ekonomike më të ulët,
ku nga diferenca e ofertës ekonomike më të ulët, e skualifikuar pa të drejtë,
me ofertën e shpallur fituese të tenderit, është shkaktuar për pasojë dëm
ekonomik në vlerën prej 3,230 mijë lekë.
Skualifikimi i operatorit me ofertë më të ulët është
bërë me argumentin se “Nuk përmbush
kriterin për kryerjen e punimeve të përcaktuara në aktin e marrëveshjes mes
tyre si bashkim operatorësh ekonomikë sipas përqindjes së përcaktuar në këtë
akt marrëveshje. Për makineritë e kërkuara për kryerjen e punimeve, pika g, Kritere
të veçanta të kualifikimit, edhe në disa raste dokumentacioni shoqërues nuk
është i qartë dhe vështirësisht i lexueshëm”, në fakt sipas dokumentacionit
të ngarkuar në sistemin elektronik nga BOE i skualifikuar, rezulton se ka
përmbushur kriterin për punë të ngjashme dhe përmbush kriterin për aftësi
teknike e profesionale”, duke bërë që
argumentimi i KVO të jetë i pabazuar dhe të jetë marrë në kundërshtim me nenet 1, pika 2, germa d/dh, nenin 2, 20,
nenin 53, pika 4, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”
i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave për
Prokurimin Publik”.
KLSH, duke
i konsideruar veprimet e kryera nga B.S.
në cilësinë e Kryetarit të KVO, B.GJ.
dhe G.M. në cilësinë e anëtarëve të
KVO, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të
dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me
shkresën nr. 533/14 datë 23.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së
Rrethit Gjyqësor, Dibër, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave
penale “Shkelja e barazisë së
pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të
Kodit Penal.
V.O. Në web-in e KLSH gjendet i
plotë Vendimi nr. 151, datë 19.12.2016 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me
këtë auditim.