Klik Ekspo Group katalizator i bashkëpunimit rajonal, 12 mijë kompani pjesëmarrëse në 30 vite

82
Sigal

30 vjet Klik Ekspo Group, ‘shtëpia’ e 12 mijë kompanive në tre dekada panair

Investimet rajonale në Shqipëri, Luel Muhametaj: Të përjashtohen nga TVSH kompanitë pjesëmarrëse në panaire

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, Klik Ekspo Group, ka mirëpritur mbi 12,000 kompani, 8,400 prej tyre të huaja, në 30 vite të rrugëtimit të tij. Këto shifra janë një dëshmi e qartë e besimit që komuniteti global i biznesit ka krijuar tek Klik Ekspo Group, ndërkohë që në këtë vit jubilar panairi vazhdon traditën e tij të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar me kompani pjësëmarrëse nga mbi 15 vende të botës.

Në ditën e parë të çeljes së edicionit të 30-të të panairit u mbajt Tryeza e Bashkëpunimit Rajonal, ku fokusi i diskutimeve ishte lehtësimi i barrierave financiare për tregtinë mes vendeve të Ballkanit dhe më gjerë. Në këtë drejtim u ndal edhe zv.presidenti i Klik Ekspo Grup, Luel Muhametaj, në fjalën e tij hapëse, ndërsa theksoi rëndësinë e aktivitete të tilla me në fokus investimet dhe tregtinë, ku bashkëpunimit rajonal është një temë që ka qenë qendrore për Panairin Ndërkombëtar të Tiranës që nga fillimi i tij.

‘’Gjatë 30 viteve të fundit, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është shndërruar në një platformë të rëndësishme për nxitjen e marrëdhënieve ndërkufitare, bashkëpunimeve ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Sot, dua të diskutoj si ndikimin e panairit në bashkëpunimin rajonal, ashtu edhe një hap thelbësor që duhet të marrim parasysh për të stimuluar më tej partneritetet e huaja në Shqipëri. Një masë e rëndësishme do të ishte shqyrtimi i ofrimit të stimujve tatimorë për kompanitë e huaja që marrin pjesë në panaire. Aktualisht, këto kompani përballen me TVSH-në standarde prej 20%, e cila mund të jetë një kosto e konsiderueshme për ata që janë të rinj në treg. Duke përjashtuar kompanitë e huaja nga TVSH-ja, ose të paktën duke ulur këtë taksë për kohëzgjatjen e eventit, mund ta bëjmë Shqipërinë një destinacion më tërheqës për ekspozuesit dhe investitorët ndërkombëtarë. Imagjinoni ndikimin e një stimulimi të tillë: kompanitë e huaja, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që përndryshe mund të hezitonin për shkak të kostove, do të kishin motivim më të madh për t’u angazhuar në tregun tonë. E gjitha kjo do të dërgonte një mesazh të qartë se Shqipëria është e përkushtuar për të mirëpritur partneritetet globale dhe për të nxitur një mjedis ku bashkëpunimi inkurajohet, jo i ngarkuar nga barriera shtesë financiare. Ky përjashtim nga TVSH-ja jo vetëm që do të rriste pjesëmarrjen e huaj në panaire, por do të kontribuonte edhe në zhvillimin tonë afatgjatë ekonomik,’’ tha z.Muhametaj.

Grant Van Cleve si përfaqësues i Dhomës Amerikane të Tregtisë,  dha një mesazh të qartë ndërsa iu drejtua vendeve të Ballkanit Perëndimor: ‘’Ju jeni në një proces të integrimit, jo vetëm Shqipëria, por edhe shumë vende të rajonit me Bashkimin Evropian. Ky është edhe qëllimi juaj kryesor për tregtinë dhe zhvillimin e ardhshëm. Por nuk mendoj se Amerika është jashtë këtij skenari. E them këtë sepse është e natyrshme: ekonomia më e madhe në botë, superfuqi, gjeopolitikisht, padyshim që jemi një faktor. Por gjithashtu e di që, edhe pse jemi ekonomia më e madhe në botë, marrëdhëniet tregtare midis vendit tonë dhe Shqipërisë nuk janë ndër më të ngushtat. Shpeshherë, ndikimi ynë ekonomik është më i ulët se ndikimi ynë politik. Jam gjithashtu i vetëdijshëm se disa vende të rajonit kanë një vlerësim më të ulët për Amerikën sesa Shqipëria dhe Kosova. E pranoj që ndonjëherë nuk jemi të vlerësuar, dhe gjithashtu e di që performanca jonë ekonomike këtu mund të ishte më e mirë. Megjithatë, vetëm para pak orësh, presidenti i Serbisë, Vuçiç, publikoi një mesazh ku tha se bashkëpunimi me kompanitë amerikane nuk sjell vetëm kapital, por gjithashtu transferim teknologjie dhe eksperiencë të vlefshme për modernizimin dhe menaxhimin e projekteve. Ne kemi përvojë në infrastrukturë dhe kemi realizuar projekte të shumta inxhinierie dhe ndërtimi, duke filluar me hekurudhën Shqipëri-Kosovë. Ndërsa e zgjeruam më tej, kuptuam që mund të bëhej një zgjidhje rajonale. Kjo qasje rajonale mund të ndihmojë zgjidhjet lokale më mirë. Nuk është thjesht për të lidhur Kosovën, por për të përfunduar lidhjen deri në Nish, Serbi, dhe ndoshta deri në Podgoricë, Mal të Zi. Nëse krijojmë një linjë hekurudhore që shkon nga Podgorica në Mostar, Bosnje, mund të kontribuojmë në konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, si dhe të krijojmë një rrugë të qëndrueshme drejt prosperitetit,’’ theksoi Grant Van Cleve në fjalën e tij.

Pjesë e tryezës rajonale ishte edhe Refik Xhemaili, drejtor i Agjencionit për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili po në të njëjtën linjë me z.Muhametaj tha se nevojiten më shumë lehtësira tatimore në marrëdhëniet tregtare mes vendeve të Ballkanit. ‘’Ballkani me pozicionin e tij gjeografik si një urë lidhëse midis Evropës, Azisë dhe lindjes së mesme ofron mundësi për bizneset që duan të hyjnë në tregjet europiane dhe te eksportojnë në rajone të ndryshme. Pozicioni ynë oforn rritje të konkurencës dhe akses përmbi 650 milionë konsumatorë në një treg dinamik dhe rritje kualitative të volumit të tregtisë me rreth 9 % në vit. Gjatë 5 viteve të fundit tregjet e Ballkanit po bëhen gjithnjë e më tërheqëse. Adresimi në CEFTA sjell përfitime të konsiderueshme për vendet e Ballkanit duke mundësuar akses më të lehtë në tregjet rajonale, duke ulur tarifat dhe duke lehtësuar barrierat tregtare. CEFTA lehtëson rrugën drejt integrimit në BE duke përafruar me standardet dhe rregulloren europiane si dhe duke stimuluar reformat institucionale që përmirësojnë mjedisin për biznes dhe investime. Përveç kësaj stimulon investime në infrastrukturë duke lehtësuar tregtinë ndërkufitare. Ky partneritet krijon mundësi për rritjen ekonomike dhe hap tregje të reja, por ende ka sfida që e kufizojnë tregtinë ndërkufitare, si mospërputhja në rregullore, procedura të ndryshme doganore dhe kosto dukshëm më të larta logjistike, të cilat janë 2 deri 3 herë më të larta se masatarja në Bashkimin Europian,’’

Edhe Fiona Beqiri në emër të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, theksoi se bashkëpunimi rajonal është një mundësi e mirë për rritjen dhe zhvillmin ekonomik, ku Shqipëria është e përkushtuar të ndërtojë ura lidhëse në të gjithë Ballkanin, duke shfrytëzuar burimet unike, pozicionimin strategjik dhe fuqinë punëtore të kualifikuar për të kontribuar në mënyrë domethënëse për një ekonomi rajonale të fuqishme dhe të bashkuar. Në këtë proces sipas saj AIDA është e angazhuar të tërheqë investime të huaja, të mbështesë SME-të dhe të promovojë eksportet. ‘’Agjencia jonë ka dëshmuar drejtpërdrejt se si tregtia dhe investimet ndërkufitare sjellin përfitime reciproke për ekonomitë tona. Çdo biznes që zgjerohet përtej kufijve krijon vende pune, nxit inovacionin dhe rrit aftësitë e njerëzve tanë. Në AIDA, ne jemi të përkushtuar për të lehtësuar këto lidhje dhe për të promovuar rajonin e Ballkanit si një treg dinamik dhe i integruar. Megjithatë, për të vazhduar përparimin, ne duhet të adresojmë sfidat që mbeten, logjistika, barrierat rregullatore dhe standardizimi janë disa nga fushat kritike për përmirësim të mëtejshëm. Shpresoj se diskutimet tona sot do të hedhin dritë mbi zgjidhjet praktike të këtyre çështjeve’’ theksoi më tej ajo, ndërsa shtoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është shumë e dobishme për tregtarët ndërkufitarë duke reduktuar barrierat tregtare brenda rajonit.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, tashmë është shndërruar në simbolin identifikues të biznesit shqiptar në botë, por njëkohësisht dhe një urë lidhëse mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja, dhe në këtë edicion të 30-të tij do të qëndrojë i hapur në datat 6,7,8,9 nëntor në Pallatin e Kongreseve, për të mirëpritur qindra vizitorë të interesuar.