Kërkuan rritje të çmimit, refuzohen kërkesat e ujësjellësve të Shkodrës, Beratit dhe Elbasanit

39
Sigal

Enti Rregullator i Ujit ka refuzuar kërkesat e tre ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve për të rritur tarifat. Shoqëritë e Shkodrës, Beratit dhe Elbasanit, që furnizojnë rreth 500 mijë qytetarë në 16 qytete kishin kërkuar në fund të shtatorit për ndryshim tarifash. Enti Rregullator i Ujit ka bërë publike edhe arsyet e refuzimit, nisur nga shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve në kryeqendrën e veriut.

“Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër është një shoqëri e re e themeluar me datë 05.04.2023 në zbatim të VKM nr.302, datë 11.05.2022 “ Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura dhe është e pa licencuar nga ERRU.”

Për shoqërinë e Beratit, që përfshin edhe Kuçovën, Dimalin, Poliçanin dhe Skraparin shkak për rrëzimin e kërkesës për nivel të ri tarifash është bërë mungesa e një sërë dokumentesh në dosjen e aplikimit.

“Te raporti i detajuar për gjendjen teknike të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve sa i takon procesit të miratimit të tarifave”, i ndryshuar, konkretisht nuk është respektuar afati i njoftimit dhe nuk është marrë miratimi i ERRU-së për prezantimin e propozimit, për rrjedhojë seancat janë zhvilluar pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ERRU-së.”

Për arsye të ngjashme është rrëzuar edhe kërkesa e Shoqërisë Rajonale Elbasan që mbulon me shërbim edhe Peqinin, Belshin, Cërrikun, Librazhdin dhe Gramshin.

“Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan e ka zhvilluar seancën dëgjimore me publikun në respektim të pikës 1, të nenit 13 “Procedura dhe afatet e miratimit të tarifave. Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan nuk ka respektuar akt marrëveshjen e nënshkruar me ERRU-në për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.”

Rritje të tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm kanë kërkuar pranë ERRU edhe shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit, Fierit dhe Lezhës, që përfshijnë një total prej 12 qytetesh.