Kërcënohet me jetë myftiu i Tiranës

706
Shkakton debate të ashpra vendosja e dy monitorëve gjigandë përpara monumentit të Skënderbeut gjatë faljes për Kurban Bajram. Komuniteti: Asgjë e qëllimshme
Mungesa e një xhamie vazhdon të sjellë probleme për besimtarët myslimanë në rastet e festave, ku edhe pjesëmarrja e njerëzve është më e madhe. Edhe këtë vit, lutja e mëngjesit e festës së Kurban Bajramit, u bë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në pritje të përfundimit të Xhamisë së Namazgjasë, përballë selisë së Kuvendit. Për nga madhësia e saj, kjo xhami pritet të shmangë faljet në shesh të besimtarëve shqiptarë, ndërsa më parë ata shfrytëzonin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pikërisht vendi i zgjedhur dhe mënyra e organizimit të faljes kanë shkaktuar një debat të madh gjatë ditës së djeshme, për atë që u cilësua nga një pjesë e opinionit publik si skandal. Përpara monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u vendosën dy monitorë të mëdhenj për t’u parë nga besimtarët e shumtë. Në kohën kur vendimi i parë i qeverisë “Rama 2” pritet të jetë shpallja e 2018-s si viti i Skënderbeut, për shkak të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, nuk munguan reagimet e ashpra për vendosjen e monitorëve të mëdhenj. Reagime të ashpra, që kanë shkuar deri në kërcënimin me jetë të drejtuesve të Komunitetit Mysliman. 

Në një reagim për mediat myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, sqaroi se situata është krejt ndryshe nga shpërthimet në rrjetet sociale. Gurra tha se vendosja e monitorit është bërë 10 metra larg monumentit të Skënderbeut dhe nuk ka asnjë qëllim për të mbuluar imazhin e tij, të konsideruar dhe të pranuar si Hero Kombëtar, edhe nga ana e myslimanëve. “Është absurde, është gjëja më non sens që mund të ndodhte, nëse ka njeri në komunitet që mendon, se në rastet e një faljeje të Bajramit do të çonim nëpër mend të mbuluarit e bustit, çfarëdo busti, qoftë edhe ai i Heroit tonë Kombëtar”, u shpreh Gurra. Ai ka nënvizuar në një shpjegim për “Express”, se për sa i përket idhujtarisë, në rastet e faljes së namazit në shtëpi, “është e këshillueshme, e sugjerueshme që të mos ketë pamje frymore, (një portret -njeriu ose kafshe) por kjo nuk përjashton në mënyrë kategorike të mos mbajturit e tyre”. “Kur falesh në dhomë, ajo thjesht duhet të mos jetë vizuale, e dukshme për ty. Nëse pas ndonjë xhamie do të ishte ndonjë bust, idhujtarinë që mund të ushqejmë ne, na mbron një mur ndarës i xhamisë? Kjo është absurde! Ndërsa në rastin e faljes në sheshin ‘Skënderbej’, pjesa drejtpërdrejt e sheshit Bajramin e kaluar është lënë bosh, për shkak se në shesh kishte monitorë të gatshëm të Bashkisë së Tiranës (të vendosur në pjesën me gungë në mes të sheshit)”, sqaron myftiu. Ylli Gurra ka theksuar se organizimi i faljes u bë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe ekranet ishin më të mëdhenj se në Bajramin e vogël në qershor. “Këtë vit nuk pati një strukturë të ngritur nga Bashkia dhe për efekt teknik, monitorët u vendosën në lartësi të tillë, që pjesa e ngritur në mes të sheshit të mos i pengonte shikimin besimtarëve që ndodheshin pranë Hotel Tiranës. Kjo për shkak se sheshi vjen me ulje kur i afrohesh bustit të ‘Skënderbeut’”, shtoi Myftiu i Tiranës.

Për situatën e krijuar dhe akuzat e ngritura se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka bërë me qëllim mbulimin e bustit të Skënderbeut, për shkak se nuk e pranon Heroin Kombëtar, Ylli Gurra thotë se ka marrë edhe kërcënime me jetë. “Unë kam marrë edhe kërcënime me jetë, në ‘Facebook’. Persona me emër mbiemër. Një pjesë duket nga Kosova. I mëshojnë shumë pjesës që ‘ju nuk jeni shqiptarë duhet të ikni, jeni turq’”, ka treguar Gurra. Gjatë mbrëmjes u mësua se disa nga mesazhet e mbërritura në adresë të myftiut ishin kërcënuese. “Të ma gjejë dikush adresën e këtij dhe do ia pres fytin me thikë”, ishte njëri nga mesazhet që ai mësohet se ka marrë. Sipas Myftiut të Tiranës, e gjithë kjo krijohet për efekt të përçarjes së besimtarëve. “Ushqyerja e ndasisë, e urrejtjes, sado minimale të jetë, është nga rreziqet më fatale, më goditëse. Urrejtje fetare të këtij lloji, në këtë mënyrë, kaq shpejt dhe kaq shumë në lidhje me Bajramin, nuk ka pasur ndonjëherë”, tha myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Sigal