Kaos dhe papërgjegjshmëri nga Wizz Air! Pasagjerët mbeten pa vende, avionin e kthejnë në mes të fluturimit
Një tjetër situatë problematike dhe tejet shqetësuese është regjistruar me kompaninë ajrore Wizz Air, duke nxjerrë në pah mënyrën kaotike dhe të papërgjegjshme të menaxhimit të fluturimeve dhe pasagjerëve.
Gjatë procesit të check-in me destinacion Ganën, pasagjerëve u është komunikuar se biletat e tyre ishin “bileta tepër”, të shitura mbi kapacitetin e avionit. Për pasojë, atyre iu tha se nuk kishte vende të mjaftueshme në avion, duke u kërkuar të prisnin nëse do të mungonin pasagjerë të tjerë.
“Do presim të shohim nëse mungojnë disa persona dhe më pas do uleni ju”, ishte përgjigjja e dhënë nga stafi. Si alternativë, pasagjerëve iu ofrua një biletë falas për udhëtimin e radhës plus 250 euro kompensim, një praktikë që tregon qartë mbishitjen e biletave nga kompania.
Në total, munguan 6 pasagjerë, çka bëri të mundur që disa udhëtarë të hipnin në avion në minutën e fundit. Për shkak të këtij konfuzioni, nisja e fluturimit u vonua rreth 30 minuta.
Por situata u përkeqësua edhe më tej, pasi në mes të rrugës avioni u detyrua të kthehej sërish në Rinas. Pas uljes, pasagjerët u mbajtën në terminalin e nisjeve pa asnjë informacion zyrtar, ndërsa u tha vetëm se kompania po mendonte të ndryshonte komplet avionin.
Mungesa totale e komunikimit, transparencës dhe respektit ndaj pasagjerëve ka shkaktuar irritim, pasiguri dhe lodhje, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë dhe shërbimit të Wizz Air.
Ky nuk është rasti i parë i ankesave ndaj kompanisë, ndërsa ngjarja shton zërat që kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe një monitorim më të rreptë të praktikave të kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri.




















