Karantina do të mbyllet shpejt sepse kështu i shërben Ramës

522
Sigal

Nga Vehap Kola 

Pas 4 javësh në izolim të plotë, shqiptarët kanë shfaqur shenja të dukshme të nervozizmit me këtë rrugë të zgjedhur nga regjimi i Ramës për të adresuar krizën shëndetësore. Njerëzit kanë filluar të mos respektojnë oraret e daljes nga shtëpia, punëtorët e mbetur pa punë ose pa paga janë zgjuar nga ëndrra e pagave pa punuar dhe sipërmarrësit po ndjejnë se qeveria u ka varur në qafë detyra që bien ndesh me logjikën e ekonomisë së tregut. Të gjithë pyesin: edhe sa do të zgjasë ky makth?

Filozofi francez Jacques Ellul, në librin e tij të titulluar Iluzioni Politik, shprehet se edhe me qëllimet më të mira, askush sot nuk mund të zgjedhë një kriter tjetër politik përveç efikasitetit. Loja e demokracisë mbështetet tërësisht në suksesin. Sipas tij, në politike gjithmonë do të zgjidhet ai që mund të realizojë një projekt me sukses, që ka më shumë gjasë t’ia dalë. Një qeveri që dështon në një sipërmarrje të caktuar do të rrëzohet pashmangshmërisht. Pra, ligji themelor i politikës është efikasiteti.

Në literaturën sociologjike dhe atë politike, efikasiteti i referohet aftësisë së një trupe qeverisëse për të arritur një objektiv të caktuar në një kohë sa më të shkurtër. Kjo do të thotë se më popullore janë ato qeveri dhe grupime politike që përqendrohen në projekte që mbyllen shpejt. Fati i vizionarëve në politikë, sipas këtij ligji, është i mbrapshtë.

Edi Rama është ilustrimi më tipik i zbatimit të konceptit të efikasitetit në politikën shqiptare. Ai erdhi në pushtet pas një qeverisjeje 8 vjeçare të Sali Berishës, që me gjithë gjynahet që mund t’i numërohen, ishte një qeverisje e projekteve afatgjata. Për shembull, rrjeti rrugor modern që Berisha arriti të ndërtonte e ka arritur maturimin e kontributit ekonomik e shoqëror vetëm sot pas shtatë vitesh. Derisa erdhi në pushtet Rama, ishte pothuajse besim i gjithëpranuar i klasës politike se punët e vërteta donin kohë dhe mund.

I vetëdijshëm për këtë yshtje të natyrës njerëzore për suksese të vogla dhe të shpejta, Edi Rama braktisi çdo projekt afatgjatë dhe i la vërtet rrugëve rrugët e papërfunduara nga Berisha. Mjafton të kujtojmë se autostrada Tiranë-Elbasan, 90% e përfunduar nga Berisha në 2013, u plotësua vetëm pas 6 vitesh në pushtet të Partisë Socialiste. Rama kishte të tjera prioritete: aksionet, që ai i quante reforma. Aksioni për mbylljen e lojërave të fatit, aksioni për arkëtimin e faturave të energjisë, aksioni kundër informalitetit fiskal, aksioni kundër ndërtimeve pa leje ose të papërshtatshme, OFL, anti-KÇK, tërmeti, rindërtimi janë vetëm disa syresh që mund të përmenden.

Met këto aksione efikase për nga objektivat që kishin marrë përsipër, duhet pranuar se Rama ia ka dalë të triumfojë ndaj rezistencës së shqiptarëve. Për këtë ai nuk ka hezituar të përdorë të gjitha mjetet pa asnjë skrupull. Për energjinë e papaguar ai burgosi 38 mijë qytetarë në një vit. Ka dhunuar të drejtat dhe liritë njerëzore, ka shkelur procedurat ligjore, ka shkruar ligje drakoniane dhe ka krijuar trupa policore me pushtet të pakufizuar. Të gjitha këto sjellje antidemokratike ai i ka përqafuar vetëm për patur efikasitet dhe për të rritur, si rrjedhojë, popullaritetin e tij. Si rezultat, shumica e shqiptarëve ka krijuar bindjen se ai është punëmbaruar.

