Kaos në sportelet e Postës në Elbasan

551
Sigal

Noterët ankohen për mungesën e pullave, qytetarët për vonesa në shërbim

Prej disa ditësh, në ambientet e Postës së Elbasanit, ka nisur të shfaqet një situate kaotike në sportelet dhe ambientet e saj. Rrëmuja dhe ankesat e qytetarëve sa vijnë e shtohen. Noterët ishin të parët që duke dashur edhe mediat të pranishme, të ankohen për mungesën e pullave, të cilat janë edhe lënda e parë në punën e tyre të përditshme. Zana, një notere prej 10 vitesh në Elbasan, deklaroi për “Telegraf” se, “prej 3-4 ditësh kam mbetur pa pulla takse, të cilat në qoftë se nuk i kemi nuk bëjmë asnjë lloj pune dhe procedure, kam ardhur dhe telefonuar mbi 10 herë në sportelet e Postës, dhe kam marrë si përgjigje se, “do të vijnë shpejt”. Por duket se noterët nuk janë të vetmit që kanë ankesa për shërbimet e Postës në qytetin e Elbasanit. Janë edhe pensionistët, dhe qytetarët që ankohen për vonesa në shërbimet  dhe veprimet  që ata kryejnë.  Nekiu, një ish-mjek sot pensionist, deklaroi se, “kam ardhur 5 herë gjatë kësaj jave për të mbaruar disa punë, për të larë faturat e dritave, ujit, e telefonit, dhe nuk  kam gjetur asnjë mundësi, ose janë të paafta punonjëset, ose nuk dinë të sillen me ne”. Posta Shqiptare vitet e fundit, ka qenë  realisht krenaria e shërbimeve publike, madje ajo është nderuar dhe dekoruar edhe nga mjaft organizma ndërkombëtare me medalje cilësie. Por duket se shkëlqimi i dikurshëm po humbet pas menaxhimit kaotik të filialeve në rrethe të ndryshme të vendit. Largimi i profesionistëve, madje edhe i postierëve që ndanin letrat dhe pakot me motoçikleta e biçikleta, ka krijuar anomali të theksuara në mbarëvajtjen e punës. Posta mbetet struktura bazë tek e cila qytetarët në Elbasan gjejnë shpëtim për të mbaruar punët e tyre. Qytetarët për të shlyer faturat e dritave, ujit, telefonit, pensionistët për  të marrë në datat e caktuara paratë e tyre, noterët për të tërhequr pullat e taksës, por edhe për  shpërndarjen  e pakove dhe  letrave private e zyrtare në kohë rekord. Gjithmonë të ashtuquajturat “reforma” në institucione të tilla si Posta Shqiptare, nuk duhet të degradojnë deri në spastrime politike, ashtu siç ka ndodhur në filialin e Elbasanit. Kjo pasi prova të tilla, tregojnë  naivitet dhe papërgjegjshmëri, ndaj është nevojë urgjente marrja e masave dhe ndryshimi situatës. Personat e larguar politikisht nga Posta e Elbasanit, i bëjnë apel kreut të këtij institucioni, Drejtorit të Përgjithshëm Ardit Çela, të ndërhyjë me autoritetin e tij, të ndalë dhe rikthejë në punë profesionistët, për të ndalur shkatërrimin e vlerave dhe arritjeve që u ngritën me punë në këto vite.  Qytetarët kërkojnë cilësi, shpejtësi dhe seriozitet në shërbimet që ofron Posta  Shqiptare, dhe jo vonesa dhe sorollatje, apo edhe mungesë shërbimi. Çdo situatë e tillë rëndon mbi kohën dhe xhepat e tyre.