“Konvergjenca e Shqipërisë me BE-në: Kohezioni dhe Konkurueshmëria”, ishte treyza e radhës e organizuar në Tiranë, si pjesë e eventeve të edicionit të 30 të Panairit Klik Ekspo Group, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve evropiane dhe aktorë kyç shqiptarë për të diskutuar mbi integrimin e përshpejtuar të vendeve të Evropës Jug-Lindore dhe ndikimin e tij në politikat e Kohezionit dhe Konkurueshmërisë të Bashkimit Evropian.
Tryeza u organizua nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në partneritet me Presidencën Hungareze të Këshillit të BE-së, në prag të Këshillit Informal të Ministrave të BE-së që do të zhvillohet më 8 nëntor në Budapest.
Gjatë diskutimeve, u theksua se vendet e Evropës Jug-Lindore, të cilat janë de facto të integruara në sistemin ekonomik të BE-së, jo vetëm që përfitojnë nga politikat e Bashkimit Evropian, por gjithashtu kontribuojnë në forcimin e pasurisë, sigurisë dhe qëndrueshmërisë së BE-së. Këto vende ofrojnë mundësi të rëndësishme për ekonominë e BE-së në fusha të tilla si energjia, transporti dhe materialet kritike të papërpunuara.
Drejtori i Kërkimit pranë Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ardian Haçkaj, paraqiti tezën “Aderim para Anëtarësimit”, sipas së cilës Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në procesin e politikbërjes të BE-së para se të bëhen anëtare të plota. Kjo do të mundësonte një proces më të qetë dhe më të efektshëm të zgjerimit, duke rritur kohezionin dhe konkurueshmërinë në nivelin rajonal dhe të BE-së në tërësi.
‘’Takimi i sotëm zhvillohet në vazhdën e përpjekjeve që po bën Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, edhe si një nga konkluzionet e Forumit të Ndërlidhshmërisë së Tiranës mbi tezën që kemi ne, është aderimi para anëtarësimit, që do të thotë që jo vetëm Shqipëria, por dhe vendet e tjera kandidate mund dhe duhet të marrin pjesë në politikbërjen e Bashkimit Europian, përpara se të bëhen anëtar, në sensin që ne vazhdojmë tratativat, negociatat, hapjen dhe mbylljen e kapitujve, ndërkohë asgjë nuk na pengon që të jemi më aktiv, të kemi më tepër ndikim, të marrim pjesë në të gjitha programet, edhe projektet që Bashkimi Evropian ka në dispozicion edhe nga të cilat ne mund të përfitojmë,’’ theksoi Haçkaj në deklaratën e tij.
Haçkaj u shpreh se, “ne jemi në këtë rast krenar dhe të nderuar që presidenca hungareze një ditë përpara këshillit informal të ministrave që organizohet në Budapest, organizoi këtë event në Tiranë për të marrë informacion nga baza, nga vendi ku ndodh, nga rajoni, mbi cilat janë kontributet që ky rajon mund të jap në të mirë të ekonomisë europiane”.
“Ne kemi përdorur raportin e Mario Draghit që ka dalë së fundmi dhe kemi identifikuar sektorët e aktivitetit ku vendet dhe kompanitë e Ballkanit mund të jenë aktorë pozitivë, kontribues pozitivë për konkurueshmërinë e Europës duke filluar që nga materialet kritike si për shembull litiumi, bakri, kobalti etj, duke vazhduar me energjinë e pastër, duke vazhduar me rrjetin e transportit, pasi Ballkani ndodhet i rrethuar nga vende anëtare, kështu që një përmirësim i rrjetit të transportit këtu, ul dhe kostot, përmirëson qasjet e vendeve të BE-së, bizneseve të BE-së në burime natyrore në tregje nga më të ndryshmet. Po ashtu ajo që u vu re dhe që u përmend në këtë tryezë të rrumbullakët, sigurisht që është edhe potenciali që kanë vendet tona për të marrë pjesë në zinxhirin e vlerës së kompanive europiane, duke ofruar mundësi industriale të ndryshme, mundësi manifakture e kështu me radhë”, theksoi Haçka.
Një nga risitë kryesore të tryezës ishte ndryshimi i këndvështrimit për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, jo vetëm si përfitues të fondeve të BE-së, por edhe si kontribues në forcimin e konkurrueshmërisë, kohezionit dhe stabilitetit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në një periudhë të ngarkuar nga ndryshimet gjeopolitike.