Edhe emergjenca shëndetësore e krijuar nga COVID19 duket se është parë nga Rama si një mundësi e stinës për të dëshmuar efikasitetin e tij: një fushatë agresive dhe e shpejtë, ku roli i tij është si gjithmonë ai i udhëheqësit të propagandës, ndërsa dihet se virusi do ta humbasë forcën pas imunizimit të tufës për një periudhë disa javore. Por kryeministri nuk mund t’ia njohë virtytin e heroit zakonit të viruseve, prandaj ai është duke bërë gjithçka që veprimi i tij të jetë dominues ndaj trajektores normale të epidemisë.

Masat e forta të izolimit duken sheshit që janë propagandistike, pasi nuk kanë shmangur asnjë ditë grumbullimet, radhët e ngjeshura dhe shërbimet pa mjete mbrojtëse. Por duhet pranuar se ato kanë qenë të bujshme dhe objekt kryesor i debatit publik. Gjithashtu duhet pranuar se këto masa drakonike janë zbatuar me një shkallë të pamendueshme suksesi. Vetë Rama nuk ka hezituar të shprehë mahnitjen e tij me bindjen fjalëpaktë të shqiptarëve.

Në gjithë ekuacionin e fushatës së propagandës së ndërmarrë nga pushteti, ndryshori i kohës mbetet i paqartë. Rama ka paralajmëruar se karantinimi i plotë i popullsisë nuk dihet se sa do të zgjasë. Me ritmet ngadalta të testimeve dhe kapacitetet qesharake të spitaleve, Shqipërisë do t’i duhen shumë vite për ta administruar këtë emergjencë shëndetësore. Por, dihet se kjo është vetëm një shashkë manipulative e regjimit.

Fakti që njerëzit nuk i nënshtrohen testimit apo nuk shtrohen në spital nuk do të thotë se ata nuk po e kryejnë ciklin normal të imunizimit të tufës. Për disa javë ky proces do të ketë ndodhur jashtë dyerve të spitaleve dhe larg tamtameve të propagandës. Pavionet e infektivit do të jenë boshatisur dhe Rama do të shpallë fitoren e ‘luftës ndaj armikut të padukshëm’.

Koha e shpejtë e mbylljes së këtij sezoni propagandistik është kusht i domosdoshëm që operacioni të kurorëzohet me sukses. A po e fsheh Rama këtë të panjohur si as nën mëngë? Apo ai është vërtet i gatshëm të shijojë një shfaqje më të zgjatur të teatrit tragjik të karantinimit të plotë?

Shumë prej nesh frikësohen me të drejtë se në këto kushte Rama mund ta çojë vendin drejt diktaturës. Arsyeja përse kjo pjesë prej nesh gabohen është se Rama nuk ka pse të përpiqet të bëjë diçka që ai e ka arritur tashmë. Lodrimi ynë fëminor me disa të drejta pa pikë fuqie nuk e bën Shqipërinë të lirë. Për sa kohë vendi zbaton pa asnjë mosbindje urdhëresat e Ramës, çdo përpjekje për ta formalizuar diktaturën do të ishte kalim i panevojshëm i sensit të masës.

Pushteti i regjimit sot nuk kërcënohet nga kryengritje të armatosura, siç kërcënohej pushteti i Enver Hoxhës pas luftës së dytë botërore. Nëse shqiptarët do të ishin kaq të bindur ndaj Partisë Komuniste, ndoshta diktatura nuk do t’u ishte drejtuar rrugëve aq të përgjakshme të sundimit. Prandaj, rrini të qetë! Nuk do të ketë dhunë sepse nuk ka rezistencë.

Pra, skenari i një mbylljeje të shpejtë dhe “të suksesshme” të emergjencës është më i logjikshëm sepse i garanton Ramës dozën e efikasitetit politik që i shton popullaritetin dhe ia përjetëson pushtetin. Në fund të këtij teatri të madh me një popull të tërë në rolin e figurantëve, shumë pak shqiptarë do të nënqeshin hidhur sepse e kuptojnë që kjo nuk ishte një luftë: kjo ishte një tragjedi heroi tragjik i së cilës është shqiptari i thjeshtë.

Karantinimi i plotë do të marrë fund shpejt dhe Rama do të portretizohet si heroi që shpëtoi shqiptarët nga vdekja dhe shfarosja, sepse gjatë këtyre javëve ai e luajti rolin e një heroi të tillë në ERTV, jo për shkak të ndonjë mrekullie që ai e bëri veç e ndryshe kryeministrave e presidentëve të botës. Me këtë jehonë ai është i gatshëm të shkojë në zgjedhjet e vitit 2021, sërish pa asnjë program sepse për të fituar nuk është i nevojshëm as programi as e vërteta